E ardhmja e Ajetit te Palermo?

E ardhmja e Arlind Ajetit mund të vazhdojë të jetë në Serinë A, por jo më te Torino. Së fundmi në skenë për të marrë shërbimet e mbrojtësit shqiptar ka dalë një tjetër skuadër dhe bëhet fjalë pikërisht për Palermon. Sipas asaj që raporton faqja e specializuar “Calciomercato.com”, e cila i referohet burimeve të “Tuttosport”, trajneri i skuadrës Granata, Sinisa Mihajloviç dëshiron të marrë te Torino, Edoardo Goldanigën, mbrojtësin 23-vjeçar të Palermos dhe për të bindur drejtuesit e klubit siçilian të lënë të lirë lojtarin, drejtuesit e Torinos pritet t’i ofrojnë Maurizzio Zamparinit, para, plus kartonin e Arlind Ajetit.
Për mbrojtësin e kombëtares kuqezi, interesohet edhe Pescara si dhe disa klube të tjera të rëndësishme jashtë Italisë, por duke qenë se te formacioni Granata, Ajeti po gjen fare pak hapësira, kalimi te Palermo në këtë pjesë të sezonit do të ishte pozitiv për të. Te ekipi siçilian mbrojtësi shqiptar do ta kishte të sigurtë vendin në formacionin titullar dhe duke parë problemet e shumta që po has Palermo në mbrojtje gjatë kësaj periudhe, Ajeti do t’i jepte më shumë siguri prapavijës së skuadrës që drejtohet nga Eugenio Corini.
Tani është gjithçka e kryer: Rei Manaj do ta luajë te Piza gjysmën e dytë të sezonit. Sipas portalit italian “GianlucaDiMarzio”, bisedimet mes Peskarës dhe klubit të Serisë B janë mbyllur me sukses sot.
Sulmuesi në pronësi të Interit pritet t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore të martën në mëngjes e më pas t’i bashkohet ekipit të trajnerit Xhenaro Gatuzo. Te Piza, që lufton për mbijetesë në ligën e dytë, 20-vjeçari lushnjar do të formojë dyshen e sulmit me Edgar Çanin, ndërsa në portë gjen Samir Ujkanin. Ky i fundit, sipas mediave italiane, luajti një rol të madh në vendimin e bomberit për t’iu bashkuar Pizës.
Manaj u huazua nga Interi te Peskara verën e shkuar, por përvoja te bardhekaltrit nuk shkoi siç pritej. Ai shënoi vetëm dy gola në 12 ndeshje.