Ballina Sport “Çmenduri” për Mesin

“Çmenduri” për Mesin

Manchester City është gati të kalojë çdo kufi në merkato, vetëm e vetëm për të firmosur me Lionel Mesin verën e ardhshme. Me kërkesë të trajnerit Pep Guardiola, drejtuesit e Citiziens kanë nisur nga puna për të bindur Barcelonën dhe mbi të gjitha yllin argjentinas, në mënyrë që Mesi sezonin e ardhshëm të luajë në “Etihad Stadium”. City ka gati një ofertë të çmendur, me 5 herë fituesin e Topit të Artë që mund të shndërrohet në blerjen më të shtrenjtë të historisë së futbollit duke kaluar kështu edhe francezin Paul Pogba që në verën e vitit që kaloi u transferua nga Juventusi te Manchester United për 105 milionë euro.
Oferta që po përgatit klubi i Manchester City për të bindur Barcelonën të lejojë largimin e 29-vjeçarit pritet të kapë shifrën e 110 milionë eurove, ndërsa lojtari do të përfitojë një pagë faraonike prej 900 mijë eurosh në javë, që konvertohet në rreth 50 milionë euro në vit. Mesi ende nuk ka rinovuar kontratën e tij me Barçën, ndërkohë që marrëveshja aktuale, mes tij dhe klubit katalanas skadon në verën e vitit 2018. Ky është një tjetër sinjal i qartë se futbollisti i La Selecion po mendon seriozisht largimin nga “Camp Nou”. Mesi është një dëshirë e vjetër e Guardiolës, i cili kërkon ta ketë me çdo kusht te Manchester City. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e lojtarit dhe se çfarë do të ndodhë, por e sigurtë është që Manchester City po përgatit një ofertë marramendëse për yllin e Barçës.
Futbolli europian mund të humbasë një tjetër lojtar të rëndësishëm për shkak të efektit kinez. Një ofertë e çmendur nga vendi i Lindjes së Largët ka ardhur në adresë të Realit të Madridit për të rrëmbyer sulmuesin francez, Karim Benzema. Është klubi i Tianjin Quanjian që ka prezantuar ofertën në adresë të presidentit Florentino Perez. Skuadra e drejtuar nga Fabio Canavaro arriti të hiqte nga duart e Juventusit vetëm pak javë më parë belgun Witsel, ndërsa tashmë kërkon të kompletojë organikën me një sulmues që premton gola në vazhdimësi. Pas tentativave për të joshur Diego Costan, Falcaon dhe Mauro Ikardin, trajneri italian duket se ka gjetur lojtarin ideal për skuadrën e tij.
Lajmin e bën të ditur vetë pronari i klubit, Shu Yuhui, sipas të cilit, as rregulli i vendosur nga federata për aktivizimin e vetëm tre të huajve në fushë, nuk do ta ndalojë të ndërtojë një skuadër yjesh. Ai shton se zërat për interesim edhe ndaj Diego Costas janë të vërtetë, por sipas rregullave të reja, klubi nuk mund të kalojë kufirin e caktuar të pagave dhe në këtë mënyrë do të limitohet vetëm me pak blerje të bujshme. “Nëse do të na lejonin për të aktivizuar maksimumi 5 lojtarë të huaj, do të ndërtoja një skuadër të madhe që këtë sezon”, shton manjati kinez që thekson se ka një bashkëpunim të ngushtë me agjentin Jorge Mendez dhe në të ardhmen nuk përjashton goditje të mëdha, përfshirë edhe Karim Benzema, ofertën në adresë të të cilit nuk e ka zbuluar ende. Tashmë topi mbetet në këmbët e presidentit madrilen, pasi është pikërisht Perez që do të thotë fjalën e fundit për transferimin e francezit, sigurisht pas këshillimit me trajnerin Zinedine Zidane, i cili do të humbiste një lojtar të rëndësishëm në betejën për titullin kampion.

Exit mobile version