Zyrtarisht te Bayerni

Ajo mes Arjen Robben dhe Bayernit të Mynihut është një dashuri që do të vazhdojë të zgjasë. Sulmuesi i skuadrës bavareze ka rinovuar zyrtarisht kontratën me drejtuesit e skuadrës për të vazhduar  aventurën  e tij me kampionët e Gjermanisë edhe për një tjetër sezon. Holandezi kishte një kontratë që skadonte në qershor të këtij viti. Nga ana e drejtuesve të klubit bavarez nuk ka pasur kurrë dyshime në lidhje me të ardhmen e Robben, i cili për shkak të disa dëmtimeve nuk ka arritur të japë maksimumin e tij por, pavarësisht kësaj është cilësuar gjithnjë si një element shumë i rëndësishëm për repartin e avancuar të Bayernit.
Kontrata e re do ta mbajë të lidhur me skuadrën e Ançelotit deri në qershor të vitit 2018. Vetë numri 10-të disa herë në media ka deklaruar se dëshira e tij është të qëndrojë në Bavari, pasi aty ai ndihet si në shtëpinë e tij. Tashmë 32-vjeçari nuk i ngelet gjë tjetër veçse të impenjohet maksimalisht për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave sezonalë. Arjen Robben me fanellën e Bayernit në total numëron 232 paraqitje nga ku ka shënuar 121 gola.
Ndërkohë, e ardhmja e Lukas Podolskit është në Azi, por jo në Kinë, edhe pse ofertat milionere nuk mungojnë. Futbollisti gjerman do të largohet nga Gallatasaraj për një aventurë të re në karrierën e tij dhe është e sigurt se ajo do të vazhdojë në Azi.
Por pavarësisht interesimit të klubeve kineze dhe ofertave mjaft të larta për të, lojtari duket se preferon një tjetër kampionat në këtë kontinent. E përditshmja gjermane “Bild” bën të ditur, se përfaqësuesit e futbollistit kanë nisur bisedimet me japonezët e Visel Kobe, të cilët i kanë dhënë mundësinë që të luajë në J-League.
Që nga momenti kur Kina filloi të investonte shuma të mëdha për të afruar emra të njohur, kampionati japonez, që njihej si më i forti i rajonit, ka humbur shumë shikueshmëri. Por duket se klubet japoneze po kërkojnë të rifitojnë terrenin e humbur dhe transferimi i Podolskit mund të jetë vetëm hapi i parë.
Hamburgu, ku Mavraj u transferua gjatë këtij afati kalimtar, gjendet në zonën e rrezikshme, duke u pozicionuar në vendin e 16 në renditje me 13 pikë të grumbulluara pas 16 ndeshjeve. Mavraj thotë se pavarësisht kundërshtarëve, skuadra e tij duhet të hyjë në fushë për të mbledhur sa më shumë pikë, për t’i shpëtuar rënies nga Bundesliga, për çka edhe Hamburgu e transferoi shqiptarin nga Kolni. “Nuk ka rëndësi se cilat ekipe duhet t’i kalojmë. Duhet të punojmë në projektin që kemi dhe të mbledhim sa më shumë pikë”, deklaroi ai për Kicker.