TAP ndryshon gjurmën në Shqipëri

Për shtetin shqiptar projekti Trans Adriatic Pipeline është me rëndësi kombëtare dhe si i tillë, siguria për të mbetet një element kyç. Cenimi i këtij projekti përgjatë dekadave të ardhshme do të ishte një rrezik i papranueshëm. Për këtë arsye, me kërkesë të vetë projektit qeveria shqiptare miratoi disa ndryshime në gjurmën nga ku do të duhet të kalojë tashmë projekti. Ndryshime që tashmë janë zyrtarizuar me miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Në këtë vendim thuhet se, që nga miratimi i Planit Kombëtar Sektorial (PKS) për gazsjellësin Trans Adriatik me vendimin e KKT-së të vitit 2013, projekti ka pësuar një numër të vogël modifikimesh dhe përmirësimesh në seksione të ndryshme të tij.
“Një vlerësim i detajuar i gjeorrezikut u krye për seksionin shqiptar të gjurmës së tubacionit në kuadër të studimit sizmik. Në rrjedhën e këtij vlerësimi u bë e qartë që baza e gjurmës aktuale, kalon tërthor dhe në afërsi të zonave me potencial të paqëndrueshëm dhe zonave me rrëshqitje tokash aktive, të cilat përbëjnë një rrezik të papranueshëm për integritetin e tubacionit për kohën e projektimit prej 50 vitesh. Kështu u vendos paraprakisht, që aty ku do të ishte e nevojshme, ndryshimet e gjurmës do të bëheshin në mënyrë që të shmangnin rreziqet e mundshme të zonave të paqëndrueshme apo të rrëshqitjeve të dherave”, thuhet në vendim.