Rritet bilinaci, 12 viktima nga i ftohti, vdes i pastrehi në Korçë

Një tjetër viktimë është shënuar ditën e djeshme nga i ftohti, duke e çuar në 12 numrin e të vdekurve në shkallë vendi. Një i pastrehë është gjetur i pa jetë në rrugë në lagjen nr.7 të qytetit të Korçës. Personi, i cili u gjet në lagjen nr.7, përballë Pallatit të Kulturës, ende vijon të jetë i paidentifikuar, ndërsa dyshohet se i përket moshës 55 vjeç.
Burime nga Policia e Korçës bënë me dije se nga këqyrja e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e tij, ndërsa dyshohet se vdekja të ketë pasur shkaqe natyrale, pra nga i ftohti.
Megjithëse numri i viktimave nga i ftohti po shtohet dita-ditës dhe është rikthyer sërish bora me stuhi, Rama nuk dënjon të shpallë gjendjen e emergjencës. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve nga i ftohti, sidomos të pastrehëve që enden rrugëve pa asnjë ndihmë ekonomike e përkrahje sociale. Rama dhe qeveritarët harxhojnë miliona e miliona lekë të planifikuar për emergjencat për luks në zyrat e tyre, ndërsa banorët në Verilindje ndodhen të izoluar dhe në mëshirë të fatit.
Më 12 janar humbën jetën nga i ftohti dy persona në Sarandë dhe Vlorë. Në Sarandë u gjet i vdekur 61-vjeçari Xhezair Telo, i cili jetonte në lagjen numër 4 në një banesë private. Ndërsa një 80-vjeçar ka humbur jetën në qytetin bregdetar, pasi kishte rrëshkitur në oborrin e shtëpisë të mbuluar nga akulli, duke pësuar dëmtime në trup. 80-vjeçari Tasin Llanaj ndodhej në spital që prej datës 5 janar, ditë kur edhe kishte rrëshkitur në oborr, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë më 12 janar.
Më 11 janar Anastas Shuke, 38 vjeç, është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen nr.10 të qytetit të Pogradecit. Ishin disa të afërm që e kanë gjetur të vdekur në banesë 38-vjeçarin, për shkak të të ftohtit.
Po më 11 janar u gjet e vdekur nga i ftohti 68-vjeçarja Shpresa Muça nga Durrësi, e cila jetonte e vetme në apartamentin ku nuk kishte asnjë mjet ngrohës. Bëhet e ditur se e moshuara mund të ketë ndërruar jetë që para tre ditësh, kohë kur edhe nuk i ishte përgjigjur në telefon djalit të saj.
Në të njëjtën ditë një fëmijë 12 vjeç, i cili lozte në sipërfaqen e ngrirë të liqenit të Kasharit ra brenda në ujë dhe humbi jetën. Sipas burimeve, 12-vjeçari Fabian Gurakuqi po luante sipër liqenit të ngrirë, por kur akulli është thyer ka rënë brenda, duke humbur jetën.
Sërish më 11 janar humbi jetën 40-vjeçari Hajredin Xhelo nga Fieri, i cili po kalonte me këmbë mbi rezervuarin e ngrirë të Petovës, pasi u thye akulli. Sipas dëshmitarëve, babai i dy fëmijëve sëbashku me një shokun e tij, gjithashtu bari, vendosën të ecnin mbi akull, por vetëm pas pak metrave, shtresa e akullit u thye.
Më 10 janar u gjet i pajetë nga i ftohti 60-vjeçari Ilia Lifo në Korçë. 60-vjeçari Lifo është gjetur i vdekur në periferi të qytetit të Korçës tek vendi i quajtur “Parku i mallrave” në lagjen nr.10 të qytetit jugor. Sipas burimeve, 60-vjeçari Lifo është gjetur i pajetë në ambientet e një zdrukthtarie, ku ai e kishte sajuar si “banesë”.
Më 9 janar në Lushnjë, një roje pallati u gjet i ngrirë nga i ftohti. Bashkim Çepa, i cili punonte roje në një pallat, mëngjesin e 9 janarit është gjetur i ngrirë në vendin e punës. Ishin banorët e pallatit, ata që njoftuan policinë, e cila më pas bëri dërgimin e trupit të pajetë në morg. Punëtori ka qenë me probleme shëndetësore, por askush nga zyrtarët nuk u interesua për jetën e tij.
Më 8 janar një 54-vjeçar nga Saranda ndërroi jetë nga i ftohti. Leonard Arapi u gjet nga banorët i pajetë si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. Arapi është gjetur i pajetë në lagjen nr.2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar.
Po më 8 janar një i moshuar gjeti vdekjen mes ngricave në Gjirokastër. Vasil Kaçi 64 vjeç nga Gjirokastra ishte ngjitur në tarracën e pallatit për të parë depozitën që kishte ngrirë, por ka rrëshkitur, duke humbur jetën.
Më 7 janar u gjet i vdekur në lagjen nr.17 të qytetit të Durrës, endacaku që të gjithë e njihnin me emrin Beni. Ai ishte 38 vjeç dhe nuk kishte strehë. Ishin banorët ata që njoftuan për vdekjen e 38-vjeçarit Arben Sulo, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Bëhet me dije se, Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej.

R.POLISI