Rihapet La Liga, por kalendari favorizon Realin

Humbja e Realit të Madridit në Ramon Sanchez Pizjuan e para pas 40 ndeshjesh për Los Blancos në të gjitha kompeticionet, ka rihapur dhe e ka bërë më të bukur La Ligan. Para disa javësh, Reali udhëtoi drejt Japonisë për Botërorin e klubeve me 6 pikë avantazh ndaj Barcelonës dhe Sevillas, por tashmë diferenca në klasfikim është vetëm 1 pikë ndaj skuadrës andaluziane dhe 2 ndaj asaj katalanase, ndërkohë që në renditje është afruar edhe Atletico e Madridit që mban vendin e 4-t.
Në fakt, skuadra e Zidane ka për të rikuperuar 1 ndeshje të prapambetur, pikërisht duelin ndaj Valencias në Mestalla, takim në të cilin marrja e tre pikëve parashikohet një mision i vështirë për Los Blancos, pasi ndaj Valencias, Reali vuan gjithmonë. Kur janë luajtur vetëm 18 javët e para është shpejt për të folur se cila do të jetë skuadra që do të fitojë La Ligan, por me ndalesën e fundit  të Realit nga gara për titullin nuk duhet të përjashtohet kurrësesi, Sevilla e Jorge Sampaolit, që po zhvillon një sezon fantastik dhe në merkaton e janarit është përforcuar me një lojtar shumë të mirë si Stevan Jovetiç, që ka qenë menjëherë përcaktues.
Në garë mbetet gjithashtu edhe Atletico e El Cholo Simeones, pasi Los Colchoneros nuk dorëzohen kurrë dhe sëfundmi janë rikthyer në rrugën e duhur. Lufta për titullin sipas të gjitha gjasave do të jetë një garë 4-she mes Realit, Barçës, Alteticos dhe Sevillas, edhe pse duhet pranuar që favoritja kryesore mbetet skuadra e Zinedine Zidane. Realit i buzëqesh edhe kalendari krahasuar me rivalët direktë. Los Blancos dy ndeshjet e radhës do t’i luajnë në shtëpi ndërsa, Barca, Sevilla dhe Atletico i kanë në transfertë.
Një tjetër favor për Realin është se do t’i presë në “Santiago Bernabeu” tre kundërshtarët direktë në fazën e dytë të kampionatit. Me pak fjalë, pavarësisht humbjes ndaj Sevillas që rindezi në maksimum, La Ligan, Los Blancos kanë shanse të mira për të fituar një titull kampion që u mungon që nga sezoni 2011-2012, kur në drejtimin e Realit ishte një trajner i madh si Jose Mourinho.