Raporti bombë: Rama pasuron pakicën, shumica, u varfërua

Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë dhe nuk ka qenë gjithpërfshirëse, u konfirmua dje nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet.
Në këtë klasifikim Shqipëria u përfshi në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë, ku PBB e vendit u rrit me ritme më të larta se rritja gjithpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën.
Për më tepër të dhënat tregojnë se, raporti mes rritjes së PBB dhe rritjes gjithpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka patur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë tek pakica.
Në tendencë të kundërt, në vende e tjera të rajonit, si Maqedoni, Serbi, Bullgari, Rumani, rritja ka qenë më gjithpërfshirëse, sipas raportit.
Hapja e ekonomisë globale ka sjellë vështirësi në reduktimin e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave në mënyrë të harmonizuar në të gjithë botën. Por Forumi Global pohon se, shumë vende kanë përfituar nga hapja, sidomos vendet në zhvillim.
Firmat që tani janë ndërkombëtarizuar kanë rritur produktivitetin dhe efikasitetin e tyre në ekonomitë më të dobëta. Në vendet në zhvillim, jo vetëm është rritur produktiviteti, por edhe është përmirësuar prodhimi në segmente me vlerë më të lartë.
Megjithatë, rritja e të ardhurave në vendet në zhvillim nuk është përkthyer në një progres që prodhon standarde jetese për të gjithë. Studimet tregojnë se integrimi rrit vendet e punës, por puna ka vlerë të ulët. Ndërsa bota e prodhimit ndërkombëtar po maturohet, nevoja për modele më gjithpërfshirëse dhe të qëndrueshme të ekonomisë po shtohet.
Tregjet në përgjithësi ofrojnë më pak financime për sipërmarrjet e reja, veçanërisht në tregjet në zhvillim. Për këtë arsye, instrumente financiare inovative dhe transnacionale janë të nevojshme, siç është financimi që merr parasysh know-how, lokal, arsimin, përmirësimin e mjedisit të politikave dhe rritja e aftësisë së bizneseve për të shfrytëzuar mundësitë e reja të tregut.
Edhe një organizatë tjetër ndërkombëtare njoftoi dje se pasuria globale po përqendrohet gjithnjë e më shumë. Kërkimet e reja nga Oxfam thonë se, vetëm tetë njerëz kanë të njëjtën pasuri sa gjysma e popullsisë së botës.
Pasuria globale botërore ka arritur në 255 trilionë dollarë, sipas raportit. Që nga 2015, më shumë se gjysma e kësaj pasurie është e përqendruar në duart e më të pasurve, 1% të totalit të popullsisë.
Sikurse nënvizon Oxfam, pabarazia dëmton kombet dhe ekonominë globale. Në më të keqen, ajo kërcënon stabilitetin politik dhe social.
Vetëm 8 njerëz zotërojnë pasuri njësoj sa gjysma e popullsisë botërore, gjë që do të risjellë debatin mbi rritjen e hendekut të ndarjes së pasurisë botërore.
Sipas listës së “Forbes”, 8 personat më të pasur së bashku kanë një pasuri neto prej 426 miliardë dollarësh.