Ballina Bota & Rajoni Politika armiqësore për qytetarët europianë në Britani

Politika armiqësore për qytetarët europianë në Britani

Qytetarët e Bashkimit Europian mund të përballen me vështirësi ekstreme me llogaritë bankare të mbyllura, kontratat e punës dhe marrëveshjet e qirave të ndërprera nëse e drejta e tyre aktuale për të jetuar në Britaninë e Madhe nuk garantohet më pas Brexit, paralajmëron një avokat i njohur emigracioni. Andrew Tingley, avokat i specializuar në emigracion, në kompaninë logjore “Kingsley Napley” me bazë në Londër, përshkruan “skenarin e tmerrshëm” me të cilin do të përballen qytetarët europianë në rast se qeveria vendos se e drejta e rezidencës në Britaninë e Madhe nuk do të garantohet më pas Brexit, me pak fjalë do të duhet të largohen.
Ai thotë se qytetarët që vijnë nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian që tani përballen me “politikë armiqësore të qëllimshme” nga zyra e emigracionit dhe jeta e tyre vështirësohet aq shumë sa e kanë pothuajse të pamundur të jetojnë në Britaninë e Madhe. Qeveria ka deklaruar se ka ndërmend t’i ofrojë 3 milionë qytetarëve europianë që jetonin në Britani përpara referendumit, të drejtën për të qëndruar në vend, por e ka lënë kërcënimin në ajër duke deklaruar se kjo e drejtë do të trajtohet si “kapital negocimi” në bisedimet e Brexit.
Zyra e emigracionit ka thënë vazhdimisht se nuk mund të garantojë këtë të drejtë nëse e njëjta e drejtë nuk i njihet edhe 1,2 milionë britanikëve që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, Tingley, i cili ka trajtuar prej 20 vitesh rastet e emigracionit, thotë se nëse Britania nuk arrin të përfitojnë një marrëveshje për britanikët në Europë, ka pak gjasa të vendosë të dëbojë qytetarët europianë nga vendi. Do të ishte pothuajse e pamundur nga ana logjistike dhe shpërthyese në aspektin politik, thotë ai.
Megjithatë, ata mund të bëhen subjekt të Aktit të Emigracionit 1971 dhe mund t’ia vështirësojë në maksimum jetën qyteterëve të huaj duke i detyruar ata të largohen vetë. Tingley thotë se zyra e emigracionit ka vite që operon me një politikë “armiqësore të qëllimshme” në përpjekje për të reduktuar në minimun numrin e qytetarëve jo europianë në Britani.
“Skenari më i tmershëm është që një ditë pas Brexit, një punëdhënës i licencuar mund të thërrasë të gjithë punonjësit e tij jo britanikë dhe t’i pyesë nëse e kanë rregulluar ligjërisht qëndrimin e tyre në vend. Nëse jo, punëdhënësi ka të drejtë të ndërpresë menjëherë kontratën e punës”, thotë Tingley.
“Kur të vijë puna për të rinovuar kontratën e qirasë, pronari i shtëpisë mund të kërkojë të tregoni një dokument ku shkruhet se ju lejohet ligjërisht të jetoni në Britaninë e Madhe. Autoriteti përkatës mund të revokojë patentën tuaj, banka të mbyllë llogarinë”, vazhdon ai. “Me këtë situatë përballen që tani qytetarët jo europianë, duke qenë se zyra e emigracionit ia ka deleguar monitorimin kompanisë private Capita. Klientëve që i refuzohej qëndrimi, merrnin telefonata dhe mesazhe çdo një orë ku i kërkohej të largoheshin menjëherë nga Britania e Madhe”.
Sondazhet kanë hetuar qytetarët europianë, të cilët kanë ndërmend të qëndrojnë në Britani pas Brexit dhe shumë prej tyre janë panikuar dhe kanë aplikuar për kartën permanente të rezidencës (PR) në mënyrë që të dokumentojnë të drejtën e tyre që i garantohet që tani nga traktatet e Bashkimit Europian. Nicolas Hatton, themeluesi francez i një kompanie për të drejtat e BE-së, thotë se procesi i marrjes së kartës PR po i shkakton një stres të jashtëzakonshëm qytetarëve europianë në Britani.
Aplikimi prej 85 faqesh kërkon një numër të madh dokumentesh të aktiviteteve të pesë viteve të fundit, përfshirë edhe faturat e shërbimeve të marra, si dhe një ditar të të gjitha rasteve që një individ është larguar nga vendi që kur ka filluar të jetojë në Britani. Disa prej tyre kanë marrë letra që i kërkojnë të përgatiten të largohen nga vendi në rast se nuk plotësojnë të gjitha kërkesat.
Tingley thotë se gjuha e përdorur në letra nuk është aksidentale. “Është menduar specifikisht për të trembur njerëzit”, thotë ai. “Nuk është shkruar nga një punonjës i thjeshtë i zyrës së emigracionit dhe është firmosur nga një person i nivelit të lartë”. Ai thotë se, “mjedisi armiqësor” është trashëgimia e kohës kur Theresa May ishte sekretare e dhomës dhe premtoi se do të reduktonte me çdo kusht numrin e emigrantëve në Britaninë e Madhe.

Exit mobile version