Ballina Sport Mes 100 futbollistëve më të shtrenjtë

Mes 100 futbollistëve më të shtrenjtë

Observatori i Futbollit CIES, ka publikuar listën e 100 lojtarëve më të vlefshëm në 5 kampionatet kryesore europiane, të renditur sipas përllogaritjeve të saj, duke marrë për bazë jo vetëm kontributin aktual në skuadrat përkatëse, por edhe moshën apo atë që mund të tregojnë në vijim.
Bie në sy se, në krye të listës nuk qëndron as Kristiano Ronaldo dhe as Lionel Mesi, por braziliani Neimar. Ky i fundit, sipas CIES, përllogaritet se vlen plot 246,8 milionë euro. Mesi është vetëm i dyti, shumë i shkëputur, me vlerën 170,5 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë, është Pol Pogba, futbollisti që për momentin mban rekordin për transferimin më të shtrenjtë në histori. Vlera e Pogba është 155,3 milionë euro.
Sa i përket Kristiano Ronaldos, ai është vetëm në vendin e 7 në këtë listë, me një vlerë prej 126,5 milionë eurosh, i kaluar edhe nga Grizman, Suarez dhe Kein.
Në listën e 100 lojtarëve më të vlefshëm janë edhe dy futbollistë shqiptarë, ndonëse asnjë prej tyre nuk vesh fanellën kuqezi të përfaqësueses. Të dy luajnë në kampionatin anglez dhe janë pjesë e Arsenalit, Shkodran Mustafi dhe Granit Xhaka.
Sipas CIES, Shkodran Mustafi ka vlerën 60,5 milionë euro dhe mban vendin e 40 në këtë renditje të veçantë. Për Xhakën, vetëm vendi i 63-të, me një vlerë të kartonit të tij që përllogaritet në 46 milionë euro.

Exit mobile version