Chiellini: Juves i mungon një si Pogba

Te Juventusi, ka filluar të ndihet mungesa e një lojtari si Paul Pogba, i këtij mendimi është mbrojtësi i skuadrës bardhezi, Giorgio Chiellini, i cili pas humbjes që pësoi skuadra e Alegrit, në Artemio Franchi ndaj Fiorentinës solli në vëmendje të tifozëve të Juves mesfushorin francez, i cili në verë u transferua te Manchester United në Premier League për shifrën e çmendur të 105 milionë eurove. 32-vjeçari italian foli me superlativa për Pogbanë, duke nënvizuar: “Vitin e kaluar kishim në skuadër një lojtar që është Lebron James i futbollit, Pogba natyrisht, i cili edhe kur dukej sikur nuk shihej në fushë ishte me të vërtetë impresionues”. Fjalë të ëmbëla këto të Chielinnit për një lojtar që po përpiqet të shpërthejë në Premier League me fanellën e United edhe pse në muajt e parë, Pogba hasi jo pak vështirësi. Më pas futbollisti i përfaqësues italiane, u ndal të fliste edhe për sfidën ndaj Fiorentinës, duke shtuar se ajo ndaj skuadrës vjollcë ishte ndeshja e 4-t që Juventusi gabon në këtë sezon, gabime të cilat bardhezinjtë i kanë paguar shtrenjtë. Duhet të përmirësohemi shtoi në fund të fjalës së tij, Giorgio Chiellini.
Ndërkohë, Interi vazhdon serinë e fitoreve në kampionat. Në javën e 19-të, zikaltrit mposhtën 3-1 Kievon, duke korrur suksesin e pestë radhazi. Në “San Siro”, të zotët e shtëpisë e nisën ndeshjen me këmbëngulje, duke krijuar disa raste, por portieri Sorrentino ishte në një ditë të mirë.
Në minutën e 34-t, Serxho Pelisier shtangu zikaltrit, duke kaluar në epërsi miqtë veronezë me të parën gjuajtje në portë. Përpjekjet e Interit vazhduan edhe pas pushimit, por “gardiani” i Kievos duket se kishte fatin me vete. Gjithsesi, kjo situatë zgjati deri në minutën e 69-të, kur Mauro Ikardi shfrytëzoi një krosim të Kandrevës nga e djathta, duke barazuar shifrat me golin e 15-të personal në kampionat.
Me kaq mori fund edhe rezistenca e miqve nga Verona, pasi Perishiç katër minuta para fundit dhe Eder në shtesë (93’) i dhanë suksesin skuadrës së Piolit. Me këtë fitore barazon përkohësisht Milanin me pikë (36), por këta të fundit kanë në dispozicion dy ndeshje më shumë.