Ballina Politikë Ceremonia e Trump, republikanët në zgjedhje përkrah PD-së!

Ceremonia e Trump, republikanët në zgjedhje përkrah PD-së!

Kryetari i Partisë Demokartike do të niset sot drejt SHBA ku do të marrë pjesë në ceremoninë e presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Basha paralajmëroi një sërë takimesh të rëndësishme me senatorë dhe republikanë. “Nesër nisem për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë zyrtare nga Komiteti Kombëtar Republikan dhe grupi i mazhorancës në Kongres në Senatin amerikan, për inaugurimin e Presidentit Donald Trump.
Dua t’iu informoj se gjatë vizitës në Uashington do të kem takime zyrtare me anëtarë të Kongresit dhe të Senatit, me drejtues të lartë të institucioneve, politikëbërësve të politikës së jashtme, sigurisë, institucioneve dhe instituteve të Partisë Republikane, të cilët na asistojnë si në procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ashtu edhe për hartimin e programit të Partisë Demokratike në disa fusha të veçanta. Do të marr pjesë i ftuar zyrtarisht edhe në disa prej ceremonive dhe pritjeve zyrtare festive për inaugurimin e Presidentit Trump.
Në kthim, do të kem takime në Bruksel dhe në Berlin në lidhje me mbështetjen që Partia Popullore Europiane dhe Partia Kristiandemokratike gjermane të Unionit Kristiandemokrat gjerman po i japin Partisë Demokratike për programin e saj elektoral. Këtu në këtë sallë, para 5 javësh këshilltarët ekonomikë të Angela Merkelit, kanë bërë vettingun e programit ekonomik të Partisë Demokratike, proces i cili ka çertifikuar dhe validuar propozimet tona për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ekonomike ku e ka zhytur papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i Edi Ramës, nxjerrjen e Shqipërisë nga recesioni dhe kriza Rama, që njihet sot në Europë, dhe po kështu pas takimeve për të rakorduar për çështje të programit dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kemi në mesin tonë të dërguarit e CDU-së, të dërguarit e Partisë Popullore Europiane, të Institutit Republikan Ndërkombëtar dhe partive të tjera simotra për të ndihmuar Partinë Demokratike si në rrafshin e logjistikës, të përgatitjeve për fushatë, të programit dhe në trajnim të drejtpërdrejtë të njerëzve. Do t’i diskutojmë në detaje, sepse pavarësisht se janë interesante për anëtarësinë e Partisë Demokratike do të jenë të njohura publikisht.
Fushata për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nisja e fushatës së Partisë Demokratike për evidentimin e kandidaturave, vettingun e kandidaturave, përfundimin e pjesës logjistike që ka të bëjë me kontaktin dhe regjistrin e votuesve për të cilin janë nxjerrë vendimet nga mbledhja e fundit e Kryesisë, janë ndër detyrat kryesore me të cilat Partia Demokratike, anëtarësia jonë, simpatizantët tanë, mbështetësit tanë do të angazhohen fuqimisht në ditët dhe javët në vijim”.

Exit mobile version