Tonelatat e trafikut të farërave të kanabisit

Arben SHAHINI

Shqipëria nuk kishte se si ta mbyllte më keq se aq vitin 2016… Vendi u damkos nga një njollë e zezë dhe iu vendosën gjithfarëlloj epitetesh për shkak të kanabisit që pushtoi vendin. Fermerët në shumicë lanë punën për t’iu përkushtuar kultivimit të saj. Nga kjo njollë e narkotrafikut, Shqipëria u penalizua për t’i hapur negociatat me Bashkimin Evropian. Batutat e Ramës në tryezat me faktorin ndërkombëtar ngjasonin me rrekjet e dëshpëruara të kllounit të oborrit. Droga ishte një fakt kokëfortë nga i cili s’mund ta shpëtonte propaganda alla gebelsiane e shifrave që servireshin nga Tahiri, pasi kontrolloheshin në zyrën e Fugës. Vendi i shqiponjave vazhdonte të zhytej në batakun ku e kish futur një skemë e mirorganizuar e kanabizimit të vendit për të mëkuar pushtetin e bandave kriminale, për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij me vota të blera. Në vitin 2016 dy ishin rrugët e mbijetesës, droga dhe ikja jashtë vendit. Ata që nuk pranonin asnjë rrugë do të përballeshin me represionin policor e tatimor, duke thelluar mjerimin deri në vetëvrasje….

Deklarata

Presidenti Nishani në këtë fillim viti do të jepte alarmin përgjatë një interviste të realizuar nga gazetari Roland Qafoku. Sipas tij, sasi të mëdha fare kanabisi janë depozituar në vend, për të filluar mbjelljen në pranverë. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë se nga informacionet e mbledhura në rrugë të ndryshme bëhet fjalë për një sasi rreth 15 tonë të futur përgjatë dhjetorit, për të qenë gati në mars kur fillon mbjellja në kubikë. Një sasi e tillë sipas specialistëve përkthehet në rreth katër tonë kanabis në fazën e korrjes ose me një vlerë në shitjet fundore që shkon në 4.5-5 miliardë euro. Një shumë, e cila është sa gati 70 për qind e buxhetit të shtetit për një vit, ose që mund të quhet një buxhet paralel në dorë të bandave, të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal. Mbjellja fillon në fund të marsit dhe fidanët fillimisht vendosen në kubikë. Fara është e cilësisë vietnameze dhe prodhimi kërkon 45 ditë, pra për një periudhë 45-ditore që nga faza e parë e saj, që i bie të jetë gati në mesin e majit të këtij viti, ose një muaj nga fillimi i hapjes zyrtare të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 18 qershorit. Për mbjelljen qeveria drejton gishtin nga të varfërit! Por natyrshëm shtrohet pyetja, po për farën e kanabisit në tre vjet qeverisje përse nuk ka një të arrestuar të vetëm?! Kush i mbron, si mund të futen tonelata fare pa i hyrë askujt gjemb në këmbë, në një kohë që në aeroporte dhe porte shqiptarëve u kontrollohet dhe portofoli i xhepit në skaner?! Si ka mundësi që një i ri vret veten në burg se ishte kapur me 3 gramë kanabis për përdorim vetjak dhe kalojnë 15 tonë farë dhe askush nuk ndalohet? A mund të thotë kush se kjo nuk bëhet pa mbështetje nga lart?

Biznesi i farës

Vitin e kaluar, pavarësisht raportimeve për kanabizimin e Shqipërisë, jo vetëm nga opozita, por edhe nga media, nuk munguan spektaklet dhe raportimet në lidhje me kapjen e sasive të drogës në akset tona rrugore apo dhe në pikat e kalimit kufitar. Në asnjë njoftim të policisë dhe askund nuk u fol për arrestime të atyre që fusin farën e kanabisit. Por le t’i referohemi shifrave zyrtare… Për periudhën qershor-shtator qeveria raporton se ka asgjësuar rreth 2.4 milionë rrënjë kanabis, që varion nga 1200 deri në 1.500 tonë drogë të asgjësuar. Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për shifrat zyrtare pa përmendur pjesën tjetër, që vazhdon sot e kësaj dite të kalojë brigjet e Adriatikut. Duke llogaritur që një rrënjë kanabis nxjerr nga 350-500 gramë hashash (në disa raste shkon dhe në 750 sipas farës, kushteve atmosferike etj.,) atëherë me një llogari të thjeshtë i bie që vetëm nga shifrat që raporton qeveria të kenë hyrë përafërsisht 4.5 deri në 5 tonë drogë. Në rast se do i referohemi tregut të shitjes, një farë që i korrespondon një bime kushton nga 3 deri në 5 euro, i bie që vetëm për atë që raporton qeveria të jenë shpenzuar për blerje nga 7.5 deri në 10 milionë euro, për peridhën qershor-shtator 2016. Pra, një shifër jo e vogël, që do të thotë një biznes më vete dhe fakti që s’ka asnjë të arrestuar do të thotë shumë. Fakti që ata fusin tonelata farë kanabisi në dogana dhe portet tona tregon, se ky aktivitet kriminal s’mund të kryhet kurrë pa lejen dhe mbështetjen e instancave të larta të shtetit. Nga e njëjta llogari dilet në përfundimin se vetëm nga futja e farës në vend sigurohen nga 30 deri në 50 milionë euro të ardhura. Fara më pas shpërndahet në të gjithë vendin dhe shumëfishohet në tonelata kanabisi, të cilat kanë si synim kryesor tregun jashtë vendit…

Kanabizimi i vendit

Gjasat që kanabizimi i Shqipërisë të përdoret për të blerë zgjedhjet është dhënë më herët, që në zgjedhjet e Dibrës, ku policia nuk asgjësoi asnjë bimë narkotike, megjithëse fushata u zhvillua në kohën kur ajo bëhet gati për t’u korrur. Metoda tjetër është ajo që po aplikohet në disa zona të veriut, ku emisarët e rilindjes po premtojnë hapur në mes të ditës lejimin e mbjelljes së kanabisit në oborret e shtëpive. Pjesa tjetër janë paratë që gjeneron ky aktivitet kriminal. Fakti që fara e kanabisit lejohet të hyjë pa asnjë problem, tregon qartë se kush qëndron në majën e këtij biznesi dhe kush është promotori kryesor i saj. 15 tonë farë që konvertohen në gati 4 mijë tonë kanabis janë vetëm të parat. Përvoja e 2016-ës i tregoi Edi Ramës, se kjo është rruga e vetme për rilindasit për të hyrë në zgjedhje. Paratë e narkotrafikut do të përdoren për të blerë votën e atyre familjeve që për katër vjet u mohoi deri të drejtën edhe për të jetuar. Paratë e narkotrafikut gjenerojnë bandat dhe bandat gjenerojnë dhunë në një skemë të orkestruar nga lart, në një skemë që mund ta shohim vetëm në regjimet despotike ku liderët kërkojnë ta mbajnë pushtetin me çdo kusht. Rilindja vërtet po ndez motorët, por jo për të varfërit, jo për bizneset, jo për arsimtarët, mjekët e infermierët, jo për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë që s’i ka në llogaritë e saj, por për të gjetur mënyrat se si bandat dhe pushteti i tyre të vazhdojnë të qetë dhe të pasëkëlldisur ahengun në vendin ku njerëzit po vrasin përditë veten nga varfëria.