Zgjohu Gane, ILDKP në gjumë, nuk verifikon pasuritë e pushtave

Armand MAHO

Më 7 nëntor të vitit të kaluar Shkëlqim Ganaj, Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të kundërshtonte një urdhër të kryeprokurorit Adriatik LLalla për sekuestrimin e dosjeve të zyrtarëve të lartë. Sipas Prokurorisë, në tre vjet, Ganaj nuk kish bërë asnjë denoncim, madje nuk ka asnjë informacion se çfarë bëhet me pasurinë e zyrtarëve të lartë. Dyshimet ishin ngritur kryesisht në lidhje me pasurinë e deputetëve Rakip Suli, Valentina Leskaj dhe Koço Kokëdhima, i cili humbi dhe mandatin, për shkak të një tenderi të fituar gjatë kohës që ishte deputet. Çështja shkoi në gjykatë, e cila për habinë e të gjithëve shpalli antiligjor një veprim nga i vetmi organ hetimi në Shqipëri. Gjithsesi sot e kësaj dite, Ganaj vazhdon të mbajë të kyçura brenda institucionit të tij deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë dhe Rilindjes, ndërsa numri i denoncimeve vazhdon të jetë zero…

Rasti i Alfred Pezës

Ditët e fundit, media nxorri në pah një dokument i cili tregonte se bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza, që ka marrë mandatin nën siglën e Rilindjes në vitin 2013, i kish lejuar vetes luksin të blinte aksione për 1 milion euro në Shqipëri. Shuma është tepër e lartë, jo vetëm për një qytetar, por edhe për një biznesmen në vendet perëndimore e jo më në Shqipëri. Por zoti Peza nuk ka deklaruar biznese. Madje dhe në deklaratën e tij  të bërë dje në rrjetet sociale rrekej të shpjegonte se, ato ishin kursimet e tij familjare, që ishin depozituar në emër të bashkëshortes. Në fakt, zoti Peza karrierën e tij përpara deputetllëkut e ka si gazetar dhe duhet pohuar se ka qenë ndër gazetarët e mirëpaguar. Por sërish ka gjëra që nuk korrespondojnë në deklaratën e tij. Duke iu referuar shumës së përdorur për të blerë aksionet e Bankës, i bie që zoti Peza në dhjetëvjeçarin e fundit të ketë pasur një rrogë standarte diku tek 10 mijë euro në muaj, por dhe duke e marrë të mirëqenë shifrën e çmendur, po t’i shtojmë shpenzimet familjare blerjen e dy shtëpive, e të tjera si këto, atëherë sërish shifra do ishte shumë më e vogël. Nga ana tjetër   shtrohen pyetjet a ka paguar zoti Peza taksa për këtë shifër, sepse vetëm taksa mbi të ardhurat  deri në 2013 duhet të ishte së paku 1 mijë euro në muaj, më tej siguracionet e kështu të tjerat me radhë. Duke marrë të mirëqenë faktin se, vërtet janë kursime familjare, ILDKP dhe Ganaj do i lindte menjëherë detyrë që ta pyeste deputetin socialist në lidhje me të gjitha këto që thamë më lart?! Pra burimi i tërë kësaj shume të ardhurash?!

Disa pyetje për Shkëlqimin e Vettingut

E megjithatë, Ganaj nuk e ka bërë, dhe jo vetëm për Pezën, i cili në rast të një hetimi të hollësishëm do rezultonte më i varfëri i Rilindjes me këtë shumë. Dhe jo më kot?! Shkëlqim Ganaj në krye të ILDKP-së ishte ndër punët e para që bëri Edi Rama sapo erdhi në pushtet. Për këtë, ai nuk i ngurroi të shkelte dhe ligjin, pasi emërimi i kreut të ILDKP-së ishte kompetencë e Presidentit. Me sa shihej, Ganaj ishte një garanci për të në krye të këtij institucioni. Por jo vetëm kaq?! Shkëlqimi që refuzon hetimin e Prokurorisë, do të jetë dhe ai që do të zbatojë vettingun e famshëm të Rilindjes. Pra ky person, i cili nuk merr guximin të pyesë qoftë dhe një deputet të thjeshtë rilindas, për burimin e një milion eurove, do të hetojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi. Duke mos vënë në dyshim aspak “integritetin” dhe “Korrektësinë” e Shkëlqimit të ILDKP-së, natyrshëm lind e drejta për të bërë së paku disa pyetje. Pse nuk bën një sqarim kreu i këtij institucioni për rastin Peza? Përse duhej të ndalonte hetimin e Prokurorisë për dosjet e zyrtarëve të lartë të Rilindjes? A mund të garantojë ky institucion një vlerësim të drejtë për gjyqtarët dhe prokurorët në rastin e vettingut apo kjo procedurë do të kryhet sipas orekseve të  kokës së karvanit? A është i besueshëm në këtë detyrë të rëndësishme Ganaj, apo është vetëm një militant i rëndomtë i gatshëm të bëhet kamikaz për liderin e tij shpirtëror? Ndoshta përgjigjen do e gjejmë dhe këtë herë në heshtjen e Shkëlqimit të ILDKP-së siç ka bërë tash dy vjet.