Probleme te Chelsi

Probleme te Chelsi, teksa Antonio Konte dhe Diego Kosta dje janë përplasur mes tyre dhe trajneri e ka lënë sulmuesin jashtë listës së të grumbulluarve për ndeshjen me Leisterin. Shpjegimi zyrtar i klubit londinez është “një problem në shpinë”, por në fakt arsyeja e vërtetë ka të bëjë me pakënaqësinë e Kontes me formën fizike të lojtarit. Të dy kanë pasur një përplasje të premten në fushë, pas së cilës tekniku e ka lënë shënuesin më të mirë të Premier Ligës jashtë ekipit që udhëtoi drejt Leisterit për duelin e së shtunës.
Ndërkohë, nuk vonojnë të shfaqen sërish zërat për një transferim të mundshëm në Kinë, ku për braziliano-spanjollin janë gati të ofrojnë plot 35 milionë euro në sezon. Agjentët e 28-vjeçarit kanë udhëtuar drejt vendit aziatik për të vlerësuar ofertat e mundshme.
Ndërkohë, portiere De Gea rinovon me Manchester United. Reali i Madridit duhet t’i thotë lamtumirë David de Geas. Portieri i kombëtares, i cili është objektivi kryesor i Los Blancos në merkaton e verës së ardhshme, ka fare pak shanse që të largohet nga Manchester United. De Gea pëlqehet jashtëzakonisht nga drejtuesit e klubit merengues, të cilët bënë gjithçka për ta afruar në skuadrën e tyre ish-gardianin e Atleticos së Madridit në verën e vitit 2015-të, por nuk ia arritën qëllimit, pasi transferimi dështoi vetëm në momentet e fundit.
Por që nga ajo periudhë kanë kaluar shumë kohë dhe tashmë me marrjen e drejtimit të Djajve të Kuq nga ana e Jose Mourinhos, 26-vjeçari iberik është shumë i lumtur në “Old Trafford”. Duke iu referuar lajmeve që vijnë nga Anglia, De Gea do të rinovojë kontratën aktuale me Manchester United deri më 30 qershor të vitit 2021 dhe nga marrëveshja e re portieri spanjoll do të përfitojë një pagë dukshëm më të lartë prej rreth 200 mijë stërlinash në javë, duke u shndërruar kështu në një prej lojtarëve më të paguar te klubi më i titulluar në Angli. Kontrata, të cilën e rinovoi përpara 15 muajsh me Manchester United, De Geas i skadon në verën e vitit 2019, por lojtari tashmë nuk është më i tunduar nga interesimi i Realit, pasi te Red Devils ka gjithçka që dëshiron. Me kërkesë të trajnerit Jose Mourinho, i cili beson shumë te aftësitë e 26-vjeçarit drejtuesit e United kanë nisur nga puna për të rinovuar zyrtarisht kontratën me De Gean.