Përse europianët e duan euron

Miguel Otero-Iglesias

Monedha e përbashkët euro, e cila u përhap në rrugët e Europës më 1 janar 2002, festoi në fillim të këtij viti 15-vjetorin e saj. Jetëgjatësia e monedhës është një befasi për shumë ekspertë, të cilët kishin parashikuar me kohë dështimin e këtij projekti. Megjithatë, shumica e qytetarëve të eurozonës – si në vendet kreditore të veriut, ashtu edhe në vendet debitore të jugut – duket se parapëlqejnë të ruajnë euron, në vend që t’i rikthehen monedhave të tyre kombëtare që përdornin më parë.
Duke pasur parasysh vështirësitë e mëdha që ka hasur euroja kohët e fundit, është e vështirë të shpjegosh arsyet që shtrihen pas kësaj mbështetjeje popullore masive për monedhën e përbashkët. Përgjigjja standarde është që njerëzit nuk duan ta braktisin euron nga frika e kostos që mund të ketë dhe pasiguritë që do të sillte konvertimi në monedhën kombëtare të mëparshme. Ky shpjegim është mëse i arsyeshëm, por situata nuk është kaq e thjeshtë. Arsyeja e vërtetë që fshihet pas popullaritetit të madh të monedhës së përbashkët, përveç avantazheve materiale që ka sjellë për përdoruesit e saj, është se euro ka krijuar edhe një identitet të përbashkët europian. Europianët nuk e mbështesin euron vetëm për shkak se kanë frikë nga alternativat e tjera, por sepse ky status kuo i ofron atyre avantazhe reale.

Ankthi i ndarjes nga euro
Vëzhguesit jashtë eurozonës kanë pasur prej kohësh një vështrim të errët përsa i përket perspektivave të euros. Pesë vite më parë, në janar të vitit 2012, ekonomisti amerikan Martin Feldstein – i cili argumentoi në vitin 1997 se monedha e përbashkët do të gjeneronte konflikte të mëdha në Europë – shkroi për “Foreign Affairs” se, “euro tashmë duhet të konsiderohet si një eksperiment që ka dështuar”.
Disa muaj më pas, Paul Krugman shkroi se euro do të shkatërrohej brenda pak muajsh. Lista e ekspertëve botërorë, të cilët kanë parashikuar ose kanë paralajmëruar për përçarjen e eurozonës ka ardhur vetëm duke u rritur. Në vitin 2016, Mervyn King, ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, argumentoi se, “largimi nga zona e euros mund të jetë e vetmja mënyrë e një shteti për të hyrë në rrugën e rritjes ekonomike”.
Joseph Stiglitz parashikoi se, “Europa mund të detyrohet së shpejti të braktisë euron për të shpëtuar projektin europian”. Këto vështrime të errëta nuk janë mbajtur vetëm nga ekspertët botërorë të ekonomisë, por janë pohuar shumë shpesh edhe nga ekspertët e politikës së Bashkimit Europian. Kështu, Andrew Moravcsik po ashtu beson se euro e ka ndarë kontinentin dhe ka sjellë vetëm stanjacion ekonomik dhe papunësi të lartë, veçanërisht për pjesën jugore të eurozonës.
Në pamje të parë, këto analiza – së bashku me rritjen e euroskepticizmit në të gjithë kontinentin – duket se sugjerojnë se euro është kthyer tashmë në një projekt tepër të përçmuar. Në fakt, përgjatë gjithë eurozonës, mbështetja publike për monedhën e përbashkët ka qëndruar kokëfortësisht e lartë gjatë dhjetë viteve të fundit, pavarësisht krizës së rëndë ekonomike që pushtoi Europën.
Në vitin 2007, rreth 70 për qind e qytetarëve të eurozonës kishin mendime të favorshme përsa i përket monedhës së përbashkët, sipas sondazhit Eurobarometër. Numri u ul deri në 62 për qind në vitin 2013 pas frikës së parë që gjeneroi dalja e mundshme e Greqisë nga eurozona ose Grexit, por në nëntor në vitit 2016, data më e fundit në të cilën janë mbledhur të dhënat nga sondazhi, përqindja kishte arritur përsëri në 70.
Në Greqi, vendi që përjetoi trazirat më të këqija ekonomike të krizës së eurozonës, mbështetja për euron u rrit nga 47 për qind në vitin 2005 në 7 për qind në vitin 2015, menjëherë pas frikës së përhapur nga Grexit. Në të kundërt, vendet e Bashkimit Europian që ndodhen jashtë eurozonës, mbështetja për euron është ulur në të njëjtën periudhë, nga 56 për qind në 37 për qind – një shenjë e qartë që tregon se qytetarët europianë që ndodhen brenda bashkimit monetar dhe ata që ndodhen jashtë, e perceptojnë euron në mënyrë të ndryshme.
Për të qenë të saktë, një pjesë e mbështetjes për monedhën e përbashkët buron nga frika e pasojave që do të sillte braktisja e saj. Një nga ekspertët e parë që shqyrtoi këtë temë ka qenë ekonomisti amerikan Barry Eichengreen, i cili nënvijëzoi të gjitha problemet me të cilat do të përballeshin shtetet që largoheshin nga eurozona në një tezë të publikuar në vitin 2007. Sipas vlerësimeve të tij, kostoja e largimin nga euro ishte tepër frikësuese.
Vendet debitore si Italia do të përjetonin një zhvlerësim masiv të krediteve të tyre në rast se largoheshin nga bashkimi monetar, duke rritur edhe interesat që ata do të paguanin për borxhin e ri dhe duke e bërë falimentimin shtetëror pothuajse të pashmangshëm. Për t’i përkeqësuar gjërat, në disa raste, zhvlerësimi që do të sillte këmbimi në monedhën kombëtare nuk do të ishte i mjaftueshëm për të stimuluar kërkesën e brendshme apo për të rritur eksportet.
Të gjithë problemet ekonomike do të bashkoheshin me probleme të tjera politike, pasi qeveritë e tjera të Bashkimit Europian do të suleshin kundër shtetit që kërkon të largohet nga eurozona, ndoshta duke e detyruar të dalë edhe jashtë Bashkimit Europian. Braktisja e euros do të kërkonte edhe manovra të kushtueshme ligjore dhe teknike – që nga prezantimi i një monedhe tërësisht të re dhe rivlerësimi i të gjitha kontratave e deri tek imponimi i kontrolleve për largimin e kapitalit. Rezultati do të ishte një krizë ekonomike masive në vendin që kërkon të braktisë euron. Nuk është aspak e çuditshme që shumica e europianëve nuk duan ta braktisin euron.

“Ngjitësi social”
Megjithatë, qytetarët e eurozonës kërkojnë të qëndrojnë brenda bashkimit monetar për shkak se u ofron atyre avantazhe të mëdha. Pavarësisht recesionit, shumë europianë në jug të eurozonës mendojnë se Bashkimi Europian dhe euro ofrojnë stabilitet demokratik dhe sigurinë që institucionet e tyre kombëtare nuk mund t’ua ofrojnë. Në këtë rajon, shumica e qytetarëve fajësojnë problemet e tyre të brendshme si paaftësia e elitës politike, sistemi i dobët i edukimit dhe mungesa e meritokracisë e transparencës zyrtare, për të gjitha vështirësitë ekonomike. Vetë monedha e përbashkët nuk shihet si burim problemesh.
Edhe pse mbështetja popullore për institucionet e Bashkimit Europian ka rënë ndjeshëm si pasojë e krizës së eurozonës, besimi ndaj institucioneve kombëtare në vendet jugore të eurozonës ka rënë edhe më shumë. Për më tepër, vendet si Greqia, Portugalia dhe Spanja, të cilat e kanë më të vonë tranzicionin e tyre në demokraci, janë edhe vendet që vuajnë më shumë nga pabarazia dhe korrupsioni, krahasuar me vendet veriore të eurozonës. Pikërisht për këto arsye, euro konsiderohet si një mjet për ta mbajtur nën kontroll elitën qeverisëse të vendit.
Ndoshta është pikërisht stabiliteti ai që i tërheq më shumë qytetarët e eurozonës së jugut. Përpara hyrjes së euros, shumë qytetarë të vendeve mesdhetare e ruanin pasurinë e tyre në monedha më të qëndrueshme si dollari amerikan apo marka gjermane, mundësisht jashtë vendit, pasi kishin frikë se luhatja e vlerës, mungesa e stabilitetit të monedhave të tyre kombëtare mund të shkurtonin kursimet e tyre. Disa bënë të njëjtën gjë edhe në kulm të krizës së euros në vitet 2011 dhe 2012, kur rreziku i zhvlerësimit të euros ishte më i prekshëm kur Spanja dhe Italia filluan të ndjenin stresin e krizës.
Megjithatë, euro ka qëndruar pak e shumë e stabilizuar pavarësisht krizës, duke hequr një barrë të rëndë presioni mbi europianët që synonin të mbanin më shumë monedhë të huaj. Stabiliteti i euros ka garantuar kursimet e pensionistëve, ndryshe nga ç’mund të bënin monedhat e vjetra kombëtare. Euro ka hequr edhe shqetësimet e biznesmenëve që kanë frikë nga zhvlerësimi i monedhës dhe ka bërë që shtresa e mesme e popullsisë të kenë një monedhë të fuqishme në xhep kur udhëtojnë jashtë shtetit, njëlloj si amerikanët dhe britanikët. Këto janë disa prej arsyeve që shpjegojnë mbështetjen e madhe që ka pasur këto vite bashkimi monetar.
Edhe në eurozonën e veriut, qytetarët i kënaqen shumë stabilitetit që ofron monedha e përbashkët. Eksportuesit nuk kanë më arsye përse të kenë frikë nga konkurrentët italianë dhe francezë që mund të përfitojnë nga zhvlerësimi i lirës dhe frankës. Turistët e shtresës së mesme nga vende si Gjermania nuk i druhen më konvertimit të monedhës së tyre kur udhëtojnë drejt Italisë apo Greqisë.
Kështu, qytetarët në vendet jugore dhe veriore të eurozonës e vlerësojnë stabilitetin e monedhës së përbashkët për arsye të ndryshme. Në të dy zonat, ata e konsiderojnë euron si simbolin më të prekshëm të integrimit europian. Në fakt monedhat nuk janë thjesht një fenomen ekonomik, ato janë edhe një fenomen kulturor dhe ndihmojnë në ndërtimin e identitetit të përbashkët. Duke shërbyer si mjeti i shkëmbimit të miliona qytetarëve europianë, euro u kthyer shumë shpejt në një kod të përbashkët.
Siç e shpjegon dhe sociologu Giovanni Moro, euro është “gjuha e përbashkët” në një bashkim të karakterizuar nga një kakofoni linguistike. Eksperienca e krizës për qytetarët e eurozonës që pas vitit 2009 e ka fuqizuar akoma më shumë këtë lidhje, duke i bashkuar ata kundër sulmeve të perceptuara nga spekulatorët e huaj. Njerëzit që përdorin euron janë qytetarë të Bashkimit Europian në një mënyrë që i diferencon ata nga qytetarët jashtë bllokut. Kjo mund të jetë edhe arsyeja përse individët e jashtëm e kanë disi të vështirë t’i kuptojnë ata që jetojnë brenda eurozonës.
Euro ka qenë një lloj “ngjitësi social” edhe pse shumë europianë nuk janë dakord me menaxhimin që Bashkimi Europian i ka bërë monedhës së përbashkët. Shkencëtari politik, Thomas Risse ka zbuluar se debatet parlamentare dhe organizatat mediatike mbulonin axhenda të ngjashme në të gjitha vendet e eurozonës gjatë krizës së euros – një shenjë që tregon se njerëzit brenda bllokut monetar i përjetonin traumat ekonomike në mënyrë të ngjashme.
Përballja është e pashmangshme në çdo komunitet politik dhe mosmarrëveshjet në lidhje me politikat e euros kanë ndihmuar që të forcohet akoma më shumë lidhja, duke qenë se ndihmojnë në europianizimin e debatit publik. Monedha e përbashkët ka krijuar tensione ndërmjet Jugut dhe Veriut të Europës, të majtës dhe të djathtës politike, por kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe.
Rezistenca që ka shfaqur vlera e euros pavarësisht ekspozimit të saj ndaj një krize të thellë ekzistenciale mund ta ketë forcuar akoma më shumë besimin popullor tek monedha e përbashkët – jo vetëm në eurozonën e jugut, e cila është e mësuar me luhatjet e monedhës, por edhe në atë të veriut, ku njerëzit prej kohësh druheshin se euro do të dobësohej duke dobësuar edhe ekonomitë e tyre. Në një botë të pasigurtë si kjo, monedha e qëndrueshme mund të kthehet në një simbol të fuqishëm të besimit dhe sigurisë sociale. Europianët nuk janë të dashuruar me euron, por pavarësisht sfiduesve populistë dhe Marine le Pen dhe Beppe Grillo, ata nuk dua ta braktisin monedhën e tyre të përbashkët dhe kanë arsye të forta për të mos ta bërë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI