Nuk duan zgjedhje, vritet reforma elektorale

Votimi dhe identifikimi elektronik i votuesve me shenjat e gishtit, shmang votimin me karta falso apo votimin disa herë të të njëjtëve persona, apo mbledhjen/blerjen e kartave të identitetit, që zgjedhësi të mos mundet të votojë. Votimi elektronik bën të mundur që çdokush të votojë, dhe askush të mos votojë në emër të dikujt tjetër. Numërimi elektronik shmang futjen e duarve në kutinë e votave, shmang presionin dhe blerjen që i bëhet votës përmes mjeteve të identifikimit
Partia Socialiste është shprehur kundër praktikës së votimit biometrik dhe numërimit elektronik dje në mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Urdhëri i ardhur nga Kryeministria ka qenë vendosja e vetos kundër votimit elektronik. Në këtë mënyrë, Edi Rama po kërkon shkatërrimin e procesit zgjedhor.
Kundërshtia e partisë më të madhe të mazhorancës qeverisëse edhe pse u justifikua me faktorin kohë, në të vërtetë është bërë thjesht për të mos krijuar kushtet për të arritur edhe këtë radhë zgjedhje të lira dhe të drejta. Vetëm përmes një votimi biometrik dhe numërim elektronik do të evitoheshin manipulimet që kanë ndodhur në të shkuarën. Një lloj votimi i tillë është arma e vetme për të garantuar shqiptarët se vota e tyre nuk do të grabitet sërish. Kjo garanci ka edhe efektin tjetër, pasi kthen besimin e votuesve tek zgjedhjet dhe garanton me siguri një pjesëmarrje më të lartë.
“Na shtrohet përpara një dokument, i cili do të jetë shtylla kurrizore e punës tonë, deklaroi bashkëkryetari demokrat i komisionit z.Bylykbashi. Një gjë duhet të jetë e padiskutueshme, shqetësimet themelore për zgjedhjet duhet të trajtohen me dinjitet. Çështja e zgjedhjeve është primare. Diskutime të llojit se kush është mandati i këtij komisioni, janë justifikime, të cilat bëhen për të shmangur zgjidhjen e çështjeve reale që kanë zgjedhjet”. Sipas Bylykbashit, ky dokument duhet të shikohet në mënyrë të kujdesshme për të përcaktuar se kush janë çështjet që duhet të miratohen pa diskutim! “Këto çështje, sipas tij, janë: numërimi elektronik, identifikimi biometrik në mënyrë integrale që të shmanget marrja e kartave të zgjedhësve, që nuk është blerje vote apo anulim i të drejtës së votës. Korruptimi i komisionerëve. Financimi publik që kemi ngritur është i domosdoshëm. Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale që më pas subjektet blejnë shtetin dhe kthehemi në oligarki”. Gjithashtu një pikë e rëndësishme është edhe reduktimi i shpenzimeve në mënyrë që buxheti i shtetit të financojë partitë në mënyrë të shëndetshme. Shitblerja e votës duhet të kthehet në vepër penale e rëndë. Strukturat e reja për të goditur korrupsionin duhen ta kenë prioritet këtë çështje. Të gjitha çështjet që propozon opozita janë të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-t. Për ndryshe, zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk ka.
Nga ana tjetër në kundërshtim me propozimet e opozitës është PS që përmes bashkëkryetarit të këtij komisioni, Taulant Balla ka hedhur në tryezë faktorin kohë. Një gjë e tillë është thjesht justifikimi për të shkuar drejt falimentimit të një procesi zgjedhor që në kushtet ku ndodhemi është jetik për shqiptarët.

Bylykbashi: Rama ka vrarë reformën zgjedhore

“Me veton e sotme Partia Socialiste praktikisht ka vrarë Reformën Zgjedhore. Votimi elektronik, indentifikimi elektronik i zgjedhësve me shenjën e gishtit dhe numërimi i votave në mënyrë elektronike është thelbi i Reformës Zgjedhore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Oerd Bylykbashi pas mbledhjes së Komisionit.
Votimi elektronik dhe numërimi elektronik largon partiakët dhe militantët nga procesi i numërimit dhe rezultati i zgjedhjeve del menjëherë dhe i pamanipuluar. Votimi dhe identifikimi elektronik i votuesve me shenjat e gishtit, shmang votimin me karta falso apo votimin disa herë të të njëjtëve persona, apo mbledhjen/blerjen e kartave të identitetit, që zgjedhësi të mos mundet të votojë. Votimi elektronik bën të mundur që çdokush të votojë, dhe askush të mos votojë në emër të dikujt tjetër. Numërimi elektronik shmang futjen e duarve në kutinë e votave, shmang presionin dhe blerjen që i bëhet votës përmes mjeteve të identifikimit.
“Ky është thelbi i Reformës Zgjedhore, së bashku me dekriminalizimin dhe financimin e partive”, tha zoti Bylykbashi. Pa votimin elektronik nuk ka Reformë Zgjedhore, ajo kthehet në një farsë, theksoi ai.