Muaj vendimtar

Juventusi aktualisht kryeson bindshëm Serinë A italiane, sepse ka 4 pikë më shumë se Roma e vendit të dytë dhe një ndeshje më tepër për të luajtur, por Massimiliano Alegri kërkon përqendrim, pasi sipas numrit 1 të stolit të skuadrës bardhezi muaji janar është venditmar në garën për titull. Takimin e radhës kampionët e Italisë, të cilët këtë sezon synojnë të fitojnë titullin e 6-të radhazi do ta kenë ndaj Fiorentinës në Artemio Franchi, një ndeshje shumë e vështirë kjo në këndvështrimin e Alegrit.
“Ky është një muaj vërtetë vendimtar për ne përsa i përket çështjes së titullit, sepse do të përballemi fillimisht me Fiorentinën dhe më pas me Lazion, Sassuolon dhe Interin pa harruar që në mes është edhe Kupa e Italisë. Nëse do të kemi një avantazh të mirë ndaj skuadrave ndjekëse në klasfikim edhe pas këtyre sfidave, atëherë mund të them që kemi shanse të mëdha për të fituar kampionatin. Fiorentina është një skuadër e mirë edhe pse këtë sezon ka vuajtur disi në Serinë A, për të fituar ndaj tyre duhet të nxjerrim më të mirën nga vetja, pasi Artemio Franchi është gjithmonë një fushë e vështirë. Duhet të përmirësohemi në fazën mbrojtëse”.
Skema 3-5-2 po kthehet në detyrim për Massimiliano Alegrin gjatë kësaj periudhe. Në vijim të fjalës së tij trajneri livornez i Juventusit i bëri edhe një analizë gjendjes së lojtarëve, ndërsa theksoi se për të është shumë e vështirë të lejë jashtë formacionit një lojtar si Mario Mandzukiç që gjatë kësaj periudhe ka shfaqur një formë të shkëlqyer.
“Skema 3-5-2 më shumë sesa një zgjedhje është e domosdoshme për t’u aplikuar në këtë periudhë, sepse kemi lojtarë të dëmtuar dhe të tjerë lojtarë që kanë nevojë të pushojnë. Barzagli ndërkohë ka luajtur 2 ndeshje radhazi dhe është disi i lodhur, ndërsa Lichtsteiner nuk është i gatshëm për këtë sfidë. Mandzukiç në stol pas rikthimit të Dybalas? Si të gjithë futbollistët e tjerë do të ketë ndeshje që edhe ai nuk do të luajë, por për mua personalisht është shumë e vështirë të lë jashtë 11-shes një lojtar si Mario. Kroati është një futbollist i nivelit ndërkombëtar, fizik dhe teknik, por mbi të gjitha është një profesionist i vërtetë”.
Ndërkohë, Alegri mund të mos ketë në dispozicion për këtë sfidë mbrojtësin për shkak se vuan nga një gjendje gripale. Një mungese që mund të rezultojë e rëndësishme për bardhezinjtë në prag të një sfide kaq delikate dhe shumë të ndjerë nga ana e të dyja tifozerive. Nëse Chiellini nuk arrin që të jetë i gatshëm për ndeshjen me Fiorentinën, ky mund të jetë një problem serioz në mbrojtje për Alegrin që nuk do të ketë të gatshëm as mbrojtësin zviceran, Lichtsteiner. Chiellini në fakt ishte parashikuar ta niste ndeshjen titullar, përkrah Barzaglit dhe Bonuccit.