Lufta e qeverisë me median

Qeveria shpesh herë është përpjekur të shmangë zërat kritikë ndaj saj. Ajo ka ndërmarrë nisma ligjore me qëllim kufizimin e lirisë së shprehjes dhe zyrtarizimin e censurës mbi median, të tilla si:
Nëntor 2015 – Qeveria propozoi një projekt-ligj për kriminalizmin e shpifjes ndaj funksionarëve publikë e të zgjedhurve dhe dënimin e saj me gjobë deri në tre vjet heqje lirie.
Mars 2016 – Ministrja Harito propozoi ndryshime në ligjin e “tregtisë elektronike”, me qëllim ndëshkimin e komenteve online.
Gusht 2016 – Qeveria propozoi dënimin e gazetarëve për “influencë të papërshtatshme” mbi prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, njësi që do të merret me hetimin e dosjeve të korrupsionit.
Tetor 2016 – Projektligji, i propozuar nga deputetja demokrate Majlinda Bregu, propozonte shtimin e një neni në Kodin Civil, i cili i detyronte administratorët e “portaleve elektronike”, të pengonin publikimin e “çdo komenti që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi.”
Sipas propozimit, nëse administratorët i lejonin dhe nuk i fshinin këto komente, ata ishin përgjegjës për shkaktimin e dëmit jopasuror, sipas parashikimeve të Kodit Civil për këtë vepër.
Dhjetor 2016 – Partia Socialiste i propozoi komisionit të Reformës Zgjedhore që të bëjë regjistrimin e të gjitha portaleve online në Bordin e Monitorimit të Medias. Në rast se portalet nuk regjistrohen brenda afateve, qeveria ka të drejtë t’i mbyllë ata gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Përveç nismave qeveritare, kryeministri vazhdimisht i ka sulmuar portalet online, analistët dhe gazetarët kritik. Në monologët e së dielës, ai i ka quajtur ato “politikanë të dështuar që janë plot mllef dhe hakmerren për dështimin e tyre studio më studio, portal më portal, duke u shfaqur me maskën e analistit.”
Por, të gjitha përpjekjet kundra medias së lirë kanë dështuar. Nismat ligjore janë harruar ose tërhequr mbrapsht nga qeveria. Ndërsa sharjet dhe fyerjet e kryeministrit ndaj mediave e analistëve duket se nuk kanë trembur askënd.
Ndaj tani, është gjetur një mënyrë tjetër për të shmangur zërat kritikë: pronarët e mediave befas ndryshojnë vijën editoriale dhe pushojnë nga puna papritur gazetarët dhe drejtuesit e tyre.
Kjo metodë filloi të zbatohej në gusht të vitit 2016 me largimin nga puna të gazetares Alida Tota, e vijoi me bllokimin e transmetimit të emisonit Publicus dhe paditjen e regjisorit të tij nga kompania pronare e Vizion+, duke vazhduar deri më sot me largimin e gazetarëve Armand Shkullaku dhe Alfred Lela nga mediat përkatëse.
Të gjitha veprimet e qeverisë dhe kompanive të biznesit pronare të kanaleve televizive janë cenim i demokracisë së vendit për interesa thellësisht klientelist dhe politikë.