Kë pret zoti Balla?

Redin Hafizi

Si ka mundësi që Balla shprehet se kjo nuk na përket ne, kur voton populli shqiptar, për një parlament shqiptar, që do të votojë një qeverisje shqiptare? Në vendin tonë njohuritë ekzistojnë, thjesht mungon dëshira për të investuar në një infrastukturë zgjedhore që nuk do të lërë shteg për manipulim nga ana e mazhorancës dhe për pikëpyetje të procesit nga ana e opozitës dhe institucioneve ndërkombëtare. Në të kaluarën janë vërtetuar fenomene të tilla se mazhoranca, duke patur në grusht të hekurt Ministrinë e Rendit dhe bashkitë në një pjesë të mirë të vendit, ka dyshime për lojën me karta identiteti. Në zgjedhjet e shkuara ka patur akuza nga opozita dhe vëzhgues ndërkombëtarë se janë identifikuar persona me më shumë se një kartë identiteti me emra të ndryshëm. Kanë qenë këto fenomene që kanë ndikuar ndjeshëm në zgjedhjet e kaluara dhe që gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, z.Oerd Bylykbashi i ka sjellë si shqetësim, por duke propozuar edhe zgjidhjen më optimale, pra votimin biometrik dhe numërim elektronik.
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Zgjedhore tha se, komisioni duhet të përqendrohet tek çështjet kryesore, siç është votimi dhe numërimi elektronik, financimi i partive nga buxheti i shtetit, etj. Ndërkohë që në parim, socialisti Balla tha se nuk ishte kundër numërimit dhe votimit elektronik dhe se këtë e kishte kërkuar pesë vite më parë, por ai tha gjithashtu se duhet një studim fizibiliteti për këtë. Nuk kuptohet nëse zoti Balla e ka të qartë se çfarë do të thotë një studim fizibiliteti, por në Shqipëri, sidomos pas daljes së pasaportave biometrike, mbetet vetëm të porositen aparaturat për të vendosur gishtin tregues që do të vërtetojë identitetin e votuesit. Termi studim fizibiliteti përdoret thjesht për të kundërshuar me takt procesin e drejtë zgjedhor. Ky komision nuk ka nevojë të bjerë dakort për një studim të tillë, pasi hapat janë kaluar dhe mbetet thjesht tek miratimi i votimit biometrik dhe numërimit elektronik e menjëherë të nisë veprimi.
Hapat për një studim fizibiliteti nisin me përshkrimin e projektit që në rastin tonë është përgatitja e procesit zgjedhor një vullnet i përgjithshëm. Hapi i dytë është përcaktimi i qëllimit që edhe në këtë rast dihet, që është zhvillimi i një procesi zgjedhor të drejtë dhe demokratik, duke shmangur në maksimum manipulimet, një imperativ që historia e kaluar e demokracisë Shqiptare ka vënë përpara. Pra këto dy hapa janë tejkaluar dhe është humbje kohe të shtrohen në tryezë. Pra pritet veprimi duke votuar kërkesat e opozitës në komision sa më parë e të nisë puna për hapat që do të bëjnë të mundur realizimin që do të japi më shumë kohë në dispozicion si hap i tretë që varet shumë nga hapi i katërt, planifikimi i buxhetit, i cili po të kryhet me transparencë të plotë dhe nëse qeveria heq dorë nga shpenzimet e luksit për kryeministrin dhe oborrin e tij nuk është vështirë të realizohet. Nëse kërkon nga ekspertë ndërkombëtarë një studim i tillë nuk merr më shumë se tre javë, nëse do të shkohej në të katër hapat, por në Shqipëri thjesht mbetet çlirimi i fondit dhe hapja e tenderit për aparatet biometrike që do të shpërndahen në çdo qendër votimi, pra jemi në pikën e realizimit pas miratimit të mundshëm dhe të domosdoshëm të votimit biometrik. Pra, termi fizibilitet nuk është një term jashtëtokësorësh, por nëse ekziston vullneti i mirë i mazhorancës që në komision përfaqësohet nga zoti Balla, atëherë nuk ka asnjë pengesë që në qershor Shqipëria të ketë një infrastukturë moderne që do të bëjë të mundur votimin biometrik dhe numërimin elektronik, duke mënjanuar manipulimet.
Dakort me propozimin e zotit Bylykbashi kanë qenë edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi si dhe kreu republikan Fatmir Mediu. Megjithatë zoti Idrizi shprehu shqetësimin për kohën e shkurtër në dispozicion deri më 18 qershor, ndërsa shtoi se prej 1 viti palët ishin sorollatur për çështje që të gjithë janë dakord. Në fakt siç e thamë më lart koha nuk është problem, vetëm vullneti është problem dhe është edhe në nderin e mazhorancës që të pranojë kërkesat e opozitës, pasi gjithë kombet vërtet të pavarur po i kthejnë sytë gjithnjë e më tepër tek sistemi biometrik i votimit për të ndihmuar dhe mbështetur zgjedhje të drejta dhe të besueshme larg manipulimit dhe praktikave të jashtëligjshme që sigurojnë dhe mbrojnë parimet demokratike. Kthimi i integritetit në procesin zgjedhor është guri i themelit për një demokraci moderne, e cila promovon besim dhe ndershmëri për qeveritë e zgjedhura si dhe konfidencë për liderët e zgjedhur.
Nga praktika ndërkombëtare si rezultat i aplikimit të votimit biometrik në vende si Kenia dhe Ghana, kemi parë se qeveritë janë të interesuara që të realizojnë një regjistrim të shpejtë, ekzakt dhe të besueshëm të votuesve në qendrat e votimit nën çdo kondicion që ndihmon për të ruajtur integritetin dhe besueshmërinë e procesit elektoral dhe minimizon mosbesimin dhe parregullsitë.
Imagjinoni gjithë këto vlera të arritura vetëm nga procesi i votimit biometrik dhe numërimi elektronik në këto dy vende të zhvilluara të kontinentit afrikan, ndërkohë që Shqipëria synon të marrë ftesën për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe ka një mazhorancë që kundërshton këto dy elementë kyç që garantojnë integritetin e zgjedhjeve.