Gjermania nën shënjestër

Një vit më parë, Lisa F., një vajzë 13-vjeçare gjermano-ruse, u zhduk për 30 orë. Kur u kthye tek prindërit e saj, ajo pretendonte se ishte rrëmbyer dhe përdhunuar nga një burrë arab. Kjo ishte një gënjeshtër dhe vajza e pranoi këtë më vonë. Ajo ishte larguar vetë nga shtëpia dhe e kishte shpikur të gjithë historinë. Por kjo nuk e ndaloi episodin që të kthehej në epiqendrën e fushatës së keqinformimit rus që ka për qëllim të destabilizojë institucionet gjermane dhe kancelaren Angela Merkel.
Mediat shtetërore ruse dhe faqet pro ruse në Gjermani u mbushën menjëherë me raportime të ndryshme. Merkel ndodhej nën presionin e politikës së saj për krizën e refugjatëve. Grupet gjermane të së djathtës ekstreme dhe përfaqësuesit e komunitetit të etnisë ruse në Gjermani mbajtën demonstrata. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e përshkroi Lisën (një vazjë me shtetësi ruse dhe gjermane) si “vajzën tonë” dhe akuzoi autoritetet gjermane se po e mbulonin incidentin për të mos nxitur një konflikt politik. U krijua një incident diplomatik me ministrin e Jashtëm gjerman që akuzoi Rusinë për “propagandë politike”. Zyrtarët e Berlinit u përpoqën të frenonin fushatën ruse, por Moska nuk rreshte së ndërhyri në politikën gjermane.
Le të rikthehemi në vitin 2017. Çështja e dosjes Trump-Rusi e ka vendosur Vladimir Putinin dhe strukturën e tij të pushtetit në qendër të politikës amerikane. Për europianët, ngrihet pyetja: çfarë mund të sjellë kjo për kontinentin e vjetër teksa i ofrohet zgjedhjeve të rëndësishme? Këtë vit do të mbahen votime në Francë, Holandë dhe Gjermani. Duke pasur parasysh sa i rëndësishëm u bë incidenti i vajzës së vogël Lisa, nuk duhet të injorohen situatat që mund të krijohen më pas. Tani që aktivitetet e fshehta ruse po diskutohen aq shumë në Shtetet e Bashkuara, ka ardhur koha që Europa ta kthejë vëmendjen në atë që mund të ndodhë në kontinent në këtë vit zgjedhor dhe si duhet të përgatitet për t’u përballur.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të inteligjencës amerikane në raportin e aktivitetit kibernetik të Rusisë që mbarte një paralajmërim të qartë për Europën. “Në vlerësojmë se Moska do të aplikojë leksionet e mësuara nga fushata e urdhëruar nga Putini në Shtetet e Bashkuara për të influencuar vende të ndryshme të botës, veçanërisht aleatët amerikanë dhe proceset e tyre zgjedhore”, shkruhet në raport. Sulmet kibernetike ruse dhe keqinformimi ka ndodhur edhe më parë në Europë.
Të gjithë e dinë se Putini është duke e shijuar këtë kohë dhe faktin që po publicizohet kaq shumë nga shërbimet sekrete si një rrezik i madh për vendin. Kremlini ka zgjedhur një mohim të thatë si kundërpërgjigje. Disa diplomatë perëndimorë dhe vëzhgues të Moskës thonë se Putinit nuk i pëlqen aspak të akuzohet në arenën ndërkombëtare.
Të tjerë thonë se Rusia mund të manipulojë politikën perëndimore për të ndihmuar situatën e saj të vend. Janë ngritur pyetje përse administrata Obama priti aq gjatë përpara se të dekaronte publikisht përgjegjësinë e Rusisë për aktivitetin e hakerave në vend. A vendosi Obama qëllimisht ta lërë Putinin të qetë për një periudhë kohe të caktuar? Apo kanë qenë llogari të bëra gabim?
Duhet mbajtur mend se disa muaj më parë, zyrtarët e lartë gjermanë e kishin emërtuar Rusinë si fajtore në operacione të tjera të ngjashme. Më 13 maj kreu i inteligjencës gjermane, Hans-Georg Maassen, mori hapin e pazakontë duke akuzuar publikisht shërbimet sekrete ruse për spiunazh kibernetik dhe aktivitete sabotuese, duke shtuar se Rusia ishte kthyer në një “kërcënim permanent” për vendin. Në bazë të kësaj deklarate qëndronte fakti se, agjencia e inteligjencës gjermane kishte verifikuar rolin e Rusisë në hakimin e Bundestagut, dhoma e ulët e Parlamentit gjerman.
Megjithë zhurmën që po rrethon aktivitetin kibernetik në Shtetet e Bashkuara, Gjermania ishte vendi parë i madh perëndimor, institucionet politike të së cilës u vunë nën shënjestrën e sulmeve kibernetike ruse. U desh pak kohë që kjo të deklarohej publikisht, por ishte një pikë kthese. Në fund të vitit 2016, zyrtarët gjermanë, përfshirë edhe vetë Merkel, e kishin emëruar Rusinë si kërcënim ndaj proceseve demokratike të vendit. Më 8 nëntor ajo komentoi se trajtimi i këtij rreziku ishte kthyer në një detyrë të përditshme qeveritare.
Duke pasur parasysh këtë, ekziston një paralelizëm me situatën në Shtetet e Bashkuara dhe atë që po shqetëson Gjermaninë kohët e fundit. Vendi është quajtur si model standardi për Perëndimin kohët e fundit. Gjermania pritet të jetë epiqendra e përpjekjeve për të sabotuar aktivitetet e Rusisë që kërkojnë të përhapin hutim, sulme kibernetike, shfrytëzim të të dhënave, lajme të rreme dhe shantazhe. Gjermania është shteti më i pushtetshëm i Europës dhe Rusia synon të krijojë një sferë influence në kontinent.
Angela Merkel këtë vit kërkon të fitojë mandatin e saj të katërt dhe pritet të kthehet në shënjestrën e aktiviteteve ruse. Merkel e di mirë që Putini do të përpiqet të shtojë shanset e kundërshtarëve të saj për të fituar. Ndërkohë, zyrtarët gjermanë janë në pritje të incidenteve të tjera si ai i Lisës apo sulmet kibernetike kundër Bundestangut. Moska pritet ta ndjekë me kujdes procesin zgjedhor në Gjermani dhe do të përpiqet të influencojë sa të mundet.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI