Eksperti që do shërojë tregtinë amerikane

Emërimi i një tjetër figure të rëndësishme në ekipin ekonomik të presidentit të zgjedhur Donald Trump duket se po pritet me një reagim të pazakontë nga të dy anët e qeverisjes në Washington: me një lloj lehtësimi dhe ndjenjë optimizmi.
Robert Lighthizer, një ish-zyrtar i lartë i administratës së Ronald Reganit është zgjedhur nga Trump për të qenë përfaqësuesi i tregtisë së Shteteve të Bashkuara dhe do t’i bashkohet një grupi me skeptikë të tregtisë së lirë. Wilbur Ross, një sulmues i korporatave të Wall Street-it do të bëjë koordinimin si sekretar i Tregtisë, ndërsa Peter Navarro, ekonomisti kundërshtues ndaj Kinës, do të drejtojë Këshillin e Tregtisë Kombëtare.
Të tre së bashku, njëlloj si presidenti Trump, do të sfidojnë regjimin e tregtisë së lirë që ka transformuar ekonominë globale gjatëve dekadave të fundit, veçanërisht atë që e konsiderojnë sistemin e lojës së pandershme të Kinës që po dëmton ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
Por Lighthizer, i cili do të jetë në krye të negociatave më të ndërlikuara me partenerët e tregtisë së Shteteve të Bashkuara, duket se po vihet re më shumë se dy zgjedhjet e tjera të presidentit të ri. Ai ka ofruar një diagnozë me më shumë nuanca për faktorët që janë duke frenuar ekonominë amerikane dhe ndër vitet e tij të karrierës ka krijuar reputacionin e diplomatit që përpiqet t’i riparojë gjërat e prishura pa nisur një luftë tregtare me partnerët. Nëse ka një person që të mund të realizojë vërtet premtimet e Trumpit për të rikthyer vendet e punës për amerikanët dhe për të zmbrapsur vendet që shkellin rregullat e tregtisë, thonë ish-kolegët e tij, ky është pikërisht Lighthizer.
“Mendoj se është vërtet një zgjedhje e mirë. Lighthizer do të nisë detyrën e tij dhe do t’i japë Trumpit politika tregtare realiste dhe brenda legjislacionit amerikan dhe atij ndërkombëtar”, thotë William Krist, një ish-negociator i tregtisë në administratën e Jimmy Carter dhe Reganit.
Donald Trump, ndryshe nga qëndrimi prej disa dekadash i republikanëve, u pozicionua gjatë fushatës kundër tregtisë së lirë, duke kundërshtuar ashpër marrëveshjet e mëdha tregtare si NAFTA dhe Marrëveshja e Partneritetit Trans Paqësor, madje kërcënoi se do të impononte tarifa të egra ndaj importeve të Kinës dhe Meksikës. Duke zgjedhur figura si Navarro dhe Ross për të drejtuar ekipin e tij të tregtisë, Trump bëri të qartë se qëndrimi i tij kundër tregtisë së lirë dhe synimi për të risjellë vendet e punës në Shtetet e Bashkuara, nuk ishin vetëm premtime elektorale.
Navarro fajëson konkurrencën e pandershme kineze për faktin se 25 milionë amerikanë nuk kanë mundësi të gjejnë një punë me pagë të pranueshme. Ross e ka kaluar karrierën e tij duke imponuar tarifa të egra kundër çelikut kinez për të bërë më konkurruese uzinat dhe fabrikat amerikane.
Në këtë kuadër, edhe Lighthizer i përshtatet më së miri grupit të ekspertëve të tregtisë të zgjedhur nga Trump. Për vite e vite me radhë ai i ka kritikuar ashpër republikanët – si ish-kandidati për president, senatori John McCain – për mbështetjen që i kanë ofruar marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Si një hamiltonian i vetëshpallur, Lighthizer ëndërron ende ditët e ndriçuara të Republikës amerikane, atëherë kur tarifat e larta mbi importin ndihmonin në mbrojtjen e industrive të reja amerikane nga konkurrenca e lirë e vendeve të huaja.
Megjithatë, ndryshe nga Navarro dhe Ross, Lighthizer ofron një kritikë me më shumë nuanca për sa i përket vështirësive që ka krijuar tregtia ndërkombëtare dhe veçanërisht kundër asaj që e konsideron si sjellje e keqe e Kinës që kur iu bashkua Organizatës Botërore të Tregtisë në vitin 2001. Ndryshe nga ekonomisti rebel Navarro, Lighthizer është përpjekur edhe më parë ta riparojë këtë deficencë brenda qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Gjatë viteve 1980 ai ka qenë anëtar i zyrës së përfaqësuesve të tregtisë (USTR) gjatë një tjetër periudhe të nxehtë të konkurrencës tregtare të Shteteve të Bashkuara me fuqinë aziatike në ngritje, Japoninë. Lighthizer ka kaluar plot tri dekada duke mbrojtur fuqimisht kompanitë amerikane nga konkurrenca e pandershme e huaj në grupet e lobimit të Ëashingtonit, si dhe në firmat e fuqishme ligjore si Skadden, Arps, Slate, Meagher & Flom.
Kolegët e tij të mëparshëm thonë se ai gëzon njohuri të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për tregtinë dhe mënyrën si funksionon ajo dhe kjo veçori e tij ka për ta dalluar nga emërimet e tjera të ekipit ekonomik të presidentit të zgjedhur Trump. “Gjatë bashkëpunimeve tona kam vënë re që është një negociator i shkëlqyer. Ai do të jetë një ekspert i vërtetë sepse e njeh në mënyrë të detajuar legjislacionin tregtar”, thotë Krist, i cili ka punuar me Lighthizer në zyrën e përfaqësuesve të tregtisë.
Gjatë viteve 1980, si zëvendëspërfaqësues i tregtisë i fokusuar mbi çështjet e industrisë, agrikulturës, investimeve dhe politikës së tregtisë, Lighthizer arriti të bindte Japoninë, Korenë e Jugut, Meksikën dhe Mbretërinë e Bashkuara që të pranonin “marrëveshje vullnetare kufizimi” që do të kufizonin sasinë e çelikut të lirë që ata mund të injektonin brenda tregut të Shteteve të Bashkuara, e cila ishte duke shkatërruar aktivitetin e prodhimit të çelikut më të shtrenjtë të kompanive amerikane.
Teksa punonte për firmën ligjore Skadden, Lighthizer ishte përfaqësuesi ligjor kryesor i shumë çështjeve dhe padive të konkurrencës së pandershme. Një çështje e rëndësishme e vitit 2015, e drejtuar prej tij, arriti në konkluzionin se çeliku i shitur nën kosto nga Brazili, Kina, India, Japonia, Korea, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar ishte duke dëmtuar prodhuesit amerikanë.
Kur bëhet fjalë për Kinën, Lighthizer ka të njëjtën kundërshti të shfaqur hapur nga Donald Trump dhe Navarro, por në një mënyrë disi më të moderuar. Ai fajëson Pekinin për humbjen e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara në industrinë e prodhimit dhe prej kohësh ka kritikuar ashpër qasjen, siç e quan ai, “merkantiliste” të Pekinit ndaj biznesit dhe tregtisë, e karakterizuar me rol të jashtëzakonshëm të kompanive shtetërore, subvencionet qeveritare, vlerën e ulët artificiale të monedhës që rrit eksportet dhe shkel në mënyrë të vazhdueshme e të përsëritur rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Kina, për shembull, nuk e ka hapur tregun e saj ndaj konkurrencës ndërkombëtare në mënyrën që kishte premtuar se do të bënte kur u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë. Deficiti tregtar bilateral është rritur vetëm atëherë kur Washingtoni dhe Pekini filluan të normalizonin marrëdhëniet e tyre të tregtisë. Lighthizer është shfaqur tepër kritik edhe ndaj aftësisë së Amerikës për të luftuar kundër shkeljes sistematike të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë nga ana e Pekinit.
Për të luftuar kundër këtyre hileve dhe dredhive kineze, Lighthizer nuk ka sugjeruar imponimin e tarifave që kanë promovuar Trump dhe Navarro dhe që kanë ndezur alarmin në Pekin. Në të kundërt, ai propozon një aksion të egër nga ana e përfaqësuesve tregtarë të Shteteve të Bashkuara për luftuar një sërë abuzimesh që kinezët kanë kryer brenda strukturës së Organizatës Botërore të Tregtisë. Vjedhja e pronësisë intelektuale nga firmat kineze, subvencionet industriale dhe tarifat e importit gjysmë të ligjshme të kamufluara si taksa të shitjes, janë disa prej abuzimeve që Lighthizer thotë se mund të adresohen në mënyrë më agresive përmes betejave ligjore nga zyrtarët amerikanë të tregtisë.
“Ai ka një eksperiencë të dobishme në identifikimin e manovrave ekonomike që kryhen përmes konkurrencës së pandershme dhe manipulimit të monedhës”, thotë Jared Bernstein, një ish-këshilltar i zëvendëspresidentit Joe Biden, i cili tashmë punon në Qendrën e Buxhetit dhe Prioriteteve të Politikës. “Unë besoj se Lighthizer ka gjithçka që nevojitet për të vënë në shënjestër praktikat e pandershme të tregtisë në mënyrë të matur dhe të drejtë”, thotë ai.
Lighthizer mund ta ndihmojë administratën e Trumpit edhe duke promovuar politikat e tij të tregtisë në Kongres, diçka që për presidentin e mëparshëm Barack Obama ka rezultuar tepër e vështirë, ndonjëherë e pamundur. Charles Blum, një ish-asistent përfaqësues i tregtisë, i cili ka punuar me Lighthizer gjatë viteve të administratës së Reganit, thotë se Lighthizer mund të bëjë një punë më të mirë për të bindur edhe audiencën më skeptike për marrëveshjet tregtare që promovon. “Diplomacia publike e qeverisë, veçanërisht brenda USTR-së, kohët e fundit ka qenë për të ardhur keq”, thotë Blum. “Nuk kemi arritur të shesin asnjë marrëveshje tregtare tek individët që e kundërshtonin atë”.
Republikanët në Kongres nuk kanë shprehur asnjë reagim që kur emërimi i Lighthizer u shpall më 3 janar. Senatori Orrin Hatch i Utahut, kreu i Komitetit Financiar të Senatit dhe mbështetës i marrëveshjes së TPP-së, thotë se pret një diskutim aktiv dhe të gjallë kur Lighthizer të shfaqet përballë panelit.
Ndërkohë, disa demokratë që ndajnë të njëjtat shqetësime me Trumpin për sa i përket rreziqeve të tregtisë së lirë duken të kënaqur me emërimin e Lighthizer. Senatori Sherrod Brown tha se Lighthizer ishte i aftë për të çuar deri në fund politikat e Trumpit, përfshirë këtu edhe braktisjen e Marrëveshjes së Partneritetit Trans Paqësor, rinegocimin e NAFTA-s dhe rivendosjen e marrëdhënies tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Edhe senatorja Elizabeth Warren, ndoshta zëri më kritik kundër politikave ekonomike të Trumpit ndërmjet demokratëve duket se është e gatshme t’i japë Lighthizer një mundësi. “Na duhet ta riorientojmë dramatikisht politikën tonë të tregtisë në mënyrë që të ndihmojë familjet punëtore, jo korporatat gjigante. Unë kam në plan ta pyes Lighthizer nëse ka të njëjtin vizion dhe nëse ka ndërmend ta realizojë atë”.
Lufta e Lighthizer kundër shkeljeve të tregtisë nuk shkon gjithmonë ashtu siç do ai. Ai ka negociuar edhe marrëveshje për të kufizuar tregtinë e çelikut, por më pas u rrëzuan nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Megjithatë, ai beson se kombinimi i negociatave me një përdorim më agresiv të zgjidhjeve ekzistuese ligjore, mund të përdoret për të frenuar abuzimet kineze në treg, më shumë seç kanë bërë dy administratat e mëparshme amerikane.
Teksa ekipi ekonomik i Trump dhe politikat e tij të tregtisë fillojnë të marrin formë, edhe demokratët duket se po kënaqen me eksperiencën që do të sjellë në qeverisje Lighthizer, për të shëruar ato që ai i konsideron si sëmundje që i kanë rënë tregtisë amerikane. Ai ka përvojën e duhur në këtë fushë dhe ka shfaqur të njëjtat shqetësime që kanë edhe për sa i përket këtyre çështjeve”, thotë Bernstein. “Nuk jam optimist, por shpresoj të bëhem me kalimin e kohës”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI