Berisha dhe Strakosha një “minierë ari”

U përfol disa javë për dualitetin me Marketin për një vend titullari te Lacio dhe u vendos që Berisha të ishte “i tepërti” që duhej larguar. Në fillim të sezonit, pasi italianit iu rinovua kontrata deri më 2018-ën, një aktivizim i Strakoshës përballë Milanit bëri që shqiptari tjetër të dilte në pah.
Te Lacio u rihap edhe një herë debati për portierin e parë titullar, pasi shqiptari 21-vjeçar ishte tregues më pozitiv sesa edhe veterani italian. Tashmë, për Lacion rihapet debati për Berishën: Jo për ta rikthyer, por për ta shfrytëzuar si një lojtar që vlen miliona.
Mediat pranë bardhekaltërve bëjnë me dije se presidenti Klaudio Lotito është i gatshëm që të “sakrifikojë” edhe një herë tjetër Berishën. Nëse në merkaton e qershorit u konsiderua i pavlefshëm, aktualisht shqiptari do të vlerësohet me disa milionë euro. Me paraqitjet që ai ka bërë me Atalantën, ka bindur drejtuesit e saj për ta blerë përfundimisht kartonin e tij.
Nga ana tjetër, Lacio ka hedhur grepat në këtë skuadër për të marrë lojtarë dhe në këtë mënyrë Berisha mund të shërbejë si çelësi i bisedimeve në merkato. Në një kohë që shqiptari mund të shërbejë që Lacio të arrijë objektivat në merkato, del në pah edhe një herë këmbëngulja e Tares për ta pasur shqiptarin në ekip, kur shkëlqente te Kalmari.
“E ardhmja e portës së Lacios ka një emër dhe një mbiemër: Thomas Strakosha”, kështu nis shkrimi në portalet informative të lajmeve pranë skuadrës bardhekaltër. Drejtuesit e klubit italian janë të bindur për të ardhmen e skuadrës që katërkëndëshi t’i besohet portierit shqiptar me të cilin po nxitojnë që të rinovojnë kontratën e bashkëpunimit, e cila përfundon në fund të vitit 2017. Edhe një herë tjetër, duket se Tare ka të drejtë me zgjedhjet e tij. Si një herë, edhe sot e nesër shqiptarët te Lacio konsiderohen një “minierë ari”.
Ndërkohë, Mërgim Mavraj është ndër lojtarët më të votuar në sondazhin e hapur nga Bundesliga gjermane për të përzgjedhur qendërmbrojtësin më të mirë të fazës së parë. Mbrojtësi “Kuqezi” me 20 për qind të preferencave, po aq sa Hummels, renditet menjëherë pas Sokratis të Borussia Dortmund. “Pas paraqitjes së mirë në Kampionatin Europian, Mërgim Mavraj shkëlqen me fanellën e 1. FC Koln. Ai nuk ka humbur asnjë minutë në Bundesligë deri më tani dhe vetëm gjashtë lojtarë të tjerë në total kanë bërë të njëjtën gjë”, thuhet në përshkrimin për mbrojtësin kuqezi.