Shkodër, ish-të përmbyturit ultimatum qeverisë: Lekët për 15 ditë, ose grevë

Pas protestave të vazhdueshme dhe në mungesë të një përgjigjeje nga ana e qeverisë, banorët e prekur nga përmbytjet kërcënojnë me grevë urie. Të parët që reaguan ishin ata në lagjen “Livadhe”, të cilët vite më parë u përballën me vërshimin e ujërave që la pas dëme të shumta në banesat e tyre.
Banorët thonë se as nga qeveria dhe as nga pushteti vendor nuk kanë marrë një përgjigje për kërkesat e tyre, ndërsa nga ana tjetër sqarojnë se, komisionet asokohe ju bënë vlerësim të dëmeve. “Çdo banesë që është vlerësuar deri në 5-6 milionë. Duhet të më dëmshpërblejë shteti ose vetëflijohem”, shprehet një banor.
Banorët kanë paralajmëruar se do të bllokojnë të gjitha rrugët, nëse nuk dëmshpërblehen nga qeveria. “Do të bllokojmë të gjitha rrugët nëse nuk dëmshpërblehemi. Ne kërkojmë dëmshpërblim, nëse nuk dëmshpërblehemi do të hyjmë në grevë urie”, u shpreh një banor tjetër. Afati i lënë në dispozicion të shtetit është 15 ditë dhe më pas ata pritet të nisin grevën e urisë nëse përgjigjia për dëmshpërblimin e përmbytjeve do të vijojë të mungojë.
Përmbytjet e 2010-2011 shkaktuan dëme të shumta në Qarkun Shkodër, ku vërshimi i ujërave preku edhe qytetin në lagjet periferike. Banorët që iu përmbytën tokat dhe shtëpitë në Shkodër kanë protestuar disa herë duke kërkuar dhënien e dëmshpërblimeve për dëmet që atyre u janë shkaktuar nga përmbytjet ndër vite. Vitin e kaluar ata kanë bllokuar aksin Shkodër¬-Lezhë, duke paralajmëruar gjithashtu se nuk do të shlyejnë detyrimet ndaj OSHEE-së nëse nuk do të dëmshpërblehen. Gjatë vitit të kaluar banorët zhvilluan disa protesta radhazi, por asnjë përgjigje nuk morën nga qeveria për paratë që u takojnë mbi dëmet në banesa e biznese.