Milani në çerekfinalen e Kupës, sfidon Juventusin

Milan siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë, pasi mundi 2-1 Torinon në “San Siro”. Kuqezinjve i mjaftuan vetëm 3 minuta për të marrë kualifikimin falë fitores së 3-të radhazi ndaj skuadrës “Granata”, që çerekfinaleve iu afrua në 60 minuta. Goli i Belottit në të 27-tën erdhi pas një aksioni personal të këtij të fundit.
Milani, që përgjithësisht e dominoi ndeshjen ndryshoi ritmin në pjesën e dytë dhe nga 61-të deri në të 64-trën shënoi dy herë duke ndryshuar tërësisht fatin e ndeshjes, i pari që dërgoi topin në rrjetë ishte Kucka.
Ndërsa 3 minuta më pas Bonaventura vuri në shinat e duhura kualifikimin e të tijve me golin e 2-1. Milani mund t’i kishte luajtur në qetësi çastet e fundit, por Lapadula në të 94-trën gaboi një gol të sigurtë. Pas 7 minutash shtesë, ishte Milani që mori kualifikimin dhe në raundin tjetër do të gjejë përballë Juventusin, në një klasike të vërtetë të futbollit italian.