Llullaku: Te Astana dua numrin e kombëtares

Sulmuesi kuqezi Azdren Llullaku rrëfen emocionet e ditës së parë dhe pritjen tek ekipi i ri. “Kazakistani është një vend shumë i mirë dhe më është bërë një pritje e ngrohtë nga të gjithë, pavarësisht kushteve të motit (qesh)”, tregon Llullaku. Më tej, shqiptari bën me dije edhe arsyen kryesore që e ka bërë atë të transferohet në këtë skuadër.
“Është një ekip shumë i mirë dhe në vitet e fundit ka qenë rregullisht pjesë e Europa Ligë dhe e Champions Ligës. Kjo është një prej arsyeve kryesore që më bënë ta zgjidhja”, shprehet futbollisti kuqezi.
Llullaku do të përfitojë një pagë disa herë më të lartë se ajo që kishte te Gaz Metan në Rumani dhe pritet të jetë rreth 500 mijë euro në sezon. “Unë dua që të vazhdoj me formën e mirë që kisha në Rumani dhe shpresoj që të ndihmoj sa më shumë ekipin tim në objektivat që ka”, ka deklaruar sulmuesi.
Ndërkohë në një intervistë për faqen zyrtare të klubit në internet, Llullaku ka zbuluar numrin që ka dëshirë të mbajë në fanellë, si dhe ka treguar për tifozët kazakë se pse i feston golat, duke bërë me duar shenjën e shqiponjës.
“Nëqoftëse është numër i lirë, atëherë do të zgjedh të mbaj numrin 11, pasi është i njëjti që kam edhe te kombëtarja shqiptare. Festoj shpesh me shqiponjë, pasi ai është simboli i shqiptarëve”, u shpreh ai.