Koncesione të reja me hekurudhat

Qeveria shqiptare po synon që të liberalizojë transportin hekurudhor, për t’i dhënë mundësi tregut që të dalë nga gjendja tejet e amortizuar në të cilën ndodhet.
Në dhjetor të vitit të kaluar u bë i mundur miratimi nga Komisioni Europian i grantit me vlerë 36 milionë euro, pjesë e projektit me vlerë 90 mln euro për modernizimin e hekurudhës Tiranë–Durrës–Rinas. Por, ky investim dhe në tërësi gjallërimi i sektorit do të duhet të mbështetet edhe nga një legjislacion i ri. Për herë të parë hekurudha shqiptare do të mund të funksionojë në bazë të një Kodi, i cili ndër të tjera do t’i hapë rrugën një tregu me më shumë operatorë.
E kjo do të kërkojë ngritjen e një autoriteti rregullues (Autoriteti Licencues Hekurudhor), i cili do të bëjë të mundur licencimin e operatorëve privatë që do të duan të përfshihen në këtë treg. Por, zotërimi i licencës nuk do të mjaftojë për të pasur akses në infrastrukturën hekurudhore, si për operatorët privatë vendas ashtu edhe dhe të huaj. Për shfrytëzimin e linjave hekurudhore do të përcaktohen edhe aktet nënligjore. Këto kompani mund të bëjnë të mundur sjelljen e trenave të standardeve të larta dhe të bëjnë menaxhimin e transportit të udhëtarëve për segmente të ndryshme kundrejt tarifave të ndryshme.
Nga ana tjetër mund të shihet mundësia që të jepet me Partneritet Publik Privat menaxhimi i disa segmenteve, ndërsa për ato që janë dhënë me koncesion do të shihen modalitetet e reja.
Kodi parashikon edhe parimet e përgjithshme të shfrytëzimit efektiv të kapaciteteve të infrastrukturës me vendosjen e çmimeve për shfrytëzim (përdorim). Do të jetë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ajo që do të përcaktojë edhe skemën e çmimeve.