Ibrahimoviç: Dua titullin e Premier League

I kanë mjaftuar vetëm pak muaj për të fituar zemrat e të gjithëve në ishull, për këtë nuk ka aspak dyshime Zlatan Ibrahimoviç, i cili me Manchester United ëndërron të fitojë titullin kampion në Premier League. Bomberi suedez edhe pse 35 vjeç në kampionatin anglez po tregon një ritëm shumë të lartë, duke qenë gjithmonë një rrezik konstant për mbrojtjet kundërshtare. Ibra autori i 13 golave me Manchester United në 19 ndeshje të Premier League në një intervistë i bëri një analizë muajve të tij të parë në Britaninë e Madhe.
“Nuk kam asnjë objektiv individual, sepse i kam arritur të gjithë. Kam fituar zemrat e të gjithë anglezëve dhe për këtë më janë dashur vetëm 3 muaj”, theksoi sulmuesi. Me 18 gola në total me fanellën e Djajve të Kuq, 13 prej tyre në Premier, gjiganti skandinav qendron vetëm 1 finalizim pas Diego Costës në listën e golashënuesve. Por objektivi i vërtetë i Ibrës nuk është “Këpuca e Artë”, por titulli kampion. “Nuk ndjek askënd, unë ndjek titullin e Premier League-s, ky është objektivi im”, nënvizoi ish-lojtari i Paris Saint-Germain. Si një kampion i madh që është përpara interesave personal, Ibrahimoviç vendos ato të skuadrës. Do të jetë e vështirë që United të synojë titullin në këtë sezon, sepse aktualisht diferenca me Chelsea-in kryesues në renditje është 10 pikë, por në kampionatin anglez asgjë nuk është e pamundur.
6 fitoret radhazi në Premier dhe 9 në total në të gjitha kompeticionet i kanë rikthyer moralin skuadrës së Jose Mourinho-s. Tashmë vjen superndeshja ndaj Liverpoolit, një takim të cilin Djajtë e Kuq dëshirojnë ta fitojnë. “Kemi rreth 1 muaj e gjysmë që po tregojmë se jemi në rrugën e duhur. Përpara disa javësh, diferenca me skuadrat e kreut ishte e frikshme, por tanimë jemi afruar disi. Duhet të fitojmë ndaj Liverpoolit dhe të vazhdojmë me këtë ritëm, të shohim në fund të sezonit se deri ku mund të arrijmë”, deklaroi Zlatan në fund të fjalës së tij.