Gagliardini gati

Interi synon ta çojë në 5 numrin e fitoreve radhazi në Serinë A, kur të përballet këtë të shtunë me Chievon në “San Siro”. Në shtëpi, zikaltërit kanë fituar 7 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet dhe përballë formacionit veronez, Interit nuk i lejohet asnjë hap fals, për vetë faktin se skuadra e Stefano Pioli ka nevojë për pikë për t’u afruar sa më shumë me Napolin e vendit të tretë. E ka të qartë diçka tillë trajneri i Interit, me Piolin që pret akoma më shumë nga skuadra e tij.
“Mendoj se skuadra po përmirësohet, por kemi mundësi për të bërë më tepër. Po punojmë mirë , të gjithë futbollistët po japin maksimumin në stërvitje, por duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. I kemi kualitetet për të regjistruar shumë fitore radhazi. Sezonin e kaluar në këtë pjesë të sezonit, Interi ishte në vend të 3-të me 39 pikë, por Roma që e përfundoi kampionatin e treta grumbulloi 80 pikë, në këtë kontekst, duhet të grumbullojmë shumë pikë nëse duam të arrijmë objektivin sezonal. Chievo? Mendoj se është një skuadër që gabon në pak ndeshje. Ka gabuar fundjavën e kaluar ndaj Atalantës, por ata janë një ekip ekspert që duhen vlerësuar maksimalisht. Duhet të lëvizim mirë në fushë të jemi të kthjellët dhe të jemi sa më konkretë”.
Roberto Gagliardini mesfushori 22-vjeçar i afruar së fundmi te skuadra zikaltër me shumë gjasa do të bëjë debutimin e tij me Interin në sfidën ndaj Chievos, duke e nisur ndeshjen si titullar, kjo edhe për faktin se Marcelo Brozoviç është i skualifikuar për shkak kartonësh. Pioli thuri elozhe për talentin italian, duke nënvizuar se Gagliardini është gati për Interin.
“Është një lojtar i rëndësishëm, sepse ka kualitet. Ai është gati dhe mund të japi të tjera energji skuadrës, ndërsa është një lojtar që premton shumë edhe për të ardhmen. Transferimi i Gagliardinit në Milano është një sinjal i ambicieve që ka klubi. Është gati për të luajtur si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht”.
Ndërkohë, beteja mes Maradonës dhe Mauro Ikardit vazhdon. Këtë herë është hapur një tjetër kapitull, në të cilën legjenda e futbollit argjentinas thotë se sulmuesi i Interit duhet mbajtur sa më larg kombëtares, për të mirën e kësaj skuadre. Në gazetën “La Nacion”, Maradona ka shkruar një koment ku sulmon ashpër kapitenin zikaltër, duke e krahasuar atë me një sulmues 44-vjeçar.
Pavarësisht se shifrat janë pro numrit nëntë të Interit, Maradona nuk është aspak i bindur për cilësitë e tij. “Duhet ta mbajmë Ikardin sa më larg nga Kombëtarja e Argjentinës. Kjo do të jetë për të mirën e të gjithëve. Në vend që të grumbulloj Ikardin, më mirë marr sulmuesin Bazan Vera”, ka thënë Maradona, i cili e ka injoruar kapitenin e Interit, duke e krahasuar me një 44-vjeçar. Maradona flet me bindje se Ikardi në Kombëtaren e Argjentinës nuk mund të jetë as zgjedhja e pestë.
“Ikardin nuk e konsideroj as sulmues të katërt të Argjentinës, por të pestë. Agjenti i tij ka kontaktuar trajnerin Bauza për t’i kërkuar llogari dhe për t’i mbushur mendjen që të grumbullohet, por ne kemi Praton. Më pëlqen shumë ai. Ikardin duhet ta lëmë jashtë”, ka theksuar Maradona. Kjo nuk është deklarata e parë e legjendës argjentinase kundër Ikardit, pasi edhe më parë ka thënë se Ikardi është një lojtar i pafytyrë, sepse u martua me gruan e shokut të tij.