Situatë dramatike nga bora, Veriu i braktisur nga qeveria

Veriu i vendit vazhdon të përjetojë një situatë dramatike nga bora dhe ngricat. Shumë fshatra në Shkodër, Pukë, Tropojë, Kukës dhe Dibër vijojnë të jenë të izoluar prej një jave nga bora. Drejtuesit e njësive vendore kanë bërë apel për ndihma, por në zonat e thella në Tropojë dhe Pukë nuk ka mbërritur asnjë ndihmë nga qeveria. Banorët e izoluar nga bora ndodhen në gjendje të rëndë dhe kanë nevojë për ushqime e ilaçe. Bora dhe ngricat kanë krijuar probleme me qarkullimin në shumë akse rrugore duke i bllokuar ato.
Në rajonin e Shkodrës vazhdojnë të jenë të bllokuara akset rrugore Shkodër-Theth, Shkodër-Shosh-Breg i Lumit, Qafë Bordoleci-Vermosh, Shllak-Temal, Qerret-Qelëz, Tamarë-Vermosh, Tamarë-Kozhnje. Po ashtu, në mjaft fshatra mungon energjia elektrike, duke shtuar edhe më shumë vështirësitë për banorët e izoluar.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka angazhuar gjatë gjithë natës së mbrëmshme, punonjësit e mirëmbajtjes dhe pastrimit për lirimin e rrugëve në qytet nga reshjet e borës dhe shmangien e ngricave. Në profilin e saj në Facebook, Ademi ka publikuar fotot e një nate pune intensive.
Edhe në Pukë, situata është mjaft e rënduar. Sipas autoriteteve, akset e bllokuara janë: Fushë Arrëz-Iballë, Shkodër-Theth, Shkodër-Shosh-Breg i Lumit, Qafë Bordoleci–Vemosh, Shllak-Temal, Qerret-Qelëz, Tamarë-Vermosh.
Në Pukë ndodhen të bllokuar fshatrat Qafë-Mungu, Bushat, Midhe, Ukth, Milor, Qerret i Vogël, Kodërbojë, Njësia Administrative Qelëz. Po kështu dhe fshatrat Levoshe, Berishë, Sapaq, Arap, lagjet e Iballës, Qyqesh, Vlash, Majsa, Njësia Administrative Iballë, ku kësaj njësie edhe rruga nacionale nuk i është hapur akoma. E njëjta situatë ndodhet edhe në fshatrat Kokdodë, Aprripe, Bugjon, Gralisht, Qafë-Kuqe, Miliska, Mezi, Njësia Administrative Fierzë. Fshatrat Qafë-Mali, Lum-Bardhë, Tuç, Orosh, Lumardh, Micoj, të Bashkisë Fushë-Arrëz. Po ashtu edhe për fshatrat Kimez, Mesul, Rras, Kushnen, Buhot, Kabash të Bashkisë Pukë.
Si pasojë e motit të keq, dy barinj të zonës në Kalipjetër në Fushë-Arrëz kanë mbetur të izoluar. Marash Alia e Nest Vila bëjnë apel për ndihmë, pasi thonë se janë në limitet e mundësive për ushqim. “Po na mbaron ushqimi, bagëtitë po na ngordhin”, thonë dy barinjtë.
Situata mjaft e rëndë është në rrethin e Tropojës. Njësitë administrative, Nikaj-Mërturi, Llugaj, Margegaj, Bytyçi, Bujan, Tropojë dhe Fierzë vazhdojnë të mbeten në pushtetin e borës dhe ngricave. Afro 5 mijë banorëve që jetojnë në rreth 60 fshatra nuk u mundësohet qarkullimi me qendrat e këtyre njësive administrative dhe as me qytetin Bajram Curri për arsye të bllokimit nga akulli dhe për faktin se, bashkia nuk i ka mjetet e duhura për ta përballuar këtë situatë emergjente për të gjitha akset dytësore.
Kryetarët e njësive administrative kërkojnë nga qeveria dhe emergjencat civile të mundësojnë ndërhyrjen për çlirimin e qarkullimit, pasi nuk kanë të siguruar edhe bazën ushqimore si për familjet ashtu edhe për bagëtitë. Kryetari i Bashksië së Bajram Currit, Besnik Dushaj u shpreh dje se, problematike është situata me fëmijët dhe të moshuarit, të cilët në presionin e të ftohtit dhe acarit, nuk u sigurohet ndihma mjekësore.
Edhe në Qarkun e Dibrës mjaft fshatra janë të izoluara. Por aktualisht mjaft njësi administrative të këtij qarku vijojnë të mbeten të bllokuara. Kështu njësitë administrative Lurë, Muhurr, Trebisht, Dardhë, Reç, Xibër, Macukull, Rukaj etj., vijojnë të jenë të izoluara për shkak të rrugëve të mbuluara me dëborë dhe akull. Ndërsa numri i fshatrave të izoluar është me dhjetëra, ku deri më tani nuk është bërë e mundur ndërhyrja për zhbllokimin e rrugëve që lidhin këto fshatra me qendrat e njësive administrative.
Po ashtu, moti i keq ka sjellë probleme të mëdha dhe për qytetin e Bulqizës, pasi prej tre ditësh mungon uji i pijshëm. E gjithë zona ka probleme me furnizimin me energji elektrike, si pasojë e rrëzimit të shtyllave.
Bora ka shkaktuar probleme edhe në Fier, Lushnjë, Rrogozhinë, në Qafën e Muzinës, në Llogara dhe në akse të tjera.

Izolohet Dukagjini, bora shkon deri në 1 metër

Dukagjini është një nga zonat më të goditura nga bora dhe ngricat gjatë ditëve të fundit. Udhëtimi drejt kësaj zone të thellë malore mbetet një sfidë më vete, ndërsa rruga është e rrezikshme në verë, e jo më në mes të dimrit ku dëbora varion nga 50 cm deri në 1 metër. Zinxhirët janë një domosdoshmëri kur merr rrugën për në Dukagjin, por edhe ata kryejnë funksion deri në një pikë, pasi kur trashësia e dëborës rritet e ngricat bëhen më të forta, automjeti nis të rrëshkasë edhe me to. Segmenti Kir-Mali i Shoshit në drejtim të Breg Lumit është më i vështiri, e ku nga kjo pikë rruga mund të bëhet vetëm në këmbë, pasi nuk ka alternativë tjetër. Këshilltari bashkiak Mark Rupa, i cili është edhe banor i zonës thotë se vetëm rrugë kjo nuk mund të quhet, ndërsa shton se nevojat e banorëve janë të mëdha.
Banorët e zonës së Pultit dhe të Shalës së Dukagjinit sqarojnë për vështirësitë me të cilat përballen, ku përveç mungesës së energjisë elektrike prej disa ditësh, ata nuk kanë as mjekë e infermierë. Aktualisht në Malësinë e Dukagjinit jetojnë rreth 400 familje, të cilat përballen me acarin dhe bllokimet e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me rrugën kryesore, e cila gjatë dimrit bllokohet plotësisht, duke i izoluar edhe me muaj të tërë këta banorë.
Reshjet e borës të një natë më parë kanë zbardhur edhe Kurbinin, duke krijuar dhe vështirësi lëvizje në disa akse rrugore. Problematika më e madhe gjatë orëve të mëngjesit ka qenë në superstradën Milot-Fushë Krujë, pasi trashësia e dëbora arriti në disa cm duke krijuar dhe ngrica.
Në segmentin nga Miloti në Thumanë u panë punonjës të firmës kontraktore, të cilët kanë hedhur kripë në rrugë, ndërsa në pjesën tjetër të kësaj superstrade nuk u ndërhy.
Në superstradë u vendosën dhe efektiv të Policisë Rrugore dhe asaj të Rendit, duke këshilluar drejtuesit e mjeteve që të lëvizin me kujdes. Reshjet e borës me këtë intensitet nuk ishin parë prej 32 vitesh në zonën e Fushë Krujës dhe Kurbinit, ndërsa të shumtë ishin qytetarët që ju gëzuan dëborës.

E sëmura nga Kukësi me varkë në spital nga bora

Në Kukës ka pasur edhe disa raste urgjencash. Nga fshati Kryemadh i Malziut u transportua një i sëmurë, por gjatë rrugës pati vështirësi për shkak të bllokimit të ambulancës në afërsi të fshatit, por u hap pas ndërhyrjes së mjeteve. Në fshatin Pistë u transportua për në spital një vajzë 17 vjeçe me vështirësi pas hapjen së rrugës. Nga Surroj një grua është transportuar me varkë nga liqeni i Kukësit deri në Bushat, ku e priste ambulanca për ta dërguar në Spitalin e Kukësit. Po dje, është transportuar drejt Spitalit të Kukësit një i sëmurë nga fshati Shkinak i Grykëçajes me mjete të Njësisë Administrative të Grykëçajes.
Furnizimi me ujë të pijshëm vijon të jetë normal. Drejtoria e Ujësjellësit është në gatishmëri të plotë dhe ekipet e avarisë të kësaj drejtorie prej dy ditësh janë në terren për të shkrirë tubacionet e ngrira e për të siguruar furnizim të rregullt për qytetarët.
Përsa i për rrugëve, akset kombëtare janë të kalueshme, ndërsa ruralet kanë vështirësi. Ndërkohë vazhdon shpërndarja e ndihma për familjet e bllokuara. Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes pritet të dërgojë ndihma ushqimore në Bashkinë Tropojë, në fshatin Tërnovë e Vogël, Njësia Administrative Zerqan Bashkia Bulqizë dhe në Njësinë Administrative Bregu i Lumit.

30 aksidente nga bora në Tiranë, 58 vetë në spital

Reshjet e borës në kryeqytet janë shoqëruar me disa incidente automobilistike, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e rrugëve. Mosmarrja e masave për pastrimin e rrugëve ka rrezikuar jetën e qytetarëve ku vetëm gjatë ditës së djeshme kanë përfunduar në spital 58 persona me fraktura.
Si pasojë e borës dhe ngricave në Tiranë u regjistruan 30 aksidente, që prej mbrëmjes së mërkurë e deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Në aksin Vorë-Fushë Krujë, mbrëmjen e së mërkurës është shënuar një aksident masiv, në të cilin janë përfshirë 4 kamionë, një furgon dhe një makinë tip “Golf”.
Aksidente të tjera si pasojë e rrëshkitjes së automjeteve kanë ndodhur edhe në qytet. Në Zonën e Medresesë një autobus i “Unazës” është përplasur me një makinë, ndërsa një tjetër autobus i “Tiranës së Re” ka rrëshqitur, duke u përplasur me kabinën telefonike. Fatmirësisht nga aksidentet nuk ka patur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Edhe mëngjesi e sotëm, Tirana është zgjuar e mbuluar nga dëbora, ndërsa rrezik përbën edhe prania e akullit. Aktualisht akset Tiranë-Rinas, Tiranë-Dajt dhe autostrada Tiranë-Durrës janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Bora që ka rënë në Tiranë ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve në qytet, por edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ku për disa orë lëvizja është bërë me zinxhirë. Ndërkohë dëbora që në mëngjes kishte mbuluar edhe trotuaret, ka shkaktuar aksidente mes këmbësorëve.
Gjovalin Bushi, drejtori i Spitalit të Traumës bëri me dije se vetëm gjatë paradites në këtë spital kanë marrë mjekim rreth 58 persona, të cilët kanë pësuar fraktura si pasojë e rrëzimit.
Bora që ka rënë në Tiranë ka shkaktuar probleme edhe në trafikun ajror. Në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas si për pasojë e reshjeve të dëborës janë anuluar deri tani 5 fluturime: Tiranë-Beograd që duhej të nisej në orën 04:15, Tiranë-Romë që duhej të nisej nga ora 05:40. Po ashtu janë anuluar Tiranë-Milano, Tiranë-Bolonjë dhe Tiranë-Venecia. Ndërkohë që disa fluturime të tjerë si Tiranë-Stamboll, Tiranë-Ankona, Tiranë-Rimini janë shtyrë.

Probleme në rrugët kryesore nga bora në Juglindje të vendit

Disa gradë nën zero bora zuri vend edhe në rrugët e Elbasanit. Rrugët drejt Juglindjes dhe kryesisht Elbasan- Qafë Thanë është bërë i vështirë për t’u kaluar. Kurse në segmentin në drejtim të Tiranës, pranë tunelit të Krrabës gjatë natës pati bllokime të mjeteve. Dëbora e dytë brenda një jave në Durrës ka afruar situata gazmore në qytet. Banorët thonë se po e shfrytëzojnë këtë kohë për t’u argëtuar.
Disa rrugë në Fier u bënë të pakalueshme nga bora, e cila më pas u kthye në akull. Sasia më e madhe është grumbulluar në Mallakastër, ku edhe është bllokuar rruga Fier-Ballsh, e cila qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Në territorin e Lushnjës, Rrogozhinës, Beratit akulli ka shkaktuar përplasje të automjeteve, por për fat pa viktima. Brenda në qytet disa rrugë u mbyllën, sepse u bënë të pakalueshme. Në Lushnjë është sasia më e madhe e dëborës së rënë që prej vitit 1907.
Liqeni i Kukësit ka ngrirë. Hera e fundit mbahet mend në 2005. Temperaturat vazhdojnë të jenë në vlera negative në ketë rajon. Megjithë intensitetin e lartë të reshjeve, rruga e “Kombit” është e kalueshme. Por fshatrat mbeten të bllokuara.
Pas 32 vjetësh borë në Fushë Krujë, qarkullimi në superstradë ishte kaos. Nga Thumana në Milot u hodh skorje, por jo në të njëjtën mënyrë u veprua edhe në pjesën tjetër të rrugës.
Kërkohet dorëheqja e prefektit të Gjirokastrës
Kreu i PD Gjirokastër Roland Bejko, ka kërkuar dorëheqjen e prefektit të Qarkut të Gjirokastrës Flamur Bime, për shkak të mungesës së menaxhimit total të situatës në terren, si pasojë e kohës së keqe me dëborë që ka përfshirë gjithë jugun e vendit. Në një prononcim për mediat vendore, Bejko, ka denoncuar paralizimin total të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ishin në krye të detyrës, ndërkohë që nuk po veprojnë në shërbim të komunitetit, duke qenë tërësisht të paaftë. Sipas tij, si shefi i Shtabit të Emergjencave, prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, ka qëndruar  indiferent. Ditë më parë prefekti duhet të kish mbledhur Shtabin e Emergjencave në prezencën e mediave dhe do të kish paraqitur një plan masash për vlerësimin e situatës së motit të ftohtë që pritej të vinte, dhe më pas duhet të kish një plan operacional të mirë strukturuar për ndërhyrjet në terren. Sot të gjitha zonat malore janë të bllokuara, blektorët janë në vështirësi për ushqim dhe qyteti e fshatrat përreth vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Mat, familja me 9 anëtarë jeton në çadër në -20 gradë Celsius

Një familje në Mat jeton në një çadër, në një kohë kur temperaturat shënojnë rreth minus 20 gradë Celsius. Shtëpia e familjes Kurti në fshatin Mali i Lezit u shemb nga shirat e vitit të kaluar, dhe shteti i siguroi një çadër për të jetuar. Por, situata për shkak të temperaturave ekstreme është vështirësuar ndjeshëm sidomos për foshnjën 6 muajshe. “News 24” ka udhëtuar drejt fshatit Mali i Lezit, atje ku rruga ndërpritet për automjetet dhe duhet të ecësh për orë të tëra në këmbë ose me kafshë për të mbërritur në destinacion. Në këto anë thënia “dimri është për agallarë” shpërfaqet dukshëm teksa sheh njerëz që mbijetojnë në temperatura deri në minus 20 gradë.
Kryefamiljari Shpëtim Kurti tregon se jeton në këtë çadër me 8 anëtarë të familjes që prej shembjes së banesës nga shirat e nëntorit të vitit të kaluar. Më e vështirë nga të gjithë ka qenë për foshnjën gjashtë muajshe. Ata tregojnë se deri tani shteti nuk i ka ndihmuar aspak, veçse sigurimin e një çadre. Bashkëshortja e Shpëtimit, Lavdie Kurti, nënë e 12 fëmijëve, 7 në jetë e 5 të vdekur, tregon vuajtjet e acarit nën çadër.
Apelit për ndihmë ndaj tyre iu bashkohen dhe fqinjët. “Shteti t’i ndihmojë, po të ishin zgjedhjet jo në 18 qershor, por 18 janar, politikanët do kishin shkrirë dhe dëborën për vota, por e ka lënë këtë familje në mëshirë të fatit”, thonë ata.

R.POLISI