Dy të vdekur dje, shkon në 11 numri i viktimave nga i ftohti

Dy persona kanë humbur jetën dje nga i ftohti, duke e çuar në 11 numrin e viktimave. Policia e Sarandës njoftoi se, mëngjesin e të enjtes është gjetur i pajetë në hyrje të banesës së tij një 61-vjeçar. Policia tha se, viktima Xhezair Telo jetonte në lagjen numër 4 në një banesë private. Nga veprimet e para hetimore, në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune apo dëmtime të tjera, dhe prandaj dyshohet se ky shtetas ka ndërruar jetë nga i ftohti.
Një tjetër viktimë nga moti i ftohtë me ngrica është regjistruar ditën e djeshme në Vlorë. Një 80-vjeçar ka humbur jetën në qytetin bregdetar, pasi kishte rrëshkitur në oborrin e shtëpisë të mbuluar nga akulli, duke pësuar dëmtime në trup. 80-vjeçari Tasin Llanaj ndodhej në spital që prej datës 5 janar, ditë kur edhe kishte rrëshkitur në oborr, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë dje. Sipas mjekëve, Llanaj ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të shumta të marra nga rënia.
Vetëm ditën e mërkurë, si pasojë e të ftohtit humbën jetën 4 persona, ndërsa që prej 7 janarit numri i viktimave nga i ftohti shkon në 11 persona. Ndonëse numri i viktimave nga i ftohti po rritet frikshëm, deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga Qeveria.

Kronologjia e vikimave nga i ftohti

E mërkurë, 11 janar
Anastas Shuke, 38 vjeç, është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen nr.10 të qytetit të Pogradecit. Ishin disa të afërm që e kanë gjetur të vdekur në banesë 38-vjeçarin, për shkak të të ftohtit.
E mërkurë, 11 janar
Gjendet e vdekur nga i ftohti 68-vjeçarja Shpresa Muça nga Durrësi, e cila jetonte e vetme në apartamentin ku nuk kishte asnjë mjet ngrohës. Bëhet e ditur se e moshuara mund të ketë ndërruar jetë që para tre ditësh, kohë kur edhe nuk i ishte përgjigjur në telefon djalit të saj.
E mërkurë, 11 janar
Një fëmijë 12 vjeç i cili lozte në sipërfaqen e ngrirë të liqenit të Kasharit ra brenda në ujë dhe humbi jetën. Sipas burimeve, 12-vjeçari Fabian Gurakuqi po luante sipër liqenit të ngrirë, por kur akulli është thyer ka rënë brenda duke humbur jetën.
E mërkurë, 11 janar
40-vjeçari Hajredin Xhelo nga Fier, i cili po kalonte me këmbë mbi rezervuarin e ngrirë të Petovës humbi jetën, pasi u thye akulli. Sipas dëshmitarëve, babai i dy fëmijëve sëbashku me një shokun e tij, gjithashtu bari, vendosën të ecnin mbi akull, por vetëm pas pak metrave, shtresa e akullit u thye.
E martë, 10 janar
U gjet i pajetë nga i ftohti 60-vjeçari Ilia Lilo në Korçë. 60-vjeçari Lifo është gjetur i vdekur në periferi të qytetit të Korçës tek vendi i quajtur “Parku i mallrave” në lagjen nr.10 të qytetit jugor. Sipas burimeve, 60-vjeçari Lifo është gjetur i pajetë në ambientet e një zdrukthtarie, ku ai e kishte sajuar si “banesë”.
E hënë, 9 janar
Në Lushnjë një roje pallati u gjet i ngrirë nga i ftohti. Bashkim Çepa, i cili punonte roje në një pallat, mëngjesin e 9 janarit është gjetur i ngrirë në vendin e punës. Ishin banorët e pallatit, ata që njoftuan policinë, e cila më pas bëri dërgimin e trupit të pajetë në morg. Punëtori ka qenë me probleme shëndetësore, por askush nga zyrtarët nuk u interesua për jetën e tij.
E dielë, 8 janar
Një 54-vjeçar nga Saranda ndërroi jetë nga i ftohti. Leonard Arapi u gjet nga banorët i pajetë si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. Arapi është gjetur i pajetë në lagjen nr.2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar.
E dielë, 8 janar
Një i moshuar gjeti vdekjen mes ngricave në Gjirokastër. Vasil Kaçi 64 vjeç nga Gjirokastra ishte ngjitur në tarracën e pallatit për të parë depozitën që kishte ngrirë, por ka rrëshkitur, duke humbur jetën.
E shtunë, 7 janar
Gjendet i vdekur në lagjen nr.17 të qytetit të Durrës endacaku që të gjithë e njihnin me emrin Beni. Ai ishte 38 vjeç dhe nuk kishte strehë. Ishin banorët ata që njoftuan për vdekjen e 38-vjeçarit Arben Sulo, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Bëhet me dije se, Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej.