Uashingtoni përgatitet për inaugurimin

Qindra mijëra vizitorë do të jenë në Uashington më 20 janar për inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Përveç se do të ndjekin ceremoninë në shkallët e Kapitolit, shumë prej tyre do të marrin pjesë në paradën e inaugurimit dhe në ballo të ndryshme.
Nga dhomat e hoteleve luksoze tek dyqanet e suvenireve, të gjithë në Uashington janë duke u përgatitur për të pritur mbështetësit e presidentit të zgjedhur, të cilët vijnë nga i gjithë vendi.
Edhe pse disa hotele kanë ende vende, në hotelin më prestigjioz dhe më të shtrenjtë të Uashingtonit, “Four Seasons”, të gjitha dhomat janë shitur me çmime shumë më të larta për inaugurimin. Kjo suitë për shembull kushton 16 mijë dollarë nata. Dhe për një qëndrim prej minimumi 4 netë, gjatë javës së inaugurimit, fatura shkon në 64 mijë dollarë.
“Duhet të kesh një stil të caktuar jetese për të përballuar minimumin prej katër netësh me një çmim që fillon nga 2 mijë dollarëshi. Do të vijnë njerëz nga partitë politike, nga biznesi, nga bankat dhe pothuajse nga çdo lloj aktiviteti tregtar”, thotë menaxheri David Bernard.
Do të vihet re mungesa e shumë yjeve të Hollivudit, që ishin të pranishëm gjatë dy inaugurimeve të Presidentit Obama. Shumica e të ftuarve për inaugurimin e zotit Trump do të vijnë nga shtetet që mbështetën presidentin e zgjedhur. Do të ketë edhe vizitorë nga jashtë. Me rritjen e çmimit në hotele, janë vënë në dispozicion edhe shërbime shtesë.
“Kemi përgatitur ngrohës duarsh, kapele dhe të tjera si këto”, thotë zoti Bernand.
Hoteli ka përgatitur dhurata të përditshme për çdo dhomë, si kjo kuti ku është përdorur flori 24 karat me simbolin e vulës presidenciale. Ndërsa disa vizitorë marrin dhurata të shtrenjta, të tjerë blejnë suvenire më të lira.
Këtu, në Qendrën e Mirëseardhjes në Uashington, menaxheri i dyqanit shpreson që suveniret me zotin Trump të shiten shumë gjatë javës së inaugurimit. Ndër më të shiturat janë kapelet e bejsbollit.