Plani për 45 mijë votat e maturantëve

Armand MAHO

Një qarkore partiake e qeverisë është shpërndarë dje për të gjithë drejtuesit e arsimit në Tiranë dhe rrethe ku i kërkohen evidenca të plota dhe të qarta për të gjithë maturantët që do të mund të votojnë në zgjedhjet e 18 qershorit. Qarkorja partiake kërkon identifikimin e të gjithë maturantëve dhe familjeve të tyre. Kjo do të bëhet nga mësuesit, të cilët të dhënat e tyre do t’i dorëzojnë tek drejtuesit e shkollës. Këta të fundit më pas do të jenë të detyruar që të dhënat t’ia kalojnë Ministrisë së Brendshme. Kartela e secilit nga këta maturantë do të jetë në duart e shtabeve elektorale të qeverisë dhe pushtetit, të cilët më pas do të merren edhe me sigurimin e votës përmes presioneve të ndryshme dhe joshjeve.
Në një pikë të qarkores partiake thuhet se të gjithë maturantët duhet të pajisen me kartë identiteti përpara zgjedhjeve dhe në rast se refuzojnë atëherë duhet të jenë drejtuesit e shkollave ata, të cilët do të detyrojnë maturantët të pajisen me karta identiteti, përfshi edhe pagesën që do të bëhet po nga qeveria dhe shtabet elektorale të partive në pushtet.

Mungesat e votave të qeverisë

Mungesa e votave për zgjedhjet e 18 qershorit ka shkaktuar jo pak kokëçarje, jo vetëm Edi Ramës, por edhe atyre që e mbështesin. Ai e ka parë që me deklarata bajate populiste dhe me rrahje bërrylash nuk mund të rikuperojë 220 mijë vota ose së paku 18-20 mandate deputetësh që i mungojnë vetëm me paratë e drogës. Ai s’mund të blejë vuajtjet që i shkaktoi biznesit të vogël e të mesëm, s’mund të kompensojë as revoltën për rritjen e energjisë apo shkurtimin e vendeve të punës. Arat e kanabisit nuk mund të qetësojnë shpirtin e trazuar të baballarëve, të cilët rreken më kot të ngrohin nën kuverta fëmijët e mardhur në këto ditë të acarta. Nuk mund të qetësojë revoltën e nënave, të cilat duhet të durojnë vuajtjet e foshnjave, kushtet si mos o Zot të spitaleve të Beqajt. Nuk mund të qetësojë revoltën e pjesës së shëndoshë të shoqërisë, të cilën e gënjeu me rilindje kombëtare… Nuk mund të gënjejë dot as socialistët e zhgënjyer me teorinë e shtetformimit, teksa litari shtrëngohet çdo ditë e më shumë me rritjen e pakontrolluar të çmimeve, me shtëpitë që po ua merr përmbarimi çdo ditë sepse s’kanë të paguajnë kredinë. Vuajtjet e këtyre katër vjetëve s’mund të rikuperohen sikur të mbjellë me hashash të gjitha fushat e  Myzeqesë, Maliqit apo të Shkodrës. Vota e 2017 do të jetë një revoltë e të gjithë atyre që nëpër këto tre vjet janë zgjuar me ankthin e mbijetesës… Janë zgjuar të tallur, teksa shohin kllounët e oborrit si Taulant Balla apo Arben Ahmetaj që flasin për parajsën e rilindjes, duke të risjellë në mendje kohët e tollonit komunist dhe propagandën e çmendur për mirëqenie…

Skema

E në rast se nuk merr dot votat e baballarëve të tyre, Edi Rama ka kthyer kokën nga fëmijët. Ata që votojnë për herë të parë. Janë 45 mijë maturantë në të gjithë vendin që kanë mbushur ose mbushin 18 vjeç deri më datë 18 qershor. Ky është dhe targeti që ka shënjestruar rilindja së fundmi. Burimet qeveritare thonë se Edi Rama ka urdhëruar Ministrinë e Arsimit dhe më pas kjo e fundit të gjitha drejtoritë arsimore dhe drejtoritë e shkollave të marrin të dhënat e kartave të identitetit për çdo maturant që deri më datë 18 qershor ka mbushur 18 vjeç. Të përpilohen lista të sakta dhe ata që nuk disponojnë një kartë ID të domosdoshme për të votuar t’i mundësohet dhënia e një të tille, natyrisht paguan rilindja. Më datë 26 mars fillojnë dhe aplikimet për universitete. Vuajtjet e vitit të kaluar për të fituar një vend në universitet dhanë një mësim të mirë për ta, kur panë se si të gjithë FRESSH-tët, pavarësisht rezultatit të tyre fituan në degët që ata donin dhe nuk iu desh aspak që të hiqnin picirin si të gjithë të tjerët. Kjo skemë duket se së fundmi do të përdoret me të gjithë ata që do të votojnë për herë të parë. Premtimi për të zënë një vend në universitet, por pse jo dhe për të marrë lehtë provimet që kryhen përgjatë majit dhe qershorit janë premtimet e militantëve që kanë zënë vend në çdo qelizë të arsimit tonë. Një veprim i mirëmenduar pasi është një kategori moshe që ende nuk janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e votës dhe para presionit të provimeve apo dhe premtimit për të zënë një vend në institucionet e arsimit të lartë publik është mjaft joshës për ta. Kjo vlen dhe për gjimnazet private tek të cilat provimet mbikëqyren nga drejtoritë arsimore të rretheve…

Militantizmi dhe skandalet me drejtoreshat e arsimit

Në një takim më 5 prill të vitit 2013 Rama do të fliste me arsimtarët. Fushata kishte ndezur motorët e saj dhe ai fliste e fliste se si duhej të ishte arsimi i lartë. Madje premtoi dhe burg për ata drejtorë shkollash apo drejtorë drejtorish që do e përdornin sistemin arsimor për politikë. Por, sapo mori pushtetin gjërat ndryshuan. Në drejtoritë arsimore u futën militantët më të rëndomtë. Për shembull e mbani mend Mimoza Kuqin… atë gruan rondokope që dilte në një spot të rilindjes, ku thoshte se ishte 52 vjeç, mësuese dhe besonte se Rama do të rilindte arsimin… Sapo mori pushtetin kreu një biçim konkursi formal, ku zonja në fjalë u emërua në krye të DAR të Tiranës. Do të shkarkohej pas gati një viti sepse ishte makute në të vjedhur dhe në shumë raste nuk pranonte të ndante fitimet me Nikollën e kompani. Por dhe ato që erdhën pas saj i njëjti nivel militantësh ishin, të gjitha në fotot e tyre të profilit reklamojnë rilindjen. Ose drejtoresha e DAR Lushnjë, e cila veç fitimeve i çonte hoteleve krerëve të rilindjes aplikantet e reja që trokisnin në dyert e saj për punë. Sepse rilindasit, veç parave kërkojnë ta marrin veten dhe me të mirë… Nga i njëjti nivel, Rama personalisht është kujdesur që të vendosë çdo drejtor shkolle, të cilët punësojnë më tej mësues të një niveli dhe më të ulët, por zbatues të përpiktë të urdhrave të kokës së rilindjes. Nuk janë gjë tjetër vetëm se kukulla, të cilat kthehen në makineri kur vjen puna për të manipuluar votat.