Asnjë problem për Juventusin në javën e 19-të të Serisë A, e fundit për gjysmën e parë të Serisë A. Bardhezinjtë mposhtën me lehtësi Bologna-n duke rikthyer diferencën prej katër pikësh nga Roma që ka luajtur një ndeshje më shumë. Në “Juventus Stadium”, të zotëve të shtëpisë u mjaftuan vetëm shtatë minuta për të kaluar përpara me Higuainin.
Katër minuta para pushimit, Dybala dyfishon me një penallti të fituar nga Sturaro pas pengimit në zonë nga Oikonomu. Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, sërish Higuain vulosi rezultatin me dopietën personale, që e çon në 12 numrin e golave të tij në këtë kampionat. Kjo është fitorja e 26-të radhazi në kampionat për Juventusin në stadiumin e vet, duke thyer rekordin që e mbante po vetë.
Juventusi kërkon zëvendësuesin e Patrice Evra. Mbrojtësi i krahut të majtë të bardhezinjve ka vendosur të marrë disa ditë pushim duke mos iu bashkuar pjesës tjetër të ekipit, por më shumë sesa një periudhë relaksi Evra është pranë lamtumirës me Juventusin. Brenda kësaj jave pritet të vijë edhe divorci. Mungesa e francezit në takimin kundër Bologna-s ishte një mesazh i qartë. Sidoqoftë drejtuesit e klubit bardhezi nuk ndihen të shqetësuar për këtë fakt. Trajneri i kampionëve të Italisë, Massimilano Allegri nuk i mungojnë alternativat. Ai do të mbështetet tek Kawdo Asamoah dhe i riu Federico Mattiello.