Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka dhënë mandatin për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë, kryetarit të VMRO/DPMNE-së Nikolla Grueski, partia e të cilit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka siguruar 51 mandate në Parlamentin e Maqedonisë.
Gruevski do të ketë 20 ditë për ta krijuar qeverinë e re, një përpjekje që do të jetë shumë e vështirë për shkak të rezultatit shumë të ngushtë në zgjedhje, marrë parasysh se LSDM-ja e Zoran Zaev ka vetëm dy vende më pak në Parlament se VMRO/DPMNE.
Mandatarit të ri i duhet t’i sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve që nënkupton dhe pëfshirjen e partive shqiptare, të cilat në Parlament aktualisht janë të përfaqësuara me 20 deputetë.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë 10 ulëse, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë.
Nëse Gruevksi arrin që të krijojë një qeveri, si edhe në mandatin e kaluar me të njëjtin partner Bashkimin Demokratik për Integrim, të dyja partitë do të kishin 61 deputetë, që përbën një shumicë të vogël.
Qeveria, vlerësohet se do të ishte e paqëndrueshme dhe do të duhej që edhe një parti tjetër, në këtë rast shqiptare të bëhej pjesë e koalicionit.
Analistët thonë se edhe nëse do të krijohet qeveria e re, zgjedhjet e reja të parakohshme janë të pashmangshme.
Nikolla Gruevski, i cili dje ka marrë mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, në intervistën për të përditshmen “Dnevnik” ka theksuar se politikanë dhe diplomatë të huaj, përmes krijimit të platformës së përbashkët të partive shqiptare kanë për qëllim krijimin e një atmosfere që asnjëra nga partitë shqiptare të mos koalicionojë me partinë e tij.
Gruevski ka kujtuar se edhe gjatë 2008-ës anëtarësia e VMRO/DPMNE-së nuk ka dashur të bëjë koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim, por ai e ka bërë, sepse kështu kishte vendosur shumica e elektoratit shqiptar duke e nxjerrë BDI-në si fituese të zgjedhjeve.
“Nëse tani BDI-ja shkon në koalicion me partinë e dytë, në vend të asaj të parës, me atë që ka humbur në vend e jo me atë që ka fituar, kjo do të paraqesë vendosje të një praktike dhe tradite të re në Maqedoni, të cilës ne gjithsesi do t’i përshtatemi, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen”, ka theksuar Gruevski duke nënvizuar se nëse tani tradhtohet nga BDI ai dhe partia e tij VMRO/DPMNE shumë shpejt do të kthehen në pushtet edhe atë siç është shprehur “pëmes dyerve të mëdha për dy mandate radhazi”.
Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila drejtohet nga Zoran Zaevi dhe në zgjedhjet e fundit ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm të votave nga elektorati shqiptar në bazë të premtimeve për avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk ka komentuar platformën e firmosur nga partitë politike shqiptare.
Pas kësaj edhe kundrejt insistimit, dje nuk është prononcuar partia më e madhe shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit.