Trump vë në dyshim përfundimet e CIA-s

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, vuri në lojë kundërshtarët politikë, duke kritikuar mediat dhe duke vënë përsëri në dyshim përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit se, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. Zoti Trump bëri dje një seri komentesh në Twitter, ku pyeste se përse Komiteti Kombëtar Demokrat u tregua “aq i pakujdesshëm” duke bërë që të zbuloheshin mijëra e-mail-e të John Podestës, kreu i fushatës së rivales Hillary Clinton dhe përse demokratët nuk u mbrojtën nga sulmet kibernetike ashtu siç u mbrojt Komiteti Kombëtar Republikan.
E-mail-et e zotit Podesta nxirrnin në shesh përpjekjet në prapaskenë për të ndihmuar kandidaten Clinton, që të fitonte emërimin e partisë dhe e vinin kampin e demokratëve në pozitë të vështirë.
Presidenti i zgjedhur citonte gjithashtu themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, sipas të cilit edhe “një 14-vjeçar mund t’i kishte nxjerrë e-mail-et e Podestës” dhe se “nuk ishin rusët që ia kishin dhënë atij informacionin”. WikiLeaks publikoi mijëra e-mail-e të zotit Podesta në ditë përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Senatori republikan Lindsey Graham, një kritik i zotit Trump, shprehu dyshime për mbështetjen e tij tek zoti Assange. “Assange gjithmonë ka sabotuar Shtetet e Bashkuara, tha zoti Graham në Twitter. Nuk besoj që amerikanët duhet të kenë besim tek ajo që thotë Julian Assange”.
Zoti Trump, gjithashtu kritikoi demokratët që nuk kishin reaguar ndaj informacioneve të përfshira në e-mail-e, që ai i quajti si “gjëra të tmerrshme që ata kishin bërë dhe kishin thënë. Ai përmendi rastin kur një pyetje i ishte treguar zonjës Clinton përpara një debati me senatorin Bernie Sanders, ndaj të cilit ajo fitoi në garën mes demokratëve.