Milan-Inter, derbi edhe në merkato

Milano “kineze” është gati të hapë një betejë të pastër. Nëse nga njëra anë drejtuesit e Interit tashmë e kanë treguar forcën e tyre financiare dhe janë gati të mos kursehen për asnjë lojtar që, sipas tyre, mund të rrisë nivelin e skuadrës, nga ana tjetër edhe krerët e rinj aziatikë të kuqezinjve po japin sinjale të qarta se janë gati që të investojnë bindshëm, duke nisur nga disa prej emrave më të fortë që ofron futbolli italian, por në të njëjtën kohë edhe për mundësitë që garanton Europa.
Duke iu referuar “Gazzetta dello Sport”, Milani dhe Interi kanë tri objektiva të përbashkët, të cilët do t’i synojnë që në këtë sesion të janarit, por natyrisht që bisedimet do të vazhdojnë edhe me perspektivën e merkatos së verës. Lojtarët në fjalë janë tre anësorë; Federiko Bernardeski i Fiorentinës, Domeniko Berardi i Sasuolos dhe Zherard Deulofeu i Evertonit.
Bernardeski
Pista që të dërgon te ylli i vjollcëve është shumë e nxehtë, sepse 22-vjeçari është në shënjestrën e gjysmës së klubeve të Europës, por natyrisht që një rol prej lideri në dy skuadrat e Milanos nuk do të ishte keq për të bërë hapin e parë të madh të karrierës.
Bernardeski, i cili nuk ka pranuar rinovimin me Fiorentinën, pëlqehet shumë nga Montela, që i hapi dyert e arenës së Serisë A dhe madje, për ta bërë të tyrin, “Djalli” është gati që të sakrifikojë edhe mbajë Niangun, duke e dërguar francezin në Firence. Ndërkohë, në Milano janë gati të paguajnë 25-30 milionë euro, për të mos ndeshur asnjë pengesë rrugës, ndaj beteja pritet e ashpër, pa menduar edhe konkurrencën e Juventusit, PSG-së, Bajernit, Totenhemit, Çelsit e Arsenalit.
Berardi
Mëngjërashi i Sasuolos është gjithashtu një dëshirë e vjetër e kultivuar prej vitesh. Por, nëse ndaj lojtarit ka qenë gjithmonë i madh interesi dhe një klauzolë që i jepte Juventusit të drejtën e fjalës së fundit mbi lëvizjen e futbollistit, tashmë situata ka ndryshuar dhe Milani e Interi janë gati ta bëjnë të tyrin. Edhe pse pa dyshim që te kuqezinjtë ai do e kishte të sigurt vendin e titullarit, fakt është që vetë Berardi ka pranuar se është një tifoz zikaltër dhe në këtë pikë duket grupi “Suning” favorit për të gjetur një akord.
Deulofeu
Një tjetër mundësi për të përforcuar krahët dhe repartin ofensiv është Zherard Deulofeu. Spanjolli është nxjerrë jashtë skuadre nga trajneri i Evertonit që më datë 10 dhjetor, pas një ndeshjeje me Uotfordin dhe me blutë, të cilët ua kanë ofruar disa klubeve, mes të cilëve edhe milanezëve.
Por nëse administratori i Milanit, Adriano Galiani, ka ofruar vetëm huazimin me të drejtë blerjeje, Evertoni kërkon të paktën klauzolën e blerjes së detyruar, diçka për të cilën mund t’ia garantojnë “kushërinjtë” e Interit, por gjithmonë nëse nga Milano zikaltër largohet një mes Ederit, Palasios dhe Jovetiçit.