Ballina Kryesore Frrok Çupi: Sot ka shumë media dhe pak fjalë të lirë

Frrok Çupi: Sot ka shumë media dhe pak fjalë të lirë

Ishte shumë më tepër se sa një gazetë partie. Ishte fjala e parë, ishte dita e parë e lirisë. Ishte “Rilindja Demokratike”. Si dje 26 vite më parë, doli numri 1 i gazetës së shumëpritur “Rilindja Demokratike”, gazetë e të parës parti opozitare, Partia Demokratike, e themeluar në dhjetor të vitit 1990. 14 ditë pas themelimit të partisë, më 5 janar 1991, doli numri i parë i gazetës “Rilindja Demikratike” me sloganin “Liria e gjithsecilit të bëhet garancia e lirisë së të gjithëve”.
Në numrin e parë kishte ende frikë për t’u shprehur lirshëm, sepse regjimi ishte ende i fortë. Hamendësohej nëse do të dilte numri i dytë apo jo, por kishte etje e dëshirë për fjalën e lirë, por edhe premtim për të mos e cenuar atë. Atje ndjehej fryma e lirisë. Jemi 26 vjet më vonë dhe duket sikur në atë kohë ekzistonte fjala e lirë, por mungonte media. Ndërsa sot ndodh e kundërta, ka shumë media, por pak fjalë të lirë.
“Ka gazeta që lindin të qeta në çaste të zakonshme kalendarike. Por, ka gazeta që lindin mes dhembjesh në momente historike të veçanta, siç lindin ditët e veçanta të papërsëritshme”, shkruante Dritëro Agolli në numrin e parë të “RD”-së. Protagonistë të kohës dëshmojnë për emocionet që shoqëruan përgatitjen e numrit të parë të kësaj gazete dhe për detaje të natës, kur të nesërmen do të dilte numri i parë i gazetës “RD”. Kemi zgjedhur pjesë nga intervista e kryeredaktorit të parë të kësaj gazete, Frrok Çupi, për të na rrëfyer detaje të “ditës së parë të lirisë”. Një intervistë dhënë për librin “Pardesytë e bardha”, Çupi flet me shumë emocion për krijesën e tij më të dashur: “Rilindjen Demokratike”.

– Gazeta “Rilindja Demokratike” është një ndër lajmet më të rëndësishme të ditëve të para të themelimit të Partisë Demokratike dhe ju ishit kryeredaktor i parë i saj…?
Gazeta “Rilindja Demokratike” është ngjarje unike për Shqipërinë. Deri ditën kur doli në dritë “Rilindja Demokratike”, 5 janar 1991, nuk kishte pasur kurrë një gazetë të lirë përballë diktaturës. Deri ditën kur doli “RD”, fjala ishte konsideruar krim. Ligji penal i diktaturës komuniste, në nenin 55, e dënonte fjalën (jo fjalën e lirë, sigurisht, sepse as që njihej ky koncept), me 25 vjet burgim politik. “Fjala” do të thotë që dikush nuk ka mendje dhe lëshon fjalët “kohë e keqe sot”. Mund të ishte mot me borë e suferinë, por Partia nuk e kuptonte kështu “kohën e keqe”. Koha ishte e Partisë (komuniste të diktaturës) dhe askush nuk mund të thoshte për shembull, “kohë e keqe”. Fjalët e tjera me kuptim realiteti, domethënë, që të flisje se nuk të mjaftonte ushqimi, se lufta e klasave po të drobiste, se izolimi të kishte shkuar në palcë, etj., këto të dërgonin në ferr. As në vdekjen e njeriut më të afërm njeriu nuk mund të shprehej me pikëllim. Për djalin që i merrte jetën miniera në galeri ose edhe si ushtar në kufi, apo edhe kur mbi një bari qëllonte rrufeja,…. prindi dhe vëllai kishin për detyrë të thoshin se “ia kemi fal partisë”. Por fjalë me krenari; po të mos thuheshin me krenari, atëherë njësoj si në nenin 55 të ligjit penal…
Gazeta “Rilindja Demokratike” është e vetmja gazetë që u prit para se të lindte, njësoj si fëmija në maternitet. Ku është parë herë tjetër që një popull i tërë të presë që të dalë gazeta që shpresohet? Përgjithësisht gazetat lindin, mbijetojnë dhe vëzhgohen dhjetë a njëqind vjet, e pastaj kërkohen…
… Ishte kohë diktature të egër dhe njeriu kërkonte një dritë lirie, të paktën lirie fjale… Aty nga fundi i dhjetorit 1990 nisi të flitej se “do të dalë gazeta e Demokratikes”. Partia Demokratike ishte krijuar vetëm pak ditë më parë. Që ditën kur u tha se “do të dalë gazeta” njerëzit nisën të zënë radhë para librarive. Atë kohë gazetat shiteshin në librari, të cilat hapeshin herët në mëngjes, dyert e para që hapeshin, madje para bareve e kafeve. Nuk mund t’i harroj njerëzit në radhë. Tek zbrisja nga shtëpia në lagjen “Ali Demi”, sapo kalon Urën e Tabakëve dhe harkun e madh të portës së Bibliotekës së Vjetër, aty ka qenë një librari. Në të dy krahët e derës së librarisë gjeja njerëz në radhë tek prisnin. Askush nuk tregonte çfarë priste, secili mbante në dorë një a dy shishe qumështi boshe. Po të vinte dikush nga ata të Sigurimit, këta do të thonin se “presin makinën e qumështit” në dyqanin ngjitur…
Ishte një sekret i madh, sepse ishte edhe rrezik i madh. Kur u mësua në kupolën e udhëheqjes komuniste se “Partia Demokratike do të ketë gazetë”, atëherë shefi kryesor i Partisë paska thënë: “Gazetë?… E humbëm davanë!”.
Si miqtë edhe armiqtë prisnin gazetën e fjalës së lirë.
Kjo ndodhte me gazetën “Rilindja Demokratike”. Fjala e lirë deri në atë moment ose ishte tkurrur e nuk ishte thënë; ose ishte thënë në një qoshe shtëpie dhe ishte mbytur aty; ose ishte thënë pjesë-pjesë dhe ishte burgosur dhe pushkatuar. Fjala e lirë tërë jetën e diktaturës ishte ndjekur e përgjuar për ta mbytur; dhe ajo veç fshihej e ruhej sa të mundte. Hera e parë që fjala e lirë vërshoi hapur në rrugë, në shtëpitë e njerëzve, në librari e biblioteka, madje edhe nëpër zyrat e aparatit të diktaturës, nëpër familjet e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të qeverisë komuniste… Mund të them se për herë të parë ndodhi që fjala e lirë mori rrugën të ndiqte persekutorët kudo ku ndodheshin. Fjala e lirë i ndiqte jo si persekutorë, por si çlirimtarë të të gjithëve, po iu afrohej që t’u bëhej mike edhe e tyre që e kishin persekutuar.
Kishte pasur një rast tjetër, dikur para diktaturës komuniste, aty nga viti 1920, kur një patriot i madh dhe gazetar, Sali Nivica, nxori gazetën “Populli”, edhe kjo një gazetë e lirë për kuptimin e kohës. Sali Nivica ishte shpallur Nder i Kombit dhe Mësues i Popullit. Ishte kohë e turbullt, kur liria nuk kishte institucion as ligj… Pas numrit të tretë të gazetës, kryeredaktorin e gazetës, Sali Nivica, e vranë. Edhe atëherë ishte janar, data 10, 1920.
Ka qenë një koinçidencë: Unë banoja në rrugën me emrin “Sali Nivica”….
Ju thashë se në mëngjes herët, që ditët para vitit të ri 1991, tek zbrisja nga “Sali Nivica” për në qendër të Tiranës, te dera e librarisë gjeja të njëjtën radhë. Dhe të njëjtët njerëz që linin radhën e më afroheshin: “A del gazeta sot?… Kur del?”. Me këtë rast po i përgjigjem edhe pyetjes suaj se “si u zgjodha kryeredaktor” i gazetës “RD”. Të gjithë e dinin se isha kryeredaktori i gazetës që kur nisi të pritej që të lindte. Edhe ata që prisnin në radhë një javë para se të dilte gazeta, më drejtoheshin si kryeredaktor i gazetës… Nuk bëmë zgjedhje. Mes miqve, mes nesh që krijuam Partinë Demokratike, kishte një marrëveshje ekselente përgjegjësish e barrësh. Nuk mbaj mend tjetër detaj, veç një vështrim mes nesh që do të thoshte “me gazetën, Frroku”. Me Sali Berishën, më shumë si dashamirës i gazetarisë, kemi shkëmbyer biseda të shkurtra rreth gazetës nëpër rruginat e Qytetit “Studenti”, por kaq. Azem Hajdari ishte adhurues deri në shpirt i shkrimeve të gazetës; ai e shikonte gazetën si një engjëll. Gramoz Pashko kishte informacion të gjerë mbi gazetarinë e vendit dhe mbi gazetarët.
Kisha studiuar gazetari e ligj, isha një gazetar me emër të njohur, në vitin 1983 diktatura më kishte persekutuar shtatë vjet si punëtor në Spaç e në Tiranë; vetëm për shkak të detyrës sime si gazetar. Kisha shkruar disa të vërteta që kupola komuniste i quante të paprekshme…
Tek kaloja mëngjeseve para librarisë, ndihesha vërtet keq kur i gjeja njerëzit tek prisnin në radhë. Ndihesha keq sepse ata prisnin me ditë e netë, ndërsa ne akoma nuk e kishim gazetën gati. Nevojitej procedura ligjore, pastaj letra për gazetën… shteti nuk kishte letër; etj. Një gazetë do të niste që nga shkronja e parë, pa patur asgjë; veç pritjes së njerëzve në dyert e librarive…. Nuk harroj, as kam se si ta harroj: Mbrëmjen e vitit të ri dhe të nesërmen, tavolinën e “festës” e kisha mbushur me letra, si një tryezë pune në një redaksi. Punoja mbi shkrimet e numrit të parë të gazetës; ato pak shkrime që kisha. Mund të them se mbi atë tavolinë ka nisur gazeta “RD”, në kuzhinën e vogël që kisha te “Sali Nivica”. Shkruaja e fshija me gomë, përpëlitesha me veten i rrethuar nga dy fëmijët ende të parritur. Aty kam shkruar editorialin “Fjala e parë”, aty kam shkruar dhe redaktuar shumicën e shkrimeve që kisha marrë nga disa kolegë. Shkruaja me dorë. Akoma nuk kishim as makinë shkrimi, as zyra për redaksinë.
Gazeta doli mëngjesin e datës 5 janar 1991. Shkrimet kisha nisur t’i dërgoja në shtypshkronjë që më datën 3 janar. Shtypshkronja ndodhej në Kombinatin Poligrafik, radhitja bëhej me derdhje në plumb. Ky moment është shumë i vështirë të shpjegohet me fjalë, aq më pak në një intervistë. “Rilindja Demokratike” doli me 100 mijë kopje në ditë; por ishte e vështirë të gjeje një kopje. Gjithë Shqipëria u mbulua nga gazeta. Më kanë prurë disa herë mbasdite gazetën që ishte lexuar gjithë ditën, dorë më dorë. Në fund gazeta kishte mbetur si një copë basme, as kuptoje se kishte pasur shkronja a se ishte letër gazete.
Si dashuria për lirinë e shtypur deri atë ditë, edhe vetë gazeta u kthye në një legjendë.

– Megjithë rëndësinë vendimtare që pati kjo gazetë për PD-në, qysh ditët e para, problemet në drejtimin e saj janë shfaqur shpejt. Është fjala për problemet që lindin ndërmjet jush dhe drejtuesve të Partisë Demokratike. Cili ishte raporti juaj me ta?
Jo që në fillim kanë lindur probleme mes Partisë dhe gazetës. Pas rënies së monumentit të diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, mund të them. Ndoshta disa probleme javë të mëvonshme. Deri atëherë ka qenë një sjellje brilante; ka qenë si në një ëndërr me parajsë lirie. Askush nga lidershipi i PD nuk ka ardhur të më thotë se “duhet ta bësh kështu!”, ose “pse e bërë kështu”. Madje edhe gazetën e ditës, anëtarët e kryesisë së PD e merrnin te sporteli i jashtëm i redaksisë së gazetës. Mos mendoni se ata hynin nëpër redaksi, lart e poshtë, për të manifestuar se “jemi këtu”. Jo, nuk ka qenë aspak kështu. Të gjithë po punonim për të krijuar modele të reja, demokratike.
Probleme?…..
S’e di nëse mund të themi “Probleme mes meje dhe drejtuesve të Partisë”. Tani jemi të gjithë të qartë; të gjithë me pesha të mëdha eksperience në liri dhe me distancën e duhur si nga ngjarja, ashtu edhe nga miqtë dhe nga vetja. Problemet ishin më shumëplanëshe se sa mes kryeredaktorit dhe drejtuesve të Partisë. Problemet ishin mes meje dhe meje; ishin mes atyre dhe atyre; mes tyre dhe kryeredaktorit; mes atyre një nga një secili brenda vetes. Mbi të gjitha ishin problemet e natyrshme të individit me lirinë, me lirinë që mendonim se vetë e sollëm. Jo se mes nesh nisi të shfaqet lavdia ose vetëmburrja. Por problemi ishte sa mund ta përballonim lirinë. Ne ishim njerëzit më të lirë të asaj shoqërie, padyshim. Por mendo që mes nesh lindi vështirësia e përballimit të barrës së lirisë… a mund të mendoni për një shoqëri të tërë, të tharë deri në palcë, pa asnjë pikë lirie për gjysmë shekulli. Përballimi i lirisë ka qenë problemi më i madhi i dy dekadave të shoqërisë sonë. Mbetet akoma një çështje e të gjithëve.
Legjenda që ka marrë emrin “probleme të PD me gazetën ose brenda për brenda PD” ishte edhe raporti i krijuar në vetë shoqërinë e lirë, e cila hyri në një portë ku nuk kishte ëndërruar kurrë, hynte në liri. Po të mos kishin ndodhur ato që ndodhën edhe mes nesh, atëherë do të ishte shumë për të dyshuar. Për të dyshuar se vallë këtu nuk paska pasur aq mizori dhune sa në të vërtetë ka pasur?!…
Nuk mund të përballohej aq lehtë liria. Kështu ndodhën “problemet mes nesh”.
Ka qenë shumë e thjeshtë pse-ja: Unë bëra detyrën time për të mbrojtur principin e një fjale të lirë dhe të një gazetarie profesionale; këtë do të bëja gjithë jetën. Unë bëra detyrën që më takonte, që të krijoja një model tjetër, jo modelin që po linim pas, ku gazeta ishte një skllave e Partisë…
Edhe partia po bënte detyrën e vet: Po e përdorte gazetën për fjalën e saj. Fjala e ardhur nga nëpunësit e Partisë nuk është kurrë aq e pëlqyeshme për t’u lexuar në gazetë, kjo dihet. Por dihet edhe që funksionarët e partisë nuk kanë pse t’ia dinë shumë sa e latuar është fjala, sa bezdiset lexuesi?, sa shkon titulli?, sa i gjatë është shkrimi?, etj.

– Ku është faji?…
Faji im: E kisha menduar gazetën me një distancë të caktuar prej Partisë. Për këtë arsye, poshtë titullit të gazetës nuk shkrova “RD, organ i partisë…” siç ishte bërë klishe në komunizëm, por shkrova “RD, gazetë e Partisë Demokratike”. Kishte kuptim thelbësor edhe kjo gjë simbolike. Diktatura komuniste të gjithë i konsideronte organe të tij, “gazeta-organ”, “shkrimtarët-organ”, “rinia-organ”… Hera e parë që një gazetë shpallej me liri dhe me frymëmarrjen e vet ishte kjo e “Rilindjes Demokratike”. Kërkoja një distancë të gazetës nga Partia. Më dhembte deri në gjak çdo devijim sado i vogël në këtë princip.
… Sigurisht që paska qenë herët. Por e kisha menduar se menjëherë “pas çlirimit” (bëj humor, si humori komunist i Luftës), domethënë, sapo të vendosej demokracia, gazeta “RD” do të ishte gazeta “dallëndyshe” dhe kryesore e pavarur e vendit… Ishim shumë ëndërrimtarë, po shumë, shumë ëndërrimtarë.
Faji i Partisë: Kudo ku ka grupim politik që përbën Parti, nisin edhe disa deformacione individuale, padyshim. Nis njeriu e flet si partia. Ndoshta u dashka bërë kështu! Në Parti nis interesi, interes sa politik edhe personal. Partia e donte gazetën që të fliste siç e mendonte vetë. “Kryeredaktori është i dashuruari me gazetën”, le të lërë mënjanë pak dashuri dhe të përdorim gazetën për partinë”… Pak a shumë kështu erdhi puna.
Pse duhej përdorur gazeta? Për udhëheqësit, që të dëshmonin sa të ditur ishin ose të verifikonin imazhin e tyre me popullin. Normale. Duhej për udhëheqësit politikë që të përcillnin mesazhin e shkurtër. Duhej për të bërë edhe replika… Ndoshta në ato kohë kështu duhej gazeta. Ju thashë, ne nuk ishim ndarë akoma nga një traditë; e si mund të fillonim direkt në majë të një stili krejt të ri. Duhej kohë.
… Këtu ishte përplasja: Si e mendon gazetari gazetarinë dhe si e mendojnë funksionarët e Partisë. Pastaj cili është më i fortë: kryeredaktoi i gazetës, apo partia!
Me dy fjalë: Ne ishim bij të lirisë dhe viktima të lirisë.

27.al

Exit mobile version