Sadiku konfirmon bisedimet me Luganon

Me ish-ndihmësin e De Biasit, Paolo Tramezzani që në fundin e 2016 mori drejtimin e Luganos, edhe transferimi i Armando Sadikut, bomberit kuqezi të Europianit nën urdhrat e teknikut italian do të ishte diçka mëse logjike, por në futboll e veçanërisht në merkato jo çdo gjë ndjek logjikën, ndaj dhe vetë sulmuesi i kombëtares, aktualisht pjesë e Zyrihut në kategorinë e dytë të futbollit zviceran e pranon se bisedimet për këtë transferim kanë nisur, por duke ruajtur ekuilibrin e nevojshëm në të tilla raste, në një intervistë të dhënë për faqen “tio.ch”, Sadiku shprehet:
“E di që palët janë duke negociuar, agjenti im po merret me këtë situatë dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat. Në këtë moment preferoj të mos flas dhe të pres se çfarë drejtimi do të marrë kjo situatë”, u shpreh Sadiku.
Padyshim që te Lugano, skuadër ku ka luajtur 43 ndeshje në sezonin 2012-2013 duke shënuar dhe 24 gola, Sadiku do të rigjente një ambient që e njeh, Superligën zvicerane dhe Tramezzanin, me sulmuesin shqiptar që deklaron:
“Sigurisht, e njoh mirë Luganon dhe gjithçka rrethon skuadrën dhe klubin. Gjatë periudhës që mbaja fanellën bardhezi jam ndier mirë edhe pse më vjen keq që nuk arritëm të ngjiteshim në Superligë. Tani konteksti ka ndryshuar duke qenë se skuadra po lufton për mbijetesën në kategorinë elitare. Për sa i përket Tramezzanit, nuk mund të flas veçse mirë”, tha ai.
Më pas edhe një vlerësim nga Sadiku për punën e Tramezzanit dhe De Biasit te Shqipëria, me sulmuesin 25-vjeçar që shprehet.
“Unë dhe gjithë shokët e kombëtares mundet vetëm t’i falënderojmë. Falë tyre hymë në histori dhe Paolo është një trajner që ka shumë energji, ka dëshirë dhe vullnet për të shprehur vlerat e tij, do të bëjë mirë në këtë eksperiencë të re”, tha Sadiku.
Kur flitet për arritjen historike të Shqipërisë me pjesëmarrjen në Europian, nuk mund të evitohet edhe ai gol i paharrueshëm ndaj Rumanisë, i pari gol kuqezi në një Europian, Sadiku ju kthehet sërish atyre emocioneve të papërshkrueshme ndërsa thotë:
“Nuk kuptova se çfarë kisha bërë deri në momentin që u kthyem në shtëpi dhe festuam me tifozët tanë. Entuziazmi i tyre më transmetoi emocionet e vërteta, të gjithë më ndalonin, më kërkonin një foto, një autograf apo thjesht ktheheshin dhe më shihnin teksa ecja. Ishte diçka e pabesueshme”, përfundoi Sadiku.