Rritet me 20% çmimi i gazit për familjarët

Gazi i lëngshëm për ngrohje po shitet mesatarisht 20% më shtrenjtë në këto ditë të para të vitit, si rezultat i taksave të reja dhe rritjes së kërkesës siç shpjeguan disa nga distributorët e shitjes me pakicë.
Një litër gaz kushtoi dje 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 52 lekë që ishte dy ditë më parë. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve. Në pikat e autorizuara çmimi është edhe më i shtrenjtë, duke variuar nga 80-85 lekë për litër.
Çmimi ndryshoi masivisht dje në të gjitha pikat e shitjes dhe tregtarët me pakicë shpjeguan se janë rritur taksat.
Më 1 janar, hyri në fuqi paketa e re fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave, pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë.
Por rritja e taksave duket se nuk është shkaku i vetëm. Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe lajmërimet për ditë më të ftohta në vijim e kanë rritur dukshëm kërkesën për gaz e për rrjedhojë, distributorët po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimin.
Gjithashtu, nuk po funksionojë pikat e autorizuara për furnizimin me gaz për përdorim familjar. Më herët, më 2016, Ministria e Energjetikës, për të mënjanuar aksidentet nga bombolat e gazit, autorizoi pika të posaçme për shitjen e gazit.
Pikat janë të licencuara dhe ofrojnë edhe shërbimin e kolaudimit për bombolat. Fillimisht pikat u përballën me një kërkesë të lartë, pasi karburantet nuk u lejuan më të furnizonin familjarët. Për shkak të kufizimeve në furnizim, çmimi i gazit në pikat e autorizuara u rrit në 80 lekë për litër, gati 30 lekë më shumë.
Për shkak të çmimit të lartë, furnizimi në pikat e autorizuara nuk rezultoi shumë jetëgjatë, pasi karburantet kanë rinisur të furnizojnë familjarët në masë dhe tashmë edhe me çmime më të rritura.

Si mashtroi qeveria

“Një litër gaz kushtoi dje 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 52 lekë që ishte dy ditë më parë. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve. Në pikat e autorizuara çmimi është edhe më i shtrenjtë, duke variuar nga 80-85 lekë për litër”, raporton “Monitor”. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, e ka mbrojtur propozimin për rritjen e akcizës së gazit, duke e justifikuar me rritjen e sigurisë për familjarët.
Ai garantoi se nuk do të kishte rritje të çmimit të gazit për familjarët. “Qytetarët shqiptarë nuk do të rëndohen fare për gazin e lëngshëm që përdorin për nevojat e tyre. Pra, nuk bëhet fjalë për rritje akcize të gazit për përdorim familjar apo për çfarëdolloj përdorimi tjetër, bëhet fjalë vetëm për gazin që shitet në stacionet e karburantit ku shitet gazi për automjete”, tha Gjiknuri në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas ministrit, jo vetëm qytetarët nuk do të kishin asnjë pasojë financiare, por do të ishin edhe të kënaqur.
“Ata do t’i blejnë bombolat në një treg më të sigurt, të çertifikuar. Me legjislacionin e ri të mjeteve të presionit shoqëruar nga vendimet përkatëse të qeverisë për kontrollin, kolaudimin dhe çertifikimin e bombolave, të gjitha stacionet e karburantit do të kenë dyqane të veçanta ku qytetari dhe kompanitë që kanë rrjet shpëndarjeje bombolash, ashtu siç e ka edhe Perëndimi, pasi i lajmëron në telefon, të sjellin bombolën”.
Sipas Gjiknurit, me rritjen e akcizës së gazit për automjetet, familjarët do ta blinin gazin si në Perëndim.
Por këto ditë duket se po e blejnë njësoj si më parë. Vetëm se po e blejnë më shtrenjtë.