Nafta rritet 50 lekë/litri, 30% më shtrenjtë se në Kosovë

Fundi i 2016-s dhe ditët e para të 2017-s janë shoqëruar me një shtrenjtim të çmimit të karburanteve në tregun e brendshëm.
Dy operatorë, “Alpet” dhe “Gulf”, kanë reflektuar tashmë rritjen e çmimit të naftës me rreth 5 pikë për litër, duke e çuar atë në rreth 174 lekë për litër, nga nën 170 lekë që ishte më parë në autostradë dhe jashtë Tirane, ndërsa brenda kryeqytetit, karburanti ka arritur në 178 lekë.
Dy operatorët e mëdhenj, “Kastrati” dhe “Elda”, nuk i kanë ndryshuar ende çmimet (“Elda” e tregton naftën me 166 lekë dhe “Kastrati” me 167), por ato kanë paralajmëruar shtrenjtim të tyre pas festave të fundvitit.
Arsyeja kryesore, sipas tyre, lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregun e jashtëm. Në bursat ndërkombëtare, nafta Brent ka arritur në 56 dollarë për fuçi në nivelin më të lartë në më shumë se një vit (që nga shtatori 2015).
Kjo është hera e tretë që ka një valë të shtrenjtimit të çmimeve, që nga janari 2016 kur ato zbritën në rreth 160 lekë për litër. Rritja e naftës në bursa mbi 50 USD/fuçi është reflektuar dhe dy herë të tjera përgjatë vitit të kaluar.
Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në Europë. Sipas Global Petrol Price, në Shqipëri, nafta, sipas të dhënave të 26 dhjetorit ishte 1.31 USD për litër (me rritjen e fundit ka arritur në 1.35), ndërsa në Maqedoni çmimi është 1.13 USD; në Mal të Zi 1.19 USD; në Serbi 1.16 USD; në Bosnjë, 0.97 USD për litër; në Bullgari 1.07 USD; në Rumani 1.22 USD. Shqipëria ka nivele të krahasueshme me Italinë, Zvicrën, Spanjën, Kroacinë, Irlandën, Gjermaninë etj.
Operatorët pohojnë se shkak për këtë është barra e lartë e taksave, që llogaritet në 67-70% të kostos.
Krahas naftës, pritet të shtrenjtohet edhe gazi që përdoret për automjete me rreth 10 lekë për litër, si reflektim i akcizës për gazin e lëngshëm për mjetet e transportit në nivelin 8 lekë për litër, që duke i shtuar dhe TVSH-në arrin në 9.6 lekë për litër, duke filluar nga 1 janari. Çmimi i gazit në rrethe dhe autostradë luhatet në rreth 55-60 lekë për litër nga 42-50 lekë për litër që ishte në fund të vitit të kaluar. Në Tiranë, gazi tregtohet ende me 55 lekë për litër.

Taksa dhe abuzime

Sa herë që një shqiptar paguan 175 lekë për një litër naftë, ai paguan një mori taksash. Akciza paguhet në masën 37 lekë. Kësaj i shtohet taksa e karbonit, 3 lekë dhe taksa e qarkullimit, 27 lekë. Tatimi mbi vlerën e shtuar paguhet për të gjithë çmimin final në masën 20 për qind. Por kjo do të thotë që për pjesën e taksave të tjera, pra akcizë, taksë karboni apo taksë qarkullimi, TVSH është një shumë fikse që nuk varet nga luhatja e çmimit të naftë. Kështu, për të tri taksat, të cilat së bashku marrin 67 lekë, paguhet TVSH prej 13.4 lekë. Përveç kësaj, paguhet TVSH e zakonshme mbi çmimin fundor, i cili aktualisht është rreth 165 lekë për litër, gjë që shton edhe 19 lekë të tjera TVSH për një total prej 100 lekësh për litër.
Nga importi deri te pika e karburantit janë edhe një sërë taksash të tjera, si për shembull, taksa e markimit, 1 lekë për litër, kostoja e magazinimit, 0.1 lekë, taksa të ndryshme për pushtetin vendor nga pikat e karburantit etj., të cilat nuk mund të kuantifikohen lehtë. Por në total, taksat mbi naftën variojnë nga 98 deri në 104 lekë për litër. Luhatja shkaktohet se një pjesë e TVSH-së së paguar lidhet me çmimin e importit ndërsa pjesa tjetër me taksat fikse.
Të ardhurat e qeverisë nga karburantet vlerësohet se arrijnë në mbi 700 milionë dollarë në vit. Rreth një në çdo pesë lekë taksa të mbledhura nga qeveria vjen pikërisht nga hidrokarburet.