Mavraj nis stërvitjen te Hamburgu

Vit i ri, aventurë e re për Mërgim Mavrajn. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare që u transferua në fundin e dhjetorit te Hamburgu, nisi stërvitjen me skuadrën e tij të re duke u vënë nën urdhrat e trajnerit, Markus Gisdol. Hamburgu synon që me afrimin e 30-vjeçarit shqiptar të konsolidojë repartin e mbrojtjes në misionin e mbijetesës. Mbrojtësi ishte pika e referimit për mediat në nisjen e përgatitjeve me Mavrajn që në intervistën e tij nuk lë dyshime se është i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tij në këtë hap të karrierës.
“Jam i lumtur që jam te Hamburgu. Objektivi kryesor është mbijetesa në Bundesliga ndaj dhe po përgatitemi. Pres me padurim të marr përsipër rolin që më është besuar në skuadër dhe jam gati për përgjegjësitë që më janë dhënë. Eksperienca do të luajë rolin e saj në këtë drejtim. Hamburgu është një klub i madh me tifozë të shkëlqyer, të cilëve duam t’ju dhurojmë buzëqeshje në pjesën e dytë të sezonit”, u shpreh Mavraj.
Mavraj konsiderohet një blerje e rëndësishme për Hamburgun, me klubin që i ka kushtuar një hapësirë të gjerë mediatike momenteve të tij të para me skuadrën edhe në profilin zyrtar në Twitter. Te Hamburgu Mavraj pritet të mbajë fanellën me numrin 3.