Grushta mes policëve në Tiranë, policia fsheh ngjarjen

Dy policë të Komisariatit Nr.2 Tiranë, në orët e vona të natës, pasi janë konfliktuar njëri me tjetrin kanë nxjerrë armët, por fatmirësisht pa i përdorur ato. Sipas informacioneve të Opinion.al, sherri mes policëve ka filluar për arsye krejt banale, duke përfunduar më pas në një konflikt të ashpër dhe gati deri në përdorimin e armës.
Burime të policisë, kanë bërë me dije, se ndaj tyre ka nisur një hetim i brendshëm. Po i njëjti burim, ka treguar, se nëse nuk do të kishte qenë ndërhyrja e menjëhershme e kolegëve për të ndarë policët, sherri do të kishte përfunduar me pasoja fatale. Dy policët janë shoqëruar në mjediset e Komisariatit Nr.2, Tiranë, ndërsa po sqarohen arsyet reale të konfliktit mes tyre.
Agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave kanë nisur hetimet ndaj dy punonjësve të policisë, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Ky lajm nuk është bërë publik nga ana e Policisë së Tiranës, e cila ka shpërndarë njoftimin për median, por duke mos përmendur këtë sherr mes policëve.