Gjyqtarët nën akuzë

Gola të parregullt, kartona deri diku të pakuptimtë dhe shumë vendime të gabuara nga gjyqtarët në Angli. Një situatë aspak normale për Premier League që po zien nga zërat kritikë në drejtim të gjyqtarëve. Ishte fillimisht Slaven Biliç ai që akuzoi kryesorin për njëanshmëri ndaj Manchester United, ndërsa nuk mungoi as shfryrja e Pep Guardiolës ndaj kryesorit në duelin Manchester City-Burnley. Polemika të ashpra shoqëruan edhe post ndeshjen Sunderland-Liverpool ku Jurgen Klopp i tradhtuar nga nervat shfryu në konferencën e shtypit, duke deklaruar hapur se ishin vendimet e arbitrave që i hoqën dy pikë skuadrës së tij.
“E kam shumë të vështirë ta pranoj. Nuk pashë prekje të topit me dorë dhe si pasojë nuk ka vend për goditje dënimi. Në krahun tjetër, jam 100% i sigurt se pati një faull ndaj Sturridge. Në rastin e penalltisë së dytë, ishte e tillë vetëm sepse gjyqtari vendosi kështu. Dua të jem i ndershëm, nuk ndihem aspak mirë. Sunderland mori një pikë për shkak të dy 11-metërshave”, u shpreh Klopp.
Por nëse Klopp shfryu gjatë ndaj gjyqtarëve, trajneri i Sunderland, David Moyes përfitoi nga rasti për t’i kthyer reston gjermanit që vetëm pak muaj më parë e cilësoi Sunderland ekipin më mbrojtës të Anglisë.
“Nuk mendoj se në këtë ndeshje ishim shumë të ngjeshur në mbrojtje. Mendoj se lojtarët të mbështetur edhe nga publiku arritën t’i bënin ballë Liverpoolit, madje i vendosëm kundërshtarët në presion”, tha ai.
Ndërkohë, futbolli anglez ka aplikuar ndryshime në rregulloren për pezullimet pasi tani do të duhen 10 kartona të verdhë për një lojtar, që të marrë një ndeshje dënim deri më 2 prill. Risia, e cila nis të aplikohet nga arbitrat dhe disiplina ka lehtësuar disi menaxherët e Ligës më të fortë të futbollit në planet. Të ashtuquajturit ndëshkime të pahijshme në Angli kanë penalizuar jo pak ekipet në përballje vendimtare, në një kampionat ku loja e fortë është prezente dhe nuk ndalet shpesh.
Nëse një futbollist në Angli do të marrë 20 kartona të verdhë në harkun e një sezoni, do të duhet të paraqitet përpara një komisioni disiplinor, çka në këtë rast do të ishte rast aspak i zakonshëm. Kështu ata që heqin fanellat, që godasin topin prej zemërimit apo që vonojnë shpesh lojën, do të kenë një arsye më shumë për ta bërë këtë.
Federata shqiptare ende nuk e aplikon një rregull lehtësues si në ligat kryesore europiane. Në Shqipëri ne kemi ende rregullin e pezullimit me 3 kartonë të verdhë për çdo futbollist në kampionat, në një Kategori Superiore me 36 javë që penalizon jo pak ekipet tona.