Koburja në kokën e Fatmir Gudës që na kërcënon të gjithëve

Nga Armand Maho

Fatmir Gudën, ish-kryebashkiakun e Leskovikut, e njoh që prej vitit 2002, kur punonte si reporter në Shijak TV. Ishte shndërruar në makth për të majtët, e asaj  kohe (shumë prej tyre sot janë bërë rilindas të paepur), teksa i drejtonte pyetje që atyre nuk ua rrokte mendja se mund t’i vinin nga gazetarët. Dhe në atë kohë, situata nuk ishte shumë ndryshe nga tani. Nano, dhe sidomos Rama, e kontrollonin median në çdo qelizë të saj, dhe jo kushdo prej gazetarëve mund të ngrinte kokën për çështje të cilat i digjnin keq njërit apo tjetrit ministër. Shumë prej gazetarëve të asaj kohe, e kujtojnë me shaka se si Guda i ngjitej mbrapa Bashkim Finos, ministër i pushtetit lokal duke e pyetur a ishte i korruptuar apo jo.

Në vitin 2003 mori një ftesë nga Partia Demokratike, për të kandiduar në vendlindjen Leskovik, si kryetar Bashkie. Në atë kohë kur më tha Fatmiri se do kandidojë, të them të drejtën e pashë me skepticizëm pasi nuk besoja se do fitonte. Në shtator e la gazetarinë dhe filloi fushatën. Unë u gabova në parashikimin sepse Guda fitoi bindshëm, jo vetëm në vitin 2003, por për tre mandate radhazi, deri në vitin 2015 kur u bë reforma e famshme territorial dhe Leskoviku u shkri si bashki duke i kaluar Ersekës në administrim. Nga njerzit e zonës përgjatë kohës kam dëgjuar vetëm fjalë të mira për punën dhe njerzillëkun e tij. Natyrisht për aq sa mund të bëhej në qytetin juglindor ai bëri maksimumin, më shumë se çkish bërë çdo kryebashkiak tjetër.

Dje dëgjova se Fatmir Guda ishte kërcënuar në derën e shtëpisë së tij, në qytetin e lindjes. Teksa nxitonte të shkonte tek dy fëmijët e mitur i kishin dalë para falangat e rilindjes i kishin vënë pistoletën në kokë, duke i kërkuar të mos fliste shumë. E kishin pritur në errësisë ashtu si ish-sigurimi i dikurshëm që përgjonte cepave të pallateve, dhe ashtu në errësirë ishin larguar. Nuk ishin nga Leskoviku sepse atje Miri i njeh njerzit. Duket se pushtetit në Tiranë, i ka djegur shumë pjesëmarrja e tij në zgjedhjet e pjesshme lokale në Ersekë, ku guda ishte në cilësinë e nënkryetarit të PD-së Ersekë. Sulmet kanë filluar më parë, kur e akuzuan për ca gjëra  të paqena, për të cilat prokuroria pezulloi hetimin pa e dërguar në gjyq. Me sa duket nuk u mjaftuan, por dërguan trimat me kobure që ta bëjnë të mbyllë gojën.

Miri u piketua i pari prej Rilindjes pasi gjedhjet janë mbas gjashtë muajsh. Ata e njohin forcën e tij në zonën që e zgjodhi tre herë rresht si kryetar Bashkie. E si mund ta lejojnë ata që ti cënohet sadopak pushteti, ti cënohet kanabisi, koncensioni, PPV-ja e çdo lloj zullumi. Si mund të lejojë Peleshi, ky politikan jovertebror, që në zonën e Leskovikut të përgojohet kryereformatori i madh që e mori nga Korça ku nuk i ishte ndjerë zëri për të mbuluar psillëqet e tij. Dhe rilindja i ka gati skuadronet, ato që për tre vjet rresht i ushqeu me paratë e saj të korrupsionit. Ata kanë shumë për të humbur, dhe smund ta lejojnë as Fatmirin e askënd tjetër që ti cënohet pushteti. Ata e dinë fare mirë që mbas qershorit ska Vetting t’i shpëtojë nga gjithçka i kanë bërë këtij vendi.

Miri ishte i pari, por sdo jetë i vetmi. Fushata ska nisur ende dhe represioni do shtohet… Rama me të tijët që e kanë pasur të zhvilluar me kohë dellin e delirit, tashmë po kalojnë në fazën e tërbimit. Por Rama harron se ishin ata si Fatmiri dhe të tjerë që dikur u ngritën kundër diktaturës më të egër komuniste. Rama harron se pavarësisht parasë apo kriminelevë që i ka veshur me petkun e pushtetit gjithmonë do gjendet jo një por me mijra Fatmirë që do ja thonë në sy atë që mendojnë. Sepse koha kur vareshin poetët për një poezi ka perënduar sado nostalgjik të jetë ai Peleshi apo i gjithë establishment bllokmen që ka mbledhur rreth tij. Së shpejti do perëndojë dhe koha e tyre… Numurimi mbrasht ka filluar këmbanat do i dëgjoni më 18 qershor.