TKOB dhe “La Traviata” zhgënjyese

Anesti ILIAJ

Në këtë fundviti TKOB shfaqi për publikun operën “La Traviata” të G.Verdi më data 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor. Sigurisht që prezantimi i operës dhe vënies në skenë të kësaj vepre ishte tepër premtues, duke ju referuar konferencës për shtyp. Pritshmëria ishte maksimale si nga ana skenike ashtu dhe ajo muzikore, e cila në fakt rezultoi dhe si më problematikja.
Opera u vu në skenë nga regjisorja gjermane, Magdalena Fuchsberger e shoqëruar nga imazhet e projektuara të Aron Kitzig. Ajo paraqiti një koncept interesant të ndërtimit të marrëdhënieve dhe personazheve paçka se, mbetej filozofike dhe jo shpërthyese në momentet më kulmore të veprës. Është rasti të themi se në skenën tonë mungon ende interpretimi i personazhit dhe kjo gjë bie tepër në sy, pasi shohim gjithmonë të njëjtët artistë të nderuar, por asgjë të re në karakterin e tyre dhe përqasjen me rolin. U punuan me mjeshtëri kostumet nga kostumografi Ardi Asllani, i cili solli një klas dhe elegancë në çdo personazh. Drejtimi muzikor iu besua dirigjentit spanjoll, Ricardo Casero Garrigues, i cili solli ndjeshmëri në muzikë dhe në të njëjtën kohë temperament dhe aksent në momentet e duhura duke respektuar stilistikën e autorit. Një meritë e veçantë për dirigjentin qëndron dhe në mbajtjen e ekuilibrave, gjë që ndihmoi solistët në vështirësi dhe me limite vokale. Preludi i aktit të parë dhe të tretë pati në ndërthurjen e tij interpretimin e ndjerë të balerinëve Enada Hoxha e Gert Vaso. Opera këtë herë pati një dopiokast si në rolet kryesore ashtu dhe në ato dytësore. Në rolin e Violetta Valery në premierë dhe në natën e tretë interpretoi soprano Eva Golemi, e cila sigurisht tashmë e konsoliduar si artiste e TKOB vjen thuajse në çdo vepër. Zotëron shumë mirë intensitetin e rolit dhe pse mbetet e ftohtë skenikisht. Këndoi me intonacion, fraza dhe legato të qartë e të pastër. Diksioni lë ende për të dëshiruar, kontroll shumë i mirë i frymës. E ekuilibruar dhe pse ndonjëherë notat e regjistrit të poshtëm krijonin një shkëputje timbrike të panevojshme për të bërë frazën ekspresive. Në kastin e dytë, pas pjesëmarrjes në festivalin operistik “Marie Kraja” për herë të parë në Shqipëri, në një rol të plotë vjen sopranoja franceze Perrine Madoeuf. Vokal i zbehtë dhe pa asnjë shpërthim, absolutisht i papërshtatshëm për një kryerol si Violetta. Diksion që linte tepër për të dëshiruar dhe pse u përpoq të sillte diçka skenikisht. Depërtimi dhe fokusi i saj vokal nuk kishte dritën e një Violette. Perrine Madoeuf u prezantua nga drejtoresha Çela si një prurje internacionale, por lind pyetje: A na duhen vërtet këta “internacionalë” që bëjnë në TKOB debutet e tyre në një nivel të tillë? Roli u përballua me vështirësi nga soprano, e cila pati probleme të shumta intonative pas zonës së pasazhit. Kulmin e saj e pati në leximin e letrës para aries “Addio del passato” shoqëruar me një zë të folur pa ekspresivitet dhe ku asnjë fjalë nuk u kuptua përveç një “e tardi” të çjerrë. Ky fakt la të gjithë me gojë hapur pasi sigurisht që pas një prezantimi pompoz, siç i ka hije drejtoreshës, pritet diçka e madhe, por që në fakt rezultoi e një niveli mediokër. Shpresojmë që në vazhdim të mos jetë ky “ndërkombëtarizim” i TKOB. Në rolin e Alfredo Germont në premierë interpretoi tenori italian Giuseppe Tommaso, i cili nuk të linte aspak indiferent me timbrikën e tij lirike dhe të bukur dhe një diksion tepër i qartë. Mund të them më i miri në tërë kastin në këtë pikë. Vokal i shëndetshëm dhe i mirëfokusuar dhe pse akoma jo i mirëstabilizuar në pasazhe të ndryshme të veprës, gjë që solli herë pas here luhatje intonative. I rafinuar në momente tepër delikate muzikalisht aq sa dhe i pakuruar në gjëra më të thjeshta. Një pamje e admirueshme dhe prezencë skenike e mirë. Në kastin e dytë gjejmë tenorin Armaldo Kllogjeri, i cili rikthehej në skenën e TKOB pas dy viteve shkëputje. Sigurisht që pritshmëria si e publikut ashtu dhe e drejtuesve të institucionit, pas lënies së veprës “Rigoletto” nga ana e tenorit ishte e madhe, por nuk rezultoi e tillë për fat të keq. Dhe pse me një rol të bërë, gabimet muzikore ishin trashanike dhe flagrante. Sensi muzikor inekzistent dhe mbi të gjitha zëri i zbehur. Në fakt në këtë pikë kombinimi i Madoeuf dhe Kllogjerit kishte mosdepërtimin në sallë si pikë të përbashkët. Problemet intonative sidomos në duete dhe momentet e kadencave ishin të dukshëm. Në regjistrin qendror vihej re një mosekuilibër timbrik që të linte në çdo moment të pasigurt në atë që dëgjoje. Pas zonës së pasazhit tenori humbiste çdo tingull duke “shitur” falcetin për një pseudoakut. Duke patur probleme kaq flagrante sigurisht që s’mund të kemi një analizë muzikore të mëtejshme. Giorgio Germont u interpretua në premierë nga baritoni gjeorgjan, Gocha Abuladze, i cili rikthehej në skenën tonë. Vokal i ngrohtë dhe depërtues. Tepër muzikal dhe inteligjent në drejtimin e frazës. Ende jo i matur mjaftueshëm për një rol si Germont Padre, por sigurisht një realizim mjaft i mirë i personazhit, i ndjerë dhe ekspresiv. Në disa pasazhe ndërrime pozicionesh. Germoni i tij ishte totalisht i besueshëm dhe i mirërealizuar. Në kastin e dytë gjejmë baritonin e TKOB Ylber Gjini, i cili sjell për të disatën herë rolin e Giorgio Germont. Timbrikë e padiskutueshme në përshtatshmëri me rolin, por muzikalitet që lë ende për të dëshiruar. Vokal i shëndetshëm dhe një figurë bujare dhe pse pak ekspresive në skenë. Në rolin e Flora Bervoix dëgjuam Shpresa Bekën, soprano jo e thelluar në rol dhe pse me një prezencë të mirë skenike, ndërsa Ivana Hoxha mezzosoprano solli një Flora prezente dhe elegante me vokal të bukur. Rolet e tjera u interpretuan nga: Simona Karafili si Annina e saktë dhe vokal i mirë, Sidrit Bejleri e Ogert Islami si Barone Douphol, Edvin Kastrati e Ogert Islami si Marchese d’Obigny, Sokol Hidersha si doktori Grenvil, etj. Kori i TKOB i përgatitur nga Dritan Lumshi interpretoi me profesionalizëm dhe saktësi në këtë vepër gjithashtu dhe trupa e baletit të TKOB.
Pra, kjo ishte “La Traviata” “brilante” që në të vërtetë mbushi sallën e TKOB, por mos harrojmë se përtej publikut të thjeshtë që njeh “Brindisi” apo “Amami Alfredo” falë kinematografisë, kjo vepër është po aq e njohur dhe për profesionistët, të cilët dinë të bëjnë mjaft mirë diferencën midis rutinës së të dëgjuarit, madhështisë së titullit që mbush sallën dhe kualitetit artistik që servir teatri si një tempull elitar lirik. Sot përtej konjukturave artistit s’mund t’i hidhet më hi syve. Është e trishtueshme të vihet re se si led wall transformohet në video projeksion duke u spostuar nga show i mikrofonuar “Marie Kraja” në një skenë opere të vërtetë. Në cilin konkurs të vërtetë lirik është parë interpretimi i amplifikuar? Në cilin konkurs lirik konkurrentët marrin pjesë dhe shpallen fitues vetëm me interpretimin e 2 arieve dhe 1 kënge? Pasi dimë që, veçanërisht këtë vit pjesëmarrësit në “Marie Kraja” janë përzgjedhur me një kujdes të veçantë nga organizuesit e tij. Mos vallë TKOB po kthehet në shërbim të publicitetit për prurje në show-n lirik “Marie Kraja”?