Republikanët kundër planit shëndetësor “Obamacare”

Uashingtoni po përgatitet për një aktivitet të ngjeshur legjislativ gjatë fillimit të vitit 2017. Në krye të axhendës së shumë republikanëve është një sulm frontal ndaj legjislacionit për kujdesin shëndetësor të Presidentit Barack Obama, një ndër aspiratat e tij reformuese më të rëndësishme. Programi i mbiquajtur “Obamacare” uli në mënyrë drastike numrin e personave pa sigurime shëndetësore, por nuk arriti të mbajë nën kontroll koston bazë të sigurimeve.
Gati shtatë vjet pasi “Obamacare” u shndërrua në ligj, një numër rekord amerikanësh kanë tashmë sigurim shëndetësor. Por, jo të gjithë janë të kënaqur.
“Fatkeqësisht nuk është i leverdisshëm. Çmimi i sigurimit shëndetësor të të gjithëve vazhdon vetëm të rritet”, thotë Kristy Burgina, punonjëse shitjesh.
Rritje pati edhe përpara miratimit të “Obamacare”. Por, shpresa se nëpërmjet këtij sistemi të ri, do të ishin të rinjtë që do të blinin sigurim shëndetësor duke kompensuar kështu për të moshuarit, nuk u realizua.
“Do ta anulojmë këtë katastrofë të njohur si ‘Obamacare’ dhe do të krijojmë një sistem të ri të reformuar që do të jetë më mirë për ju dhe familjet tuaja”, tha presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
Demokratët këmbëngulin se “Obamacare” mund të shpëtohet.
“Duam ta përmirësojmë ligjin. Është e mundur”, tha senatori Harry Reid.
“Nuk mund të rrimë pa vepruar”, tha senatori Mitch McConnell.
Për vite të tëra, republikanët premtuan t’i jepnin fund programit “Obamacare”. Ata mendojnë se do t’u jepet shansi kur të bëhet president zoti Trump.
“Do të veprojmë që pas vitit të parë me një rezolutë për të zëvendësuar ‘Obamacare’ dhe do të punojmë me shpejtësi për një propozim më të mirë se ligji aktual”, shtoi senatori McConnell.
Demokratët vënë në dukje se deri më tani, republikanët nuk kanë paraqitur hollësi për planin e tyre zëvendësues.
“Me çfarë duan ta zëvendësojnë? Republikanët nuk japin dot përgjigje. Ne nuk do të bëhemi pjesë e zhbërjes pa një propozim zëvendësues”, u shpreh senatori Chuck Schumer.
Demokratët mendojnë se një plan republikan për të zëvendësuar planin “Obamacare”, do të zemërojë po aq amerikanë si në momentin kur ai u krijua.
“U themi republikanëve: le t’ja fillojnë”, vijoi senatori Schumer.
Niveli i shpenzimeve për kujdesin shëndetësor është rreth 17% e produktit të brendshëm bruto – niveli më i lartë ndër të gjitha vendet e industrializuara.