Rama penalizon shqiptarët për koncesionarët e makinave

Nëntor 2013. Rilindja sapo kish marrë pushtetin dhe hapësirat e vjedhjes ishin të pafundme… Kishte hapësira për të vjedhur në energji, taksa, shëndetësi, miniera, bujqësi, turizëm, rilindje urbane, naftë e gaz… Sipas një plani të detajuar step by step që vetëm një mendje djallëzore dhe makute di ta sajojë, se ku do i godisnin më shumë shqiptarët. Çfarë duhet bërë në këtë vend, që brenda një mandati të shterin të gjitha resurset e këtij vendi, t’i shterin të gjitha fuqitë e këtij populli. Para zgjedhjeve Rama kish bërë një kontratë të pashkruar me të gjithë ata që Rilindjen e shikonin si mjet për të marrë dhe ndarë fitime. Por ishte ende herët. Më 6 nëntor 2011, do të sajohej një seancë dëgjimore me koncesionarët e makinave ku ata kërkonin të ndalohej importi i makinave të para 2010. Si biznesmenë ata janë në të drejtën e tyre të kërkojnë hapësira për përfitime, por sistemi prandaj krijon qeveri që të garantojë të drejta të barabarta për të gjithë. Nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese (komisioni që merret me të gjitha pisllëqet e rënda të udhëzuara nga Rama dhe përgatitura nga Ahmetaj) doli me konkluzionin se shqiptarët nuk janë të varfër dhe mund të blejnë makina të fundit, ose pas vititi 2010, gjë që mesa duket pas 3 viteve të “shkëlqyera” të qeverisjes rilindase po bëhet realitet. Nuk e bëjnë as vende të mëdha si Gjermania, Franca apo Italia. Nuk e bën as Amerika e Kanadaja, por e bën Shqipëria. E gjitha kjo nën moton e “mbrojtjes së mjedisit”.

Shembulli i Evropës

Në internet ka shumë faqe, të cilat shesin makina të përdorura. Mund ta blesh në Gjermani e ta përdorësh në Belgjikë dhe nga Franca në Spanjë ose anasjelltas. Autoscout, Mobile de apo Cars, site amerikane që njoftojnë shitjen e makinave të të gjitha viteve, natyrisht sa më e vjetër të jetë aq më i ulët është çmimi. Ka dhe makina të vjetra të viteve 1970, të cilat blihen nga koleksionistët dhe kanë një çmim mjaft të kripur. Askush nga shtetet e mëdha të Evropës, Amerikës apo deri në Australi nuk të ndalon të importosh makina nga jashtë sado e vjetër të jetë, mjafton që të plotësojë kriteret e ndotjes së ambientit. Por çudirat ndodhin vetëm në “shtetin” e Rilindjes, ku njerëzit detyrohen të marrin makina të reja, pas vitit 2010, të cilat nuk i gjen poshtë çmimeve të 8 mijë eurove në origjinë. Llogaria është bërë saktë. Për të marrë një makinë të 2010, fjala vjen në Gjermani e para duhet të llogarisësh biletën e avionit në vajtje, ditët sa do të qëndrosh atje derisa të kryesh procedurat e dokumentacionit, kthimin që kërkon të paktën dy ditë dhe këtu përfshihen dhe ndalesat, karburanti etj. Shtoi më pas dhe doganën, nja 2 mijë euro, plotësimin e dokumentacionit shqiptar me nja 500 apo 600 euro të tjera, në rast se kërkon të kursesh karburant dhe mendon t’i vendosësh impiant gazi duhet të llogaritësh dhe nja 850-900 euro të tjera, një llogari që shkon rrumbullak dikur te 11 apo 12 mijë euro. Në këto kushte për të hequr andrallat një individ që ka ndërmend të marrë një makinë të tillë, më mirë i drejtohet koncesionarit, ku mund të gjesh makina në 12-13 mijë euro. Natyrisht duhet të heqësh dorë nga modeli jot i preferuar ose nga opsionet që mund të gjeje me të njëjtin çmim ose dhe shumë më pak me një makinë tjetër të përdorur të vitit 2004 apo 2005 që mund ta merrje në gjendje shumë të mirë dhe shumë herë më lirë se një makinë e 5 apo gjashtë viteve më pas….

Përdorimi i makinave

Shqiptarët nuk janë si gjithë të tjerët… Në përgjithësi janë një popull i varfër, që llogarisin çdo centez për të jetuar. Në jetën e përditshme, kur nuk funksionon thuajse asnjë transport publik, makina është bërë domosdoshmëri. Përdoret për të shkuar në punë, për të dërguar fëmijët në kopshte dhe në çerdhe, përdoret nga zanatçinjtë, që ropaten për një shpërblim mjeran, përdoret nga bujqit për të nxjerrë prodhimin në treg, pra përdoret për mbijetesë. Sipas statistikave në vendin tonë importohen rreth 50 mijë makina… Tregu i automjeteve të përdorura është gjetur si një zgjidhje efikase për atë pjesë të popullsisë me të ardhura të pakta. Atëherë pse ndodh, që qeveria të fusë një ligj të tillë, i cili do ja ngrejë ndjeshëm koston e jetës qytetarëve të saj. Natyrisht shpjegimi është vetëm një, klientelizmi. Edi Rama nuk mund t’i kënaqë me fondet buxhetore të gjithë koncesionarët për nevojat e ministrive dhe Kryeministrisë. Atëherë zgjidhja gjendet tek xhepat e qytetarëve, duke i detyruar ata me ligj të blejnë tek ata, një skemë mafioze monopoli, e fundmja që kish mbetur ndoshta nga tregtia e lirë.

Ligji godet dhe tregtarët e vegjël

Por nga ky ligj nuk goditen vetëm ata që kërkojnë të ndërrojnë makinën e tyre fjala vjen të vitit 2003, me një makinë të të njëjtit tip të dy apo tri viteve më vonë. Nga ky vendim arbitrar goditen dhe ata që sigurojnë të ardhurat e tyre me tregtinë e makinave. E kujt do i leverdiste më të sillte makina nga jashtë që kushtojnë 12 deri në 13 mijë euro apo 20 mijë euro në një vend ku paga mesatare është 300 euro? Pra, vendimi është marrë për një kastë të caktuar njerëzish, me ndihmën e qeverisë që fshihet pas ndotjes së ambientit. E njëjta qeveri, e cila ka bërë monopol kolaudimin e makinave dhe automjetet kalojnë sipas oreksit të atyre që fusin katalizatorët e marmitave. Një herë detyrohen t’i blejnë katalizatorët makinat e naftës dhe më pas makinat e benzinës. Në rast se qeveria Rama do të mbahet mend për diçka, ajo është vetëm puna në favor të një grushti klientësh që kanë shtrirë monopolin e tyre në gjithçka, në bazë të një skeme të mirëmenduar, e cila u fsheh pas premtimeve për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, taksat më të ulëta, ulje e TVSH për energjinë, ndalim të importit të plehrave e kështu me radhë. Në fund të mandatit të tij, u kujtua se pa u taksuar kish mbetur vetëm gazi, të cilin e rriti arbitrarisht në favor të klientëve me 80 lekë, tashmë i kanë mbetur dhe makinat, të cilat pas 1 janarit duhet t’i blejmë vetëm në koncesionar sepse aty janë fitimet e Rilindjes.