Pas minorenes në Brindizi Roshi “përdhunon” edhe KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vu dje përballë fakteve të Prokurorisë për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi dhe deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, të cilët organi i akuzës i ka klasifikuar si subjekte të ligjit të dekriminalizimit, pasi janë ndaluar apo dënuar nga gjykatat e huaja për vepra të ndryshme penale. Megjithatë ndodhi ajo që ndoshta pritej. Urdhri nga Kryeministria ishte që procesi të zvarritet sa më shumë ndaj edhe përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ hodhën teorinë se kërkojnë të njihen me procedurat që ka ndjekur Prokuroria.
Kjo duket se jo vetëm që është jashtë kompetencës së KQZ, por edhe shumë joprofesionale. Pra, nën drejtimin e kryetarit të ri dhe dy anëtarëve po të zgjedhur rishtaz, përfaqësuesit e majtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i parashtruan si kërkesë të re Prokurorisë që të njihen me vendimet që ajo ka verifikuar për rastet e tri funksionarëve publikë, në mënyrë që më pas të marrë një vendim përfundimtar, nëse Rroshit, Selamit e Tahirit do t’u hiqet mandati si të zgjedhur publikë. Megjithatë e vërteta është se, Rama nuk ka dëshirë që të zbatojë dekriminalizimin mbi bashkëpunëtorin e tij.
Rroshi e di shumë dhe kryeministri po bën gjithçka që të paktën ta sabotojë këtë proces, duke e zvarritur në pafundësi me shpresën të mbulohet në harresë.
Megjithatë, kanë qenë përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që thanë se KQZ nuk ka të drejtë të vërë në dyshim verifikimet e Prokurorisë, por të shohë nëse përputhen verifikimet me parashikimet e ligjit të dekriminalizimit, mbi të cilat përllogaritet dhe periudha e heqjes të së drejtës për të ushtruar funksione publike apo veprimtari politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka reaguar ashpër nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ku shprehet i pakënaqur me mbledhjen që po transmetohej live nga ambientet e KQZ-së. “Turp, thotë ai në deklaratë, që transmetohet ‘live’ nga KQZ! Një kriminel i dënuar që ka marrë funksion pushteti me bekimin e Edi Ramës na e mbroka Kushtetuta dhe Strasburgu dhe duhet të qëndroka në detyrë! Një gjyqtar që mendohet të jetë i korruptuar, por që nuk është i dënuar, nuk ka të drejta sipas Kushtetutës. Për të duhet bërë Vetting. Këtë po përpiqen të mbrojnë të gjithë përfaqësuesit e Edi Ramës sot live në KQZ. Turp! Për Edi Ramën dhe të gjithë ata që bërtasin për Vetting, por mbrojnë pa u skuqur kriminelët e dënuar në funksione shtetërore! Turp edhe për ata që bërtasin për Vetting-un, por bien squkë për dekriminalizimin, qofshin shqiptarë apo të huaj! O tempora, o morës! Urgjentisht Vetting për Kryeministrin, ministrat dhe politikanët”.
Në këtë mënyrë zoti Bylykbashi ka bërë krahasimin mes ligjit për dekriminalizimin i mbështetur fort nga opozita dhe në mënyrë të veçantë Partia Demokratike dhe ligji i Vettingut që ditët e fundit Gjykata Kushtetuese përmes një votimi e konsideroi kushtetues. PD kishte paraqitur një ankimim pranë kësaj gjykate, duke e konsideruar antikushtetues këtë ligj dhe si një mundësi që i jep pushtet kryeministrit mbi sistemin e drejtësisë. Kjo tashmë përbën një precedent të rrezikshëm, pasi tashmë po e shohim qartë se Rama dhe mazhoranca nuk kanë vullnet të mirë për të pastruar institucionet nga të korruptuarit dhe kriminelët, por kërkojnë thjesht mjete në duart e tyre të intimidojnë e të kërcënojnë këdo që nuk u vjen pas qerres. Nga ana tjetër, si në rastin e Rroshit, Rama ndërhyn fort për të bllokuar përmes zvarritjes, duke shpresuar tek harresa procesin e dekriminalizimit. Prokuroria ka faktet e dënimit të Rroshit, madje ato u janë bërë të ditura të gjithë shqiptarëve përmes medias dhe deklaratave të Prokurorisë, por mesa duket anëtarët e majtë të KQZ nuk paskan kuptuar asgjë dhe presin urdhrat e shefit të tyre në Kryeministri.

Si u ndanë votat në votimin për Rroshin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje t’i kërkojë Prokurorisë informacion dhe dokumente mbi bazën e të cilave ka arritur në kërkesën për heqjen e mandatit të dy deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Të tilla janë dokumentet që tregojnë për veprën për të cilën akuzohet i zgjedhuri, numri dhe data e marrjes së vendimit, data kur ai ka hyrë në fuqi.
Këtë vendim e votuan kryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe 3 anëtarë të KQZ. Ndërsa 3 anëtarët e tjerë mbrojtën idenë se verifikimet për zyrtarët e zgjedhur, bazuar në ligjin e dekriminalizimit, i bën organi i akuzës. Kurse KQZ merr të mirëqenë atë që i serviret nga Prokuroria.
Po ashtu të 7 anëtarët e KQZ rënë dakord me votë unanime që mbledhjen e djeshme ta vijojnë në datën 29 dhjetor.
Rroshi, Selami dhe Tahiri, sipas Prokurorisë, janë gjetur në shkelje të ligjit të dekriminalizimit pasi nuk kanë pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit dënime që kanë marrë në disa shtete të BE-së.
Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku u diskutua kërkesa e Prokurorisë për ndërprerjen e mandateve të 3 zyrtarëve, u dëgjuan edhe këta të zgjedhur, si palë në proces. Deputeti Shkëlqim Selami ishte i pranishëm personalisht në këtë mbledhje, ndërsa Dashamir Tahiri dhe Elvis Rroshi përfaqësoheshin nga avokatët e tyre Fatmir Braka dhe Theodhor Sollaku.
Ky i fundit tha se KQZ duhet t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme aktet procedurale mbi të cilat bazohet kërkesa për heqjen e mandatit të Rroshit. Sollaku u shpreh në mbledhje se detyra e KQZ është vetëm konstatimi, pasi kryetarët e bashkive shkarkohen nga Këshilli i Ministrave dhe ky vendim mund të ankimohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa avokati i deputetit Dashamir Tahiri, Fatmir Braka u shpreh se klienti i tij akuzohet për kryerjen e një vepre penale që nuk përfshihet në veprat penale të specifikuara tek ligji i dekriminalizimit. Ai i kërkoi KQZ-së të mos marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të deputetit Tahiri.
Kurse avokati Genci Fiko, që përfaqësonte deputetin e LSI, Shkëlqim Selami tha se gjykata italiane e ka pushuar çështjen ndaj klientit të tij. Sipas avokatit, masa e sigurimit është marrë më 1994, është shuar më 2002 dhe ndalimi i Selamit në vitin 2006 ka qenë masë verifikimi.