Ballina Ekonomi Ndalet rënia e euros

Ndalet rënia e euros

Monedha e përbashkët njohu javën e shkuar nivelet më të ulëta që nga viti 2009. Dje, monedha europiane u këmbye me 134.54 lekë, duke shënuar rritje me 0.1 lekë.
Sipas aktorëve të tregut zhvlerësimi i euros është i pritshëm në këtë periudhë, pasi ardhja e emigrantëve shoqërohet dhe me një ofertë të shtuar për monedhën e përbashkët në treg.
Ekspertët e tregut kishin parashikuar se rënia do të vazhdonte edhe gjatë kësaj jave për disa arsye:
– Së pari, janë shtuar flukset e emigrantëve që kthehen në shtëpi për festat e fundvitit;
– Së dyti, më datë 20, kompanitë paguajnë sigurimet dhe për këtë arsye këmbejnë valutë. Këtë vit, ndikim të ndjeshëm po jep dhe gazsjellësi TAP. Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjithësisht në datën 20, euro arrin nivelin më të ulët të muajit, për ta marrë veten lehtë më vonë.
– Së treti, edhe Banka e Shqipërisë këtë vit ka konstatuar që ka euro me tepri në treg, çka po bën që monedha e përbashkët të jetë e dobët. Vlerësohet se hyrja e euros ka ardhur dhe nga kanale informale, kryesisht hashashi.
Ndonëse këto janë faktorë që ndikojnë gjithmonë, sjellja e euros këtë vit është jashtë normalitetit të viteve të fundit, ku ndonëse dollari forcohej në bursat ndërkombëtare, euro mbetej e fortë tek ne dhe ndryshimi i kursit reflektohej përmes mbiçmimit të monedhës së gjelbër.
Euroja, në tregjet ndërkombëtare, ka njohur një vit të dobët përkundrejt dollarit, thuajse duke u barazuar me të.

Exit mobile version