Koncesionet do shtohen deri në 1 miliard USD

Qeveria do të kontraktojë 1 miliard dollarë koncesione në tre vitet e ardhshme në një manovër, e cila praktikisht krijon borxh të ri jashtëbuxhetor.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj zbardhi detaje nga plani i lajmëruar më parë nga kryeministri Edi Rama për financimin e veprave publike me kapitale private.
“Është një ide e kryeministrit, e cila bën të mundur 700 milionë deri në 1 miliard dollarë investime plus në 3 vitet e ardhshme”, tha Ahmetaj.
Pjesa dërrmuese e këtyre investimeve pritet të jenë në infrastrukturë dhe do të garantohen nga buxheti i shtetit, njësoj si modelet e koncesioneve në shëndetësi, ku privatët do të investojnë në ndërtimin e rrugëve dhe do të marrin pagesa të përvitshme nga buxheti.
Ligji e lejon qeverinë të japë pagesa vjetore për koncesionet deri në 5 për qind të të ardhurave faktike buxhetore.
Aktualisht qeveria shqiptare paguan 7.3 miliardë lekë në vit për kompanitë koncesionare, në një kohë që kufiri prej 5 për qind korrenspondon me shifrën 15 miliardë ose mbi 110 milionë euro.
“Detajet e paketës do të zbardhen nga kryeministri, por unë mund të garantoj se çdo gjë do të ndodhë brenda kuadrit makroekonomik. Pra, nuk do të rritet as deficiti dhe as borxhi publik. Përkundrazi do të ulen”, tha Ahmetaj.
Koncesionet kanë qenë një nga temat më të nxehta të debatit politik në Shqipëri. Në tre vitet e mandadit të saj qeveria ka dhënë një sërë kontratash koncesionare tek privatët, kryesisht në fushën e shëndetësisë, ndërsa tani duket se ka në plan ta shtrojë këtë praktikë edhe infrastrukturë.